Luan Rama : Deklaratat për LSI, tentativë e kryeministrit për të krijuar përçarje, LSI në jo pak raste dominuese në arenën politike

141
Sigal

Në një intervistë televizive, Luan Rama është shprehur se jo në pak raste LSI ka qenë dominuese në arenën politike.

Pjesë nga intervista :

Gazetarja: Rama ka bërë gjithmonë sulme ndaj opozitë për të sjellë përçarjes mes PD dhe LSI. Këtë herë Rama quan tradhtar Lulzim Bashën për prishjen e marrëveshjes. Ju e keni ndjerë, i dini këto informacione që realisht ka pasur një plan të tillë?

Luan Rama: Dhatë një mori temash dhe në pyetjen tuaj, prekët disa çështje. Në thelb, ka pasur, ka dhe do të ketë përpjekjet të Edi Ramës për të krijuar përçarje. Në fakt e gjithë ajo që ne dëgjuam është një përçartje. Një kryeministër nuk mund të shprehet në këtë mënyrë. LSI masa e njerëzve që janë anëtarë, votuesve, mbështetësve janë qytetarë të këtij vendi dhe ai është kryeministër për të gjithë, pavarësisht si është votuar. E dyta, LSI është një forcë politike e realitetit shqiptar, është pjesë e mozaikut shumëngjyrësh të politikës shqiptare dhe falë faktorizimit që ka prej mbështetjes së qytetarëve është një faktor influent, përcaktues dhe jo në pak raste, dominues në politikën shqiptare. E them përcaktuar në mënyrën e përcaktimit të maxhorancave dhe balancave qeverisëse. E nga kjo pikëpamje, prap një kryeministër i përgjegjshëm, nuk do të mund ta thoshte dot këtë shprehje në asnjë vend tjetër demokratik të botës moderne, sepse më e pakta do të quhej i çmendur.
Gazetarja: Çfarë ka për të çmendur…
Rama: Faktorizimin politik nuk e përcaktojnë as vullnetet individuale, kurthet apo paktet imorale në kthina apo skuta në mendjen e Ramës apo kujdo tjetër që është në të njëjtën frekuencë me të. Faktorizimin politik e përcaktojnë qytetarët dhe kryeministri nuk mund ti provokojë qytetarët, qofshin parti edhe me 100 mbështetës, jo më një faktor politik si LSI.
Gazetarja: E quajtët një përçartje të çmendur. Ju e përjashtoni 100% mundësinë mes Ramës e Bashës të ketë pasur pakt për të minimizuar apo shpërbërë LSI…
Rama: Edi Rama do të bënte pakt edhe me djallin për të ç’bërë LSI. Kjo nuk është në dorën e tij. Nuk më intereson fare, çfarë pakti ka bërë Rama me Bashën. Më intereson dhe kjo është e rëndësishme për shqiptarët, që në 25 ata do të ballafaqohen me produktin qeverisës, me çfarë ka bërë qeveria. Ju e patë që ai nuk ka asnjë program për 4 vitet që vijnë. Mirë në 2017 refreni i tij ishte, tepsia, kusia, LSI. E shtyu 4 vite, prap me LSI kërkon të mbulojë dështimet, përgjegjësitë në qeverisje. Rama nuk e ka problemin me LSI, por me Shqipërinë. Ajo që ju dhanë në sinkron edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve, tërheqja e vëmendjes, përfshirja e kriminelëve apo njerëzve me precedentë penalë në listat e Ramës janë problemi dhe kostoja e madhe që ai i ka krijuar Shqipërisë. Ai e ka gjyqin me Shqipërinë. LSI është në pjesën e vet të diellit, me anëtarët, mbështetësit e vet edhe me gabimet që ka bërë LSI është në gjykimin e qytetarëve.
Gazetarja: Po ju rrit valencën meqë ju përmend dhe sulmon Edi Rama. Sepse ne e dimë që nuk ka reklamë të keqe …
