Lirimi i banesave, kryebashkiakët e PS-së: Duhet drejtësi sociale

476
Sigal

Akti normativ për lërimin e banesave miratohet në Komisionin e Ligjeve nga maxhoranca, kundërshtohet nga opozita

Socialistët shprehen kundër aktit normativ të qeverisë për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, i miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve. Kjo ka qenë edhe tema kryesore e mbledhjes së  grupit kuvendor të PS-së, ku ishin të pranishëm edhe kryetarët e bashkive të Durrësit dhe Korçës. Vangjush Dako dhe Niko Peleshi kërkuan që deputetët socialistë të mos e votojnë aktin normativ në Kuvend, pasi sipas tyre një problem i 20 viteve nuk mund të zgjidhet në pak ditë.

Vangjush Dako: “Mos e votoni, si detyrim ndaj qytetarëve”

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, ndër të tjera tha: “Kërkojmë që të mos e votoni aktin normativ, jo thjesht për kredo politike, por detyrim ndaj qytetarëve që na kanë votuar, pasi gjykata e ka rrëzuar këtë akt normativ”- deklaroi Dako. Sipas tij, duhet politikë e qartë për strehimin, pasi ky akt normativ është një zgjidhje e njëanshme që fut në konflikt të dyja palët.”

Niko Peleshi: “Bashkitë i kanë asetet të zgjidhin problemin social”

 Edhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, argumentoi që bashkitë i kanë mundësitë që ta zgjidhin këtë problem, por kanë hasur kundërshtimin e qeverisë. “Kemi ardhur t’ju themi me shumë përgjegjësi bazuar në studimet tona profesionale që zerimi i interesit të kredisë nuk është zgjidhje për këtë kategori sociale, por është një gënjeshtër.  Zgjidhja do të ishte një formulë, e cila bazohet në një nga vlerat që Partia Socialiste ka dhe ne ndaj kemi ardhur ta ndajmë këtu këtë shqetësim që është drejtësia sociale. Drejtësi sociale do të thotë që edhe këto mijëra familje që sot akoma nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit të trajtohen njëlloj siç u trajtuan mbi 200 mijë familje në vitet ’90. Bashkitë tona sot kanë asete, kanë troje publike i kanë të gjitha mundësitë që edhe me mbështetjen e linjave të kredisë të cilat nga një anë me ligj na lejohen, pra huamarrja vendore është e lejuar me ligj, por nga ana tjetër është e bllokuar me disa urdhra të ministrit përkatës. Nëse të gjitha këto zhbllokohen, nëse pushteti lokal do të ketë pjesën e vet të borxhit publik dhe nuk do të mbetet i fundit në radhë. Që ta dini ne na është mbyllur dera pasi qeveria thotë borxhi publik ka arritur limitin e vet ligjor ndaj dhe për ju nuk ka më hapësirë”

Edi Rama: “Do të mbështesin të drejtat e qytetarëve që do të nxirren nga shtëpitë”

Kryetari i PS-së, Edi Rama mbështeti shqetësimin e kryetarëve të bashkive dhe garantoi pronarët se “PS është e qartë dhe e prerë në vizionin dhe programin e saj për njohjen dhe  vënien në vend të të drejtave të tyre të mohuara për 20 vjet”.