Meta, Bartolone: Bashkëpunimi politik dhe reformat, kyçe për integrimin

480
Sigal

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Francë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit sot në Paris nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, Claude Bartolone, me të cilin biseduan mbi forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, ecurisë së integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon. Presidenti Bartolone shprehu kënaqësinë e pritjes së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Meta në Paris, veçanërisht pas zhvillimeve pozitive gjatë muajve të fundit në Shqipëri, duke vënë në dukje zhvillimin e zgjedhjeve, tranzicionin e pushtetit dhe klimën e bashkëpunimit në Parlament. Meta dhe Bartolone ndanë bindjen se marrëdhëniet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera duke nënvizuar nevojën e forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve politike, ekonomike dhe kulturore. Z. Meta u shpreh se, “Shqipëria është vend aktiv i Frankofonisë, dhe e mirëpresim një përfshirje më të madhe të Francës në vendin tonë dhe në rajon”. Në këtë kuadër u shpreh vullneti jo vetëm për thellimin e shkëmbimeve ndër-parlamentare, por edhe për intensifikimin e angazhimeve të përbashkëta ndërkombëtare, ku u vu në dukje kontributi i të dy vendeve në kuadër të Unionit Mesdhetar. Bartolone bëri një vlerësim të veçantë për përkushtimin e Shqipërisë ndaj Frankofonisë. Në kuadër të pritjes në Asamblenë Kombëtare të Francës, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta ishte i ftuar edhe në një drekë pune shtruar nga Kryetarja e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri znj. Viviane Le Dissez në Asamblenë Kombëtare, gjatë së cilës Meta diskutoi me deputetët anëtarë të grupit mbi intensifikimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare dhe mbi rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.