Makarona turke, vaj bullgar dhe miell serb kulaç për zgjedhjet e 25 prillit

93
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Ëngjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf” 

Bashkitë dhe ‘patronazhistët’ kanë dorëzuar në zyrat e partisë, listat e hallexhinjve që jetojnë nën minimumin jetik të cilëve do t’iu shpërndahen pakot ushqimore apo do iu punësohen provizorisht pjesëtar të familjes. Masat për realizimin e aksionit, automjetet, grupet e shoqërimit, magazinat mundësisht shtetërore dhe  mbështetja nga policia e këtyre mjeteve.

“Projekti” i shitblerjes së votave në këmbim të miellit serb, vajit bullgar dhe makaronave turke ka nisur që  në zgjedhjet e  2017, dhe kjo strategji po realizohet në mënyrë më të prefeksionuar edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Kompanitë shqiptare pjesë e oligarkisë së Rilindjes , të cilat kanë zaptuar miliarda nga PPP, tenderat, privatizimet e pasurisë kombëtare, apo kanë bërë monopol ilaçet, check-up, analizat laboratorike, rindërtimet, vaksinat, kioskat, shkollat, universitetet, zonat turistike të bregdetit, portet, aeroportet,minierat, qendrat tregtare dhe gjithçka që prodhon para. Pikërisht magazinat e këtyre kompanive po nisin fugonat nëpër lagjet e qyteteve, fshatrave, ambientet e shkollave, sallat e bashkive ( Berat), magazinat e rezervave shtetërore, të magazinave të zjarrëfikëseve si në rastin e Gjirokastrës  etj. Pothuajse të gjitha qytetet si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Korça, Fieri, Lezha, Dibra janë mobilizuar për të joshur ‘fakir-fukarenjtë’ me disa shishe vaji dhe disa pako miell deri sa t’u marrin votat ditën e dielë. Ka edhe raste të dhënies së parave me lista, disa prej të cilëve janë kapur nga qytetarët e opozitës, por jo nga shteti dhe policia, e cila e ka për mision, ndalimin e dhënies së ushqimeve apo ryshfetin në këmbim të votës. Këto produkte ushqimore të cilat nuk do të jenë të vetmet që do të përdoren për të mbledhur vota nga hallexhinjtë, do t’u jepen mijëra familjeve, të cilat jetojnë nën minimumin jetik. Dhe me fillimin e fushatës janë marrë të gjithë masat e realizimit të këtij aksioni, janë përcaktuar automjetet, grupet dhe shoqëruesit që do t’i shpërndajnë në çdo zone.

Një ndër “aksesorët” shumë të rëndësishëm të kësaj fushate do të jetë padyshim edhe përqendrimi dhe pastaj ndarja sipas “meritës” e vlerave monetare dhe materiale nga shtabet elektorale. Qindra ton miell serb dhe vaj ardhur nga Bullgaria dhe makarona nga Turqia, po mbushin ditët e fundit magazinat në periferinë e Elbasanit, (dhe mjaft qyteteve të tjera), të cilat do të përdoren nga personat e caktuar nga shtabet elektorale për t’i ndarë në “popull”.

Burime të besueshme deklarojnë se ashtu si në zgjedhjet e kaluara  edhe për zgjedhjet e 25 prillit 2021, janë lidhur kontratat nga  firma shqiptare me  kompani serbe të tregtimit të miellit dhe ato  bullgare e turke për vaji ushqimor dhe makarona, ndërsa ka nisur ardhja e sasisë të parë të mallit, duke u sistemuar në disa depo në periferinë e qytetit. E njëjta gjë po ndodh në Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin, Berat, Tiranë, Korçë, Durrës,  ku “Rilindja” ka vendosur që veç mënyrës së vjetër (parave) t’u ndajë edhe miell serb dhe vaj bullgar dhe makarrona turke, “votuesve” të saj. Padyshim që do të duhen sasi të jashtëzakonshme, derisa të arrijë synimin e saj për të rimarrë pushtetin, ndaj nga frika e dekospirimit, një pjese të konsiderueshme të militantëve dhe që ‘Rilindja’ i quan “patronazhist” por që populli i quan fuksa apo hafije, u janë premtuar punësime për veten e tyre, ose familjarve, leje ndërtimi, kioska  etj.

