Mbyllet procesi i konkurrimit për KLSH dhe Këshillin Mbikëqyrës në BSH. Ja emrat e 33 kandidatëve

1189
Sigal

Përfundimi i mandatit të Kreut të KLSH dhe deklarata e bërë pak muaj më parë prej z. Leskaj se nuk do të kërkojë rikandidim ka bërë, që më 12 tetor 2018 institucioni i Presidentit të shpallë garën për shprehje interesi, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë kandidatët, duke caktuar si afat të fundit datën 30 tetor 2018. Ajo që vlen për t’u theksuar në lidhje me përzgjedhjen e kreut të KLSH, ka të bëjë me faktin se, në këto 26 vite të kalimit nga sistemi njëpartiak në atë demokratik dhe pluralist, ky rast është i vetmi që kërkohet procedurë e hapur dhe gjithkush mundet të kandidojë për të qenë numri një i auditimit shtetëror. Në vitet e tranzicionit shqiptar kandidatët janë përcaktuar nga partia në pushtet, por ka pasur edhe raste kur në kuadrin e marrëveshjeve morale mes partive kandidatin e propozonte opozita në mënyrë që të mos kishte konflikt interesi gjatë kontrollit të qeverisë. Por ky rregull nuk u respektua në zgjedhjet e fundit dhe u vendos që propozimi dhe miratimi të vinte nga e njëjta forcë politike. Ndaj dhe transparenca e këtij mandati duket se është më bashkëkohorja, më demokratikja duke respektuar meritokracinë dhe të gjithëve pa dallime apo ngjyra politike iu dha mundësia të paraqesin dokumentacionin për kandidim. Pjesëtar të shoqërisë civile, botës akademike, ekspertë të fushës janë pjesë e listës së gjatë që flitet se është dorëzuar dhe zyrtarisht lista pritet të bëhet prezent nga institucioni i presidencës, në zbatim dhe respekt të ligjit, pasi në njoftimin fillestar nga ky institucion u përcaktua se: “Pas administrimit të dokumentacionit, emrat e personave, të cilët kanë shprehur interesin dhe CV-të e tyre, do të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës”. Sipas disa informacioneve jo zyrtare të bëra publike dje nga shumë media dhe rrjetet online në lidhje me kandidatët për pozicionin kushtetues në krye të KLSH-së, bie në sy kandidimi i shumë figurave nga politika, ekspertë të fushës ekonomike dhe financiare, specialistë dhe individë të ndryshëm. Duhet pranuar fakti që kudo në botë, ky institucion kërkon njerëz me performancë të lartë, të përgatitur dhe, mbi të gjitha, të njohin në detaje gjithë aktivitetin ekonomik dhe financiar të administratës shtetërore. Madje në shumë vende evropiane, krerët e kontrollit të shtetit janë personalitete që vijnë nga jeta parlamentare dhe politike.

Disa nga emrat kandidatë që janë përmendur këto ditë:

Anastas Angjeli, deputet i PS-së, ish-ministër i Ekonomisë, i Financave dhe nën/kryetar i komisionit parlamentar për ekonominë dhe që ka mbuluar edhe aktivitetin e KLSH-së, i cili është edhe një nga kandidatët më potencialë të listës së gjatë të konkurrimit. Shkëlqim Cani, ish-Ministri i Financave në qeverinë Rama 1. Lefterie Luzi, ish-kryetare e KQZ, Spartak Braho, deputet, Albana Dhimitri, ish-nën/kryetarja e Bashkisë Tiranë, ish-deputetja e PD-së, Liljana Elmazi, zv-ministri Eridian Salianji. Në këtë listë figurojnë edhe auditues aktualë të KLSH dhe dhe mjaft emra të tjerë si: Bajram Lamaj- ekonomist një nga drejtuesit e KLSH në vite, Muhamed Kavaja – Jurist, Behar Zeneli – Jurist, Rushan Nano dhe Alba Qirjazi, ekonomistë. Helga Vukaj ish-ministre, Bahri Shaqiri-këshilltar i presidentit, Bajram Mulaj, Lumtor Shkreli-Ekonomist, Ylber Karanxha, Petrit Fusha-prokuror, Eridian Salianji – Jurist, zv/ministër dhe përfaqësues i PS-së ne KQZ, Edmond Verçani-Ekonomist etj. Gjithsesi asgjë nuk është e sigurt për të gjithë këta emra të lakuar, pasi mundet që një pjesë të jenë tërhequr apo të ketë edhe emra të tjerë, ndaj pritet që zyrtarisht emrat të publikohen nga institucioni i presidencës. E rëndësishme është që brenda kësaj liste të pjesshme ka figura që kanë kontribuar ndër vite si në sistemin ekonomik dhe atë financiar të vendit.