Ekspozita agolliane në bibliotekën kombëtare, një retrospektivë krijimtarie e shkrimtarit

462
Sigal

Ekspozita dëshmon larminë tipike të
krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin një vështrim brenda zhanreve

Ekspozita agolliane  sjell për
lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të shkrimtarisë së tij, duke
nisur qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948-n, për t’u zhvilluar e
zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari. Nga poezitë
e para të vëllimeve  poetike, nga skicat
tek romanet epike, nga fabulat tek satira, nga reportazhi tek publicistika,
vepra e Dritëro Agollit shpalos njëherazi frymëzimin dhe angazhimin e autorit në
sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e suksesshme në dy epoka.  Ekspozita dëshmon larminë tipike të
krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve
si p.sh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari
i ri”
dhe “Rinia” më 1948-n,
vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dola” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961)
për të mbërritur tek “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen
njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës”
(1998) etj; Nga tregimet e hershme si ato të botuara tek “Zëri i Rinisë” më 1955-n tek përmbledhjet me tregime si “Zhurma e
erërave të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e
mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973),
“Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997). Ekspozita sjell në vëmendje
edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të
Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987,
 por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër
Bllok, Uollt Uitman, Ana Ahmatova, etj.

Aktiviteti vijon me ligjëratën “Migjeni
 i Dritëro Agollit” të prof. Dr.
Shaban Sinani, i cili ndalet në punimin e diplomës së Agollit me titullin “Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar
shqiptar Migjeni”,
mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në
vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja.
Zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej përkthimin në
rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut” si dhe
interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat
sovjektie. Por një arsye e tretë mund të kishte lidhje me fushën e diplomimit
(gazetari) dhe me nënllojin e zgjedhur (skicë, publicistikë).