Qeveria po e përdor si “kalë beteje” lirimin e banesave

467
Sigal

Intervista/ Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myshit Vorpsi, për lirimin e banesave

 

Përfaqësuesi i i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myshit Vorpsi lirimin e shtëpive të pronarëve e sheh si një gjë pozitive, por kërkon që kjo mos të përdoret për qëllime elektorale. Në një intervistë për “Telegraf” ai ka kërkuar që mos të përdoret më politikisht çështja e pronarëve, por t’i jepet një zgjidhje.

 

-Zoti Vorpsi është miratuar akti që duhet të lirohen shtëpitë e pronarëve deri në datën 1 nëntor.  A e shihni të mundur këtë ju,  a është afati i mjaftueshëm?

-Kjo i mbetet qeverisë dhe ajo duhet ta dijë nëse është koha e mjaftueshme për lirimin e banesave të pronarëve deri në datën 1 nëntor. Por urojmë që kjo mos të përdoret nga palët politike e kryesisht nga maxhoranca për fushatë elektorale. Pasi mjaft janë tërhequr zvarrë pronarët po bëjnë gati 20 vjet, që nuk janë zgjedhur çështjet e tyre. Urojmë që kjo mos të përdoret më politikisht.

-Opozita ka ngritur shqetësimin që pronarët që do të marrin shtëpinë nga lirimi i banesave duhet të lirojnë shtëpinë që kanë pasur deri më tani