Mediu i përgjigjet Ramës: Çdo moment mendon si do të vjedhësh votat

252
Sigal

Nga një takim me koordinatorët e Njësisë nr 9 në Tiranë, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se sipas tij “në çdo moment mendon si të vjedhë votën tuaj”. Ndërsa ka komentuar deklaratat e shefit të Qeverisë për kandidatët e opozitës për deputetë, Mediu tha se Rama “sulmet i bën karshi koalicionit”.

Sipas Mediut, koalicioni opozitar “merr vlerë në qoftë se nga një bashkim politik, të kthehet në një bashkim i të gjithë shqiptarëve në të gjithë territorin e Shqipërisë”.

“Ne jemi në momentin më të vështirë të historisë sonë kombëtare dhe kemi një kundërshtar, i cili ka organizuar regjimin më të korruptuar dhe më të inkriminuar në historinë e pluralizmit politik, i cili cdo moment mendon si do të vjedhë jetën tuaj, votën tuaj, si do shkatërrojë familjet tuaja, Shqipërinë dhe interesin kombëtar, vetëm për interesat dhe qëllimet e tij të pushtetit dhe klanit korruptiv që është rreth e rrotull tij.

Në anën tjetër kemi një bashkim, koalicion të partive politike, pra kemi një bashkim të partive politike dhe të shqiptarëve dhe Rama është në vetminë e tij, dhe po ta shikoni sulmet që ai bën, i bën karshi koalicionit, por duhet të kuptojmë që ky koalicion merr vlerë në qoftë se nga një bashkim politik, të kthehet në një bashkim i të gjithë shqiptarëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, me një program dhe ide të qartë për secilin nga ne, të kuptueshëm, të lexueshëm nga cdo qytetarë i thjeshtë, intelektual, njerëz të cilët duan të bashkohen në rrugëtimin për të ndryshuar Shqipërinë.

Shikoni kë kemi kryeministër, një njeri që nuk ka asnjë lloj limiti njerëzor, një njeri që vetëm shan, fyen, përbuz cdo ditë. E vetmja mënyrë për t`a ndryshuar këtë situatë është që fyerjes dhe përbuzjes së tij, sharjes, ne t`i kthehemi me mirëkuptimin me njëri-tjetrin, dashurinë për njëri-tjetrin dhe respektin për familjen dhe vendin tonë. Por duhet organizuar opozita në cdo qendër votimi, cdo republikan, cdo demokrat”,- tha Mediu.