Meta dhe Panariti: LSI, Forca më e përkushtuar për reformat dhe stabilitetin e vendit

429
Sigal

Kreu i LSI takohet me strukturat e kësaj force
politike në Lushnje

Në kuadër të
fushatës zgjedhore për Kryetarin e ri të LSI-së dhe të Konventës Kombëtare,
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force
politike në Lushnjë. Në këtë takim, Meta shoqërohej nga Zv. Kryetari i LSI-së
Petrit Vasili dhe deputetët Kejdi Mehmetaj e Robert Bitri. Në fjalën e mbajtur
para të pranishmëve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi të gjithë
përfaqësuesit e kësaj force politike që të angazhohen maksimalisht në këtë moment
të rëndësishëm të riorganizimit në të gjithë vendin. “Do të doja t’i ftoja të
gjithë përfaqësuesit e LSI-së së Lushnjës për të vlerësuar sa më seriozisht
këtë moment riorganizimi dhe ripërtëritje të LSI-së në të gjithë vendin, në
prag edhe të zgjedhjeve të 6 nëntorit, jo vetëm për kryetarin e LSI-së, por
edhe për delegatët për në Konventën Zgjedhore Kombëtare të LSI-së, që do të
zgjedhë gjithashtu të gjithë drejtuesit e rinj të LSI për katër vitet që vijnë.
Dhe njëkohësisht do të diskutojë dhe çështjet më të rëndësishme që kanë të
bëjnë me programim, me angazhimin tonë të deritanishëm në qeverisjen e vendit,
por edhe për të ardhmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e ardhme e cila
është e lidhur ngushtë edhe me mbarëvajtjen e të gjithë punëve në vendin tonë”,
tha Meta. Kryetari i LSI-së, Meta theksoi se pa stabilitet politik nuk ka dhe
nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. “Pa
stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm
ekonomik dhe social të vendit. Nuk mund të ekzistojë shtrati dhe terreni i
qëndrueshëm për të çuar përpara reforma, që përmirësojnë jetën dhe standardet e
qytetarëve tanë kudo. Prandaj LSI-ja, në mënyrë të qartë ka qenë refuzuese ndaj
çdo retorike konfliktuale të panevojshme. Sepse kanë kaluar 26 vjet dhe vendi
nuk ka më nevojë për një politikë përjashtuese, por ka nevojë për një politikë
bashkëpunuese, politikë që nuk bazohet tek demonizimi i kundërshtarit, por te
vetë humanizimi i politikës. Tek angazhimi i saj për të zgjidhur çështje
konkrete, çështje të cilat shqetësojnë një komunitet, shqetësojnë një lagje
qyteti, një fshat apo çështje që shqetësojnë qoftë edhe një qytetar që ka
nevojë për përkrahjen dhe për vëmendjen e politikës”, – tha z. Meta. Kryetari i
LSI-së renditi një sërë reformash të rëndësishme që janë miratuar së fundmi. Z.
Meta vlerësoi se është shumë e rëndësishme jo vetëm që të bëhen reforma, por ka
shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre. “Gjatë
kësaj kohe janë bërë reforma të rëndësishme si reforma
administrative-territoriale, është vendosur themeli kryesor i reformës në
drejtësi, që është Kushtetuta e re e vendit e miratuar me konsensus. Janë bërë
reforma të tjera në shumë fusha të rëndësishme. Ato kanë dhënë një impakt,
pritet të japin mpakte më të prekshme në të ardhmen. Por nga eksperienca e
deritanishme del qartë që është shumë e rëndësishme jo vetëm të bëjmë reforma,
por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të
tyre. Që do të thotë se një reformë është e suksesshme dhe është jetëgjatë kur
ajo prodhon efektet maksimale, pozitive në interes të shoqërisë, komunitetit
apo të kategorisë sociale, pra të grupeve të interesit”, u shpreh Meta. Gjithashtu,
Kryetari i LSI-së deklaroi se rritja e LSI-së është një fenomen i pandalshëm që
u tregua qartë në zgjedhjet e 2013 dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Meta
u shpreh se LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa
stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit. “LSI është
forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë
garanci për zhvillimin e gjithë vendit. Kjo është detyrë e të gjithëve që ta
rrisim këtë forcë dhe jo vetëm ta rrisim por edhe të përmirësojmë më tek cilësinë
e përfaqësimit të saj kudo, sepse është shpresa më e madhe për përgjegjshmëri
në këtë vend, për llogaridhënie dhe për reflektim”, – tha ndër të tjerash z.
Ilir Meta.

 

 

Zhvillohet
ceremonia e dorëzimit të vulës së Faik Konicës

Ministria e
Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bibliotekën
Kombëtare, organizuan në Sallën “Lumo Skëndo” në Aneksin e Bibliotekës
Kombëtare, ceremoninë e dorëzimit të shtampës “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur
ndryshe “Vula e Faik Konicës”. Kjo shtampë është dhuratë nga Katedralja e “Shën
Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në Boston, pikërisht në vitin kulturor
“Faik Konica”, shpallur nga Federata Panshqiptare “VATRA”. Në mënyrë simbolike
ajo iu besua ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij të
fundit në SHBA. dhe nën përkujdesjen e tij ju besua Bibliotekës Kombëtare, në
nderim të porosisë së lënë nga Faik Konica për dërgimin e saj në Shqipëri. Shtampa,
me një realizim unik artistik, përbëhet nga dy germa platini F.K, që
përfaqësonin artin e tipografisë koniciane të “Albania-s” e të librave që ai
shtypi me ato germa, si dhe nga dhjetë gjarpërinj në pozicione të ndryshme, që
rrethojnë inicialet e emrit të Faik Konicës. Kjo logo mban edhe si shënim një
thënie tipike të nxjerrë nga vepra e filozofit të mirënjohur Erasmus i
Roterdamit (Desiderius Erasmus), të cilën Konica e ka perifrazuar në frëngjisht
qysh te “Albania”, Nr. 1, Janar 1902: “Il disent ce qu’il veulent: qu’il
continuent, je n’en moque!” (Le të thonë ç’të duan, mua aq më bën..!). Shtampa
“EX LIBRIS”, me përmasa 4.5X5.75, është gjetur në “libra-raftin e Vatrës” dhe
iu besua në fillim të viteve ’80 Kishës autoqefale të Nolit, ku u ruajt më
tepër se 35-vjet në «Bibliotekën e Fan Nolit» në Boston, duke nderuar amanetin
e vetë Konicës, shkruar Nolit në vitin 1942. Si relikte historik është
kataloguar në sistemin numerik të bibliotekës noliane dhe si i tillë është
kundruar nga qindra vizitorë, studiues e admirues të Konicës, shqiptarë dhe jo
shqiptarë, të mirëpritur gjatë këtyre viteve në arkivën noliane.