Meta: Në Kosovë duhet të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve

269
Sigal

Pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka deklaruar sot se është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve.

Në një konferencë për mediat, Meta tha: “Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, dua të nënvizoj se gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë. Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve.”

Deklarata erdhi pasi një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i dha të drejtë Presidentit të vendit, Hashim Thaçi për të dekretuar një qeveri të re të kryesuar nga Avdullah Hoti dhe rrëzoi kërkesën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të zhvilluar zgjedhje të reja.

Deklarata e Metës erdhi pak orë pasi Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e konsideroi “të papranueshëm”, vendimin e Kushtetueses dhe paralajmëroi veprime politike në ditët në vijim. Në një mesazh në Fb, Kurti u shpreh:  “Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politikë do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim,” tha Kurti.