Topalli feston me vajzat dhe gratë ditën ndërkombëtare: Dashuria fiton mbi gjithçka!
“One Billion Rising” aktiviteti ndërkombëtar kundër dhunës ndaj grave zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Shumë të reja tashmë janë ngritur e kërcejnë me këngën “Break the Chain”, “Këputeni zinxhirin” duke përqafuar këtë iniciativë. Të ngrihesh, të kërcesh është mënyra më e mirë për të shkundur botën, dashuri jo dhunë, këto janë mesazhet e kësaj nisme që shënohet sot në shumë vende të botës. Mijëra gra e vajza shqiptare të mbledhura dje, në bulevardin para kryesisë së Kuvendit, janë ngritur kundër dhunës për të shembur zinxhirët. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, iniciatore e kësaj nisme iu ka thënë grave e vajzave të pranishme se dashuria fiton mbi gjithçka. “Gëzuar Ditën e Shën Valentinit, ju falënderoj që i jeni bashkuar aktivitetit për t’u ngritur, për të kërcyer. Një miliard gra në botë përjetojnë dhunën, kjo është barbari, por një miliardë gra që ngrihen është një mrekulli. Nënat sot ngrihen kundër dhunës, vajzat sot ngrihen e këndojnë, kërcejnë siç dinë vetëm ato me guxim, shpresë e dashuri. Të gjitha bashkë për jetën, dashurinë, në ditën e dashurisë. Sot të ngritura derisa dhuna të marrë fund, mijëra gra që ngrihen sot këtu për t’i dhunë fund dhunës, ju tundni botën, dashuria fiton mbi gjithçka”,- tha Topalli.



