Rama: Po të kujtojmë zgjedhjet e vitit 2017, e gjithë makina propagandistike, edhe orgazmimi publik i tij, ishte i fokusuar kundër LSI. Edhe PD ishte kundër LSI. Ishin të gjithë kundër LSI. E çfarë rezultoi. LSI jo vetëm e përballoi dhe dominoi luftën e pamoralshme të të gjithëve, por doli më e fortë, më e rritur nga çfarë parashikoi Rama apo qoftë edhe ëndërra e tij për ta shndërruar LSI në skrap.
Gazetarja: E përjashtoni ju çfarë do lloj mundësie që të vazhdojë të ekzistojë një marrëveshje mes Ramës e Bashës kundër LSI…
Rama: E përjashtoj sepse jam i bindur, e njoh nga afër dhe jam pjesë e gjithë angazhimit qytetar, opozitar i cili është fokusuar me një target; të çlirojë Shqipërinë nga Edi Rama, nga kthetrat e një pushteti kriminal dhe të korruptuar që simbolizohet në atë psikologji, gjuhë urrejtje, sindromë komplekse inferioriteti dhe shenje frike, sepse kështu janë shenjat. Nëse është ashtu siç thotë ai dhe siç thonë eunukët që kanë pas vetes, se i kam dëgjuar që thonë LSI po shpërbëhet, po ikin te PS, andej e këndej. Nëse është kështu, çfarë problemi ka Rama që merret me LSI. Le ta lërë në rrjedhën e vet të shpërbërjes. Por ai e di shumë mirë që nuk është kështu, ai e di shumë mirë që siç ka ndodhur në 2007, 2009, 2011, kur falë LSI e përzumë nga Bashkia, siç ndodhi në 2013 që falë një gabimi të LSI u krijua koalicioni me të dhe e sollëm në pushtet, prap LSI do të jetë ajo që do e largojë nga pushteti dhe do të krijojë tek shqiptarët më në fund normalitetin në rrugën e integrimit evropian.
Gazetarja: E keni parashikuar ose planifikuar një ‘tradhëti’ nga Basha apo PD, gjithmonë në varësi të rezultateve të 25 prillit … Pas ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor nga Rama, opozita del me dy lista, njëra prej të cilave e LSI. Kjo ndarje në 25 prill mund të jetë një trampolinë që pas rezultateve PD të ju thojë lamtumirë…
Rama: Ndarja e listave është një proces, element i konjukturës elektorale për të bërë të mundur, krijimin e një fronti sa më të gjerë, shumë planësh, agresiv ndaj pushtetit dhe për të bërë të mundur që çdo qytetar shqiptar edhe ata që nuk e gjejnë veten në kauzën e PD, por që janë kundër pushtetit ta gjejnë veten në kauzën e LSI, që është kauza e qytetarëve shqiptarë për të larguar nga pushteti këtë kastë kriminale e korruptive.
Gazetarja: Basha aleatët klasikë i mblodhi rreth vetes, praktikisht ju jeni vetëm …
Rama: Kjo nuk ndodh për herë të parë. E gjitha kjo që ne po bëjmë është pjesë e një vendimi të sinkronizuar të të gjithë frontit opozitar. E dyta, nuk bëj orakullin për të parashikuar fatin e askujt. Për shkak të përllogaritjeve politike, që nuk janë veç përllogaritje, por janë mishërimi i realitetit politik dhe faktik të shoqërisë shqiptare, unë nuk besoj që pjesa tjetër e opozitës, PD, e aq më tepër kryetari i saj të bëjnë gjithë këtë luftë, të kenë bërë tërë atë sakrificë, rezistencë dhe luftë opozitare që arriti kulmin me djegien e mandateve për tu bërë pastaj pre e prehrit të Edi Ramës. Kjo do të ishte një vetëvrasje politike dhe unë nuk e mendoj kurrë e aq më tepër duke patur parasysh kauzën opozitare, angazhimin dhe vëtë angazhimin shumë korrekt dhe me vizion të vetë Lulzim Bashës.