Por le të kthehemi tek depot me miell serb, vaj ushqimor bullgar dhe makarona turke. I njëjti burim tha se “mallrat”, nuk kanë atë rregullsi ligjore siç e kanë mallrat e tjera që vijnë nga këto shtete, pa u shoqëruar nga dokumentacion zyrtar apo fletë-analize, dhe duke mbartur etiketa të dyshimta. Madje edhe furgonat e kapur  me ushqime, apo ato të magazinuara në ambjentet shtetërore si në zjarrëfikset e Gjirokastrës, zyrat arsimore në Berat, njësitë vendore në Tiranë, qendrat tregtare dhe ato fetaro-arabe në Elbasan etj. Kjo do të thotë se e gjithë sasia e miellit, vajit, makeronave dhe ndonjë tjetër produkt ushqimor, do t’u ndahet qindra familjeve, të cilat jetojnë nën minimumin jetik, ata që jetojnë me 150 lekë në ditë, dhe thesi i miellit serb dhe bidonët e vajit bullgar, dhe makarronat turke do t’u duken pasuria më e madhe. “Rilindja” ka pajtuar madje edhe një tabor me automjete; si furgonë, kamionë etj, të cilat, sapo të njoftohen do të jenë të gatshëm të nisen drejt destinacioneve të fushatës, të shoqëruar nga persona të besueshëm, punonjës policie por gjithmonë porositen që të mos bien prehë e kamerave të fshehta të qytetarve.

Selitë e “Rilindjes”  janë kthyer në zyra punësimi me premtime të shumta

Paralelisht me mbushjen   e depove me “zairetë e fushatës”, ka disa javë që selitë e “Rilindjes” në të gjitha qarqet e vendit por sidomos në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier, Elbasanin, Lezhë, Gjirokastër janë kthyer në “Zyra Punësimi”. Kjo duket tek zhvendosja e krejt aktivitetit zyrtar dhe institucional të drejtuesve, duke i kthyer selitë mavi në zyra pritje për hallexhinjtë, militantët e harruar, fukarenjtë, etj. Një militant socialist që dikur ka punuar në uzinën Kurum dhe sot është i papunë u shpreh i indinjuar tek pyetet për mundësinë e gjetjes së ndonjë vendi pune me afrimin e fushatës. Ai tha se “tani u kujtuan për vende pune milionerët e “Rilindjes”, tani kur ne u katandisëm si mos më keq, por duket se u ka ardhur vakti të marrin votat tona, mashtrojnë me miell, vaj, makarona dhe gjoja vende pune, por nuk u besojmë edhe sikur të mbetemi pa bukën e gojës”. Por e habitshme mbetet diçka tjetër. Tek selia e “Rilindjes” kanë nisur të afrohen përkrahësit e PSD, ndoshta po joshen nga mielli serb dhe vaji bullgar, apo gjetja e ndonjë vendi pune para fushate. Dhe e vërteta është se militantët dhe elektorati të PSD, po shihen me një sy tjetër edhe nga selitë e “Rilindjes”,

“Rilindja”, porosi bashkive të saj: Caktoni si qendra votimi, vende të besuara

Burime brenda kupolës drejtuese të “rilindjes”, bëjnë me dije se gjithë kryetarëve të bashkive që drejtohen nga “rilindës”, u është dërguar porosi konfidenciale, në lidhje me caktimin e qendrave të votimeve e numërimeve. Porosia e dhënë, faktikisht është dhënë si “urdhër”, të cilin krerët e bashkive duhet ta zbatojnë sa më shpejt, duke bashkëpunuar po në “ilegalitet” edhe me përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ në  KQZ, të  cilët si “besnik” të emëruar në atë detyrë po nga “Rilindja kanë marrë gjithashtu urdhërin që të miratojnë çdo propozim që do të bëjnë bashkitë që drejtohen të gjitha nga PS, lidhur me vendet që do jenë qendra votimi, zyra komisionerësh, e qendra numërimi.