Momente prekëse në homazhet për mjekun Muharrem Nonaj, kortezhi mortor ndalon në spitalin ku shërbeu për 45 vjet

399
Sigal

Ditën e sotme qyteti i Çorovodës i ka dhënë lamtumirën mjekut të njohur Muharrem Nonaj. Mijëra qytetarë dhe zyrtarë të lartë të shtetit morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar për mjekun që u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.

Një nga momente më prekëse të homazheve ishte ndalimi i kortezhit mortor në spitalin e qytetit të Çorovodës, ku Muharrem Nonaj shërbeu me përkushtim për më shumë se 45 vite.

Mjekë, infermierë dhe personeli i këtij spitali kanë përshëndetur për herë të fundit kolegun dhe mikun e tyre.

Dr. Muharrem Nonaj, i cili shërbeu deri ditën e fundit për qytetarët, nuk mundi ta fitonte betejën me Covid-19. Ai punoi në rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet. Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin një figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit.

Dëshmi e punës së tij dhe respektit të veçantë që kishte krijuar në gjithë qarkun e Beratit ishte pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në ceremoninë e lamtumirës.