LRI depoziton në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit një paketë propozimesh për përmirësimin e Maturës Shtetërore

475
Lëvizja Rinore për Integrim ka depozituar një kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ku kërkon përmirësimin e procedurës së Maturës Shtetërore.

Sipas kësaj kërkese, theksohet rëndësia e zgjidhjes së problematikave që janë shfaqur në Maturën Shtetërore pasi kjo procedurë ka pësuar ndryshme të vazhdueshme duke i bërë maturantët të ndjehen jo të sigurt dhe të paqartë.

Lëvizja Rinore për Integrim synon që nëpërmjet këtyre propozimeve të krijohet një Maturë Shtetërore gjithëpërfshirëse ku të mbizotërojë meritokracia dhe transparenca në mënyrë që të ofrojë shanse të barabarta për çdo maturant.

Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, duke folur pas deponimit të paketës me propozimet për përmirësimin e Maturës Shtetërore tha se kjo është një nismë për të sjellë një ndryshim në sistemin tonë arsimor, që ka trajtuar në mënyrë të padrejtë maturantët tanë ndër vite. 

“Në vend të pengesave ne duhet të krijojmë më shumë shanse për edukimin, shanse për të ofruar një edukim më të mirë për të gjithë maturantët tanë, duke u ofruar kështu një punë të paguar më mirë, për familjet e tyre për veten e tyre dhe për jetën e tyre. Ne duam të falënderojmë deputet e grupit parlamentar të LSI-së, Monika Kryemadhi dhe Silva Cakën, të cilat na kanë mbështetur në këtë nisëm që kërkon një përmirësim të kushteve në të gjitha shkollat anembanë vendit”, – tha Kërpaçi, duke theksuar: – “Znj. Nora Malajn, Zv.Ministren e Arsimit, e cila ka në fokusin e saj të përditshëm përmirësimin e sistemit të Maturës Shtetërore dhe ndër vite ka punuar me mijëra maturantë dhe në veçanti deputet më të re të Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, e cila ka qenë gjithmonë zëri i të rinjve në parlament. Arsimi është çelësi i zhvillimit dhe i progresit të një vendi, ndaj problematikat e arsimit kanë qenë në fokus të kauzave tona. vetëm edukimi i brezave të rinj dhe fuqizimi përmes punësimit të tyre me paga më të larta e dinjitoze mund ta zhvillojë vendin tonë modest”, – deklaroi Kryetarja e LRI-së, Kërpaçi. 

Këto propozime të LRI-së vijnë pas bashkëbisedimeve të hapura dhe konsultave me maturantët, ku është diskutuar dhe janë dhanë sugjerime apo propozime mbi Maturën Shtetërore. 
Tiranë, më 20 shkurt 2017
Lënda: Paketë propozimesh për Maturën Shtetërore

Drejtuar: Znj. Lindita Nikolla, Ministër i Arsimit dhe Sportit.

Për dijeni: Znj. Nora Malaj, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit.
 
E nderuar Znj. Ministre,
Po ju drejtojmë këtë letër me qëllim paraqitjen e propozimeve tona në lidhje me procedurat e Maturës Shtetërore dhe aplikimet në universitete. Arsimi është çelësi i zhvillimit dhe progresit të një vendi, ndaj problematikat e tij kanë qenë gjithmonë në qendër të kauzave tona. 
Matura Shtetërore ndër vite ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, duke i bërë maturantët të ndjehen jo të sigurt dhe të paqartë për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre. Ajo që ne synojmë është një Maturë Shtetërore gjithëpërfshirëse, ku mbizotëron meritokracia dhe transparenca e që ofron shanse të barabarta për çdo maturant. 
Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ne kemi zhvilluar diskutime të shumta me maturantët nga ku kemi dalë në një paketë propozimesh si më poshtë:
Ne kërkojmë që çdo gjimnaz të ketë zyrë funksionale të Këshillimit të Karrierës.
Të ndërmerren fushata informuese në lidhje me procedurën e aplikimit dhe kriteret e vendosura nga universitet publike në çdo gjimnaz të Republikës së Shqipërisë.
Ne kërkojmë të realizohen bashkëbisedime dhe fushata informuese me prindërit në lidhje me Maturën Shtetërore dhe kriteret në fakultete.
Në çdo gjimnaz të ngrihen stenda përkatëse për informimin e vazhdueshëm të maturantëve në lidhje me procedurat e Maturës dhe aplikimin në fakultete. 
Ti rekomandohet Universiteteve përkatëse që provimi ‘TOEFL Junior’ me zgjedhje të njihet në provimet hyrëse në fakultetet e integruara 5-vjeçare.
Të vendosen koeficientet për shkollat duke u bazuar në rankimin e gjimnazeve në Kartën e Performancës së Ministrisë së Arsimit.
Praktikat dhe modulet në shkollat profesionale të vlerësohen me notë në bazë të krediteve përkatëse dhe të jenë pjesë e mesatares së 4 viteve.
Gjimnazi profesional të ketë një koeficient që i jep prioritet në degët simotra universitare.
Ministria të nxisë arsimin profesional dyvjeçar për gjimnazistët që nuk kanë pasur mundësi të ndjekin shkollën e lartë. 
Tezat e provimeve të maturës shtetërore te jenë të konceptuara në bazë të programit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në të tre formularët e aplikimit A1, A2, A3, të përfshihen vetëm universitetet publike dhe për ata që duan të aplikojnë në universitetet jo publike të paraqiten pranë universitetit përkatës, meqenëse skema e financimit të universiteteve nuk është implementuar ende. 
Kriteret e vendosura nga fakultetet të përfshijnë vetëm lëndë të kurrikulës bazë dhe jo lëndë të kurrikulës së avancuar apo asaj me zgjedhje, duke anashkaluar në këtë mënyrë pikët 0 dhe duke qenë më të drejtë me maturantin. 
Procesi i aplikimit për degët e universiteteve të kaloj në tre faza:
Për të shmangur zënien e kuotave dhe situatën kaotike të krijuar vitin e kaluar ne propozojmë që për këtë fazë maturanti të ketë të drejtë të zgjedhë deri në 3 degë.
Në këtë fazë maturanti të ketë të drejtë të zgjedhë deri në 5 degë.
Në këtë fazë maturanti të ketë të drejtë të zgjedhë deri në 5 degë.
Ne kërkojmë transparencë të plotë për tarifat e fakulteteve përkatëse, në momentin kur maturanti aplikon. Gjithashtu, janë të nevojshme dhe informacionet për bursat dhe përjashtimet nga tarifat shkollore te kategorive të ndryshme.
Të krijohet një komision vlerësimi për kontrollimin e stafit që do të bëjë korrigjimin e provimeve të maturës.
Ne kërkojmë që administrimi i procesit të Maturës Shtetërore të jetë korrekt, transparent dhe të ofrojë shanse të barabarta për të gjithë maturantët në Shqipëri.
Shpresojmë që propozimet tona të merren parasysh. 
Me respekt, 
Floida Kërpaçi
Kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim


Sigal