Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim të përzemërt një grup studentësh nga Sanxhaku, të cilët ndodhen për një vizitë disaditore në Shqipëri

263

Pasi u uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Meta e vlerësoi kontributin e tyre, shumë të vlefshëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Sanxhakut dhe Serbisë.

“Kënaqësi e veçantë t’ju pres në Institucionin e Presidentit dhe të zhvilloj me ju këtë bashkëbisedim. Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të punojmë fort për intensifikimin e marrëdhënieve mes popujve dhe vendeve tona, veçanërisht në drejtim të turizmit, të arsimit e kulturës, shkëmbimeve studentore apo edhe bashkëpunimit të shoqërisë civile. Ju inkurajoj, që së bashku me të rinjtë e tjerë në rajon, pavarësisht kombësive, të bëheni promotorë të integrimeve europiane dhe të proceseve demokratike në vendet ku jetoni”, – theksoi Presidenti Meta.

“Bashkëpunimi i të rinjve në mënyrë të hapur e krijuese është investimi më i mirë për një rajon në paqe, më të sigurt dhe më të begatë”, – tha ndër të tjera Presidenti Meta gjatë takimit.