Invalidët e KURUM: “Kjo kompani ka mbrojtje nga shteti”, i ndihmon Gjiknuri

516
Prej 2 ditësh 200 punëtorë të kompanisë turke të çelikut “KURUM”, në Elbasan janë larguar nga puna, pa asnjë paralajmërim.Plot 200 kryefamiljarë, që me pagën e tyre mbanin fëmijët dhe pjestarët e tjerë të familjes me bukë, gjenden të pashpresë për të ardhmen e tyre. Pavarsisht se kishin mbi 20 vjet që punonin në ish-kombinatin Metalurgjik, dhe shumica e tyre prej 15 vitesh punonin si skllevër tek KURUm, kjo e fundit i ka flakur në rrugë pa asnjë njoftim paraprak. Gjithçka sipas punëtorëve u bë tinëzisht, pas një vendimi të prerë, që i detyron ata të mos paraqiten asnjë sekondë në dyert e uzinës.
Punëtori invalid: Një jetë i kushtuam KURUM, tani na flak në rrugë
Sipas Bedriut, një prej punëtorëve që ka mbi 22 vjet që punon dhe ka mbetur së fundi edhe invalid nga puna e rëndë në kompaninë KURUM, “kompania turke e prodhimit të çelikut, na ka larguar nga puna me një vendim të papritur, jemi më shumë se 200 punonjës, me gjoja pretendimin se “nuk ka shitje dhe kompania është në vështirësi”, kurse ne kemi një jetë dhe kemi dhënë vitet tona më të bukura atje, ku edhe skllevërit nuk pranojnë të punojnë”. KURUM e mori vendimin për largimin nga puna të një numri të konsiderueshëm punonjësish, duke detyruar mbi 200 burra dhe djem të rinj të hidhen nga dje në protesta. Të mbështetur edhe nga Sindikata Metalurgëve, mbi 200 punëtorët e larguar kanë zhvilluar një protestë para ambjenteve të kompanisë KURUM, ndërkohë që deklaruan se “do t’i përshkallëzojnë protestat në rast të mos zgjidhjes se këtij problem”. 

Protesta masive

Punëtorët e flakur në rrugë sikur të ishin emigrantë, kërkuan nga Bashkia e qytetit, deputetët, Prefekti,Ministria e Mjedisit dhe dikasteret e tjera të qeverisë të marrin masa të menjëhershme, pasi qindra familje tashmë janë pa asnjë të ardhur për të jetuar, duke e shtuar edhe më tej krizën sociale që aktualisht ekziston në Elbasani”. Në protestën e nisur pa afat ka patur edhe punonjës, të cilët janë dëmtuar gjatë punës në këtë kompani, dhe që sot kanë mbetur invalidë. Duke treguar plagët, ata kanë deklaruar se “largimi ynë si invalidëve nga puna është i paligjshëm, KURUM ka shkelur ligjet tona, edhe pse sindikatat prej disa muajsh janë në negociata në Ministrinë e Punës për zgjidhjen e problemit me KURUM, duket se drejtuesit e kësaj kompanie nuk kanë ngurruar të marrin ndaj nesh vendime antiligjore”. Të shoqëruar edhe të afërmit dhe invalidët, mbi 200 punëtorë që protestuan para dyerve të KURUM për vite me radhë kanë punuar si skllevër me orë të zgjatura, natën e ditën, në kushte të rënda punë, vetëm për të ushqyer familjet e tyre. 

Ministri Gjiknuri hesht për të drejtat e punëtorëve, mbron interesat e KURUM

Prej 16 vitesh kompania turke KURUM, ka treguar se nuk zbaton ligjet e shtetit shqiptar, nuk zbaton Kodin e Punës, nuk zbaton akt-marrëveshjet e lidhura me Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Punës, Ministrinë Energjitike, dhe mjaft dikastere të tjera qeveritare, ndërkohë që veç trjatimit mesjetar të punëtorëve shqiptarë, ajo ka ndotur masivisht zonën rreth saj dhe pothuajse gjysmën e Elbasanit me gazrat dhe helmet që dalin nga oxhaqet e saj ditën dhe natën. Punëtorët pohojnë se ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri hesht ndaj halleve të tyre, ndoshta sepse ndihmon KURUM. Minsitri Gjiknuri është edhe deputet i qarkut të Elbasanit dhe e ka detyrim moral, kushtetues që të mbrojë edhe zgjedhësit që i besuan votën në 2013 dhe jo të mbrojë interesat e pronarëve turq. 

KURUM flak punëtorët shqiptarë, për të sjellë punëtorë turq në Elbasan

Por punëtorët e flakur në rrugë, kanë aluduar edhe për një strategji tjetër, ku ndoshta synohet pas largimit të tyre, ardhja edhe e 200 punëtorëve të rinj nga Turqia. Kjo, pasi, sipas punëtorëve të larguar “prej vitesh vazhdojnë të vijnë punëtorë turq, zënë banesa me qera në Elbasan, dhe marrin paga 2 herë më të larta se pagat tona, duke shkelur të gjitha ligjet, rregulloret, akt-marrëveshjet zyrtare”.Punëtorët e flakur në rrugë kërkuan nga deputetët e Elbasanit të ndodhen pranë halleve të tyre, të ngrenë zërin e tyre të mekur në Parlament, Bashkia e qytetit dhe Kryeministri Rama të marrin masa urgjente për normalizimin e situatës. Ata kërkuan nga Ministria e Mjedisit të ndalojë ndotjen e madhe që shkakton kjo kompani e huaj, e cila është kthyer si “pashallëk i paprekshëm” nga ligjet e këtij vendi. 
Sigal