Mazhoranca dhe opozita pritet të ulen në tavolinë për kushtet e zgjedhjeve të parakohshme dhe emrat për kryeministrin e qeverisë tranzitore

480
Sigal

Ndërkombëtarët po ulin në tavolinë mazhorancën dhe opozitën: Zgjidhja e pranueshme është zgjedhje të parakohshme parlamentare

Emrat e parë për kryeministër të qeverisë tranzitore. Ja kushtet

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama de fakto ka filluar fushatën elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht se në fasadë shkruan “Për Bashkinë që duam”. Më mirë se cilido, kryeministri Rama e kupton se është e pamundur që, të qeverisë me një parlament kukull, me gjithë diversionet që përdor për të copëtuar përfundimisht opozitën, duke emëruar “Opozitë të re” në parlament. Kryeministrin Rama, më shumë se çdo faktor tjetër, e tremb shumë ajo masë e madhe protestuesish, të cilët tashmë mblidhen sa herë përpara parlamentit. Faktori i dytë është se tashmë kancelaritë dhe presidencat më të mëdha të Evropës i kanë mbyllur dyert e negociatave, saqë ka më shumë se 1 vit, që asnjë kryeministër i vendeve të BE-së nuk e ka thirrur në takime dypalëshe, përveç presidentit ë Turqisë, Erdogan. Kryeministri Rama u përpoq disa herë muajt e fundit të kishte kontakte me kancelarinë e Merkel, por në mënyrë kategorike mori refuzimin, gjë që pasqyrohet shumë qartë edhe në kritikat e ashpra që media gjermane tashmë u kushton keqqeverisjes së kryeministrit Rama.

Bisedime shumëpalëshe në prapaskenë

Burime të mirinformuara për gazetën “Telegraf” pranë shtabeve politike të mazhorancës dhe opozitës bëjnë me dije, se po zhvillohen intensivisht bisedime në prapaskenë, me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dalë nga kriza e thellë politike. Palët kanë arritur në një përfundim të pranueshëm. Që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, të cilat do t’i drejtojë një qeveri tranzicioni me bazë të gjerë shoqërore dhe politike.

Temat dhe kushtet paraprake

Sipas të njëjtave burimeve të mirinformuara, bisedimet kanë arritur deri atë pikë, sa janë diskutuar edhe disa emra për kryeministër, të cilët janë edhe nga PS-ja, por edhe emra të personaliteteve jo politike, por që gëzojnë reputacion shoqëror. Një nga temat e bisedimeve janë edhe emrat e kandidatëve për kryebashkiakë, si edhe ata që do të jenë në komisionet e numërimit, në mënyrë ta atillë, që të shmangen njerëzit e indoktrinuar apo që influencohen nga krimi. Ngërçi i këtyre bisedimeve është data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Do të bëhen më përpara zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e pastaj ato lokale, që diskutohen të bëhen në fund të shtatorit? Të bëhen në një datë të dy zgjedhjet, parlamentare dhe lokale?

Kushtet e kryeministrit Rama

Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, pranë shtabeve politike të mazhorancës dhe opozitës, kryeministri Rama do të marrë nga ndërkombëtarët sigurinë që zgjedhjet parlamentare të bëhen brenda 45 ditëve nga data e zgjedhjes, duke qenë se PS-ja dhe ai vetë kanë muaj që praktikisht e kanë filluar fushatën elektorale, duke u takuar me popullin qytet më qytet. Por, nuk dihet nëse do të pranojë opozita këtë kusht. A do të mundet opozita të ketë garancitë dhe siguritë, që brenda 45 ditëve të sigurohen ato kushte të nevojshme, që zgjedhjet të jenë jashtë ndikimeve të shitblerjes së votës? Është e pamundur që një qeveri, cilado qoftë ajo, që brenda 45 ditëve të garantojë këto kushte, prandaj opozita do të kërkojë që qeveria transitore të ketë një kohëzgjatje disa mujore, për të parapërgatitur kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Aradha e ekspertëve të huaj

Ndërkombëtarët që janë palë e negociatave me palët politike në Shqipëri, nga ana e tyre, u kanë kërkuar mazhorancës dhe opozitës, që të pranojnë të futin në agjendën e bisedimeve dhe të negociatave edhe ardhjen në Shqipëri të 2-3 specialistëve, ekspertëve, të cilët do të negociojnë dhe do të vendosin për kushtet e zgjedhjeve dhe te modularëve të tjerë. Këta ekspertë do të jenë me ndikim evropian dhe amerikanë.

Problemi i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian

Dihet që në prill do të zhvillohen edhe zgjedhjet për në Parlamentin Evropian. Kjo është një nga vështirësitë që ndërkombëtarët nguten që marrëveshja midis palëve politike në Shqipëri të arrihet sa më parë, në mënyrë të tillë, që duke pranuar palët për një gjetje të pranueshme, Bashkimi Evropian të ketë mundësinë që të hapë negociatat me Shqipërinë në qershorin e 2019-s, sepse më vonë, me një parlament të ri evropian, ku, pritet që të ndryshohet edhe konfiguracioni politik, forca konservatore, me prirje nacionaliste e frymë antievropiane të mbizotërojnë në PE, atëherë, edhe për Shqipërinë do të vështirësohej edhe më shumë hapja e negociatave. Prandaj, nguten ndërkombëtarët. Vështirësia e negociatave është edhe se në cilën influencë politike do të ndahen ministritë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor. Mazhoranca do të kërkojë që t’i ketë ajo në ndikim, pavarësisht emrit të kryeministrit, opozita do të kërkojë që këto ministri, sikurse ministria e Brendshme, e Financës, etj, të jenë jashtë ndikimit partiak të PS-së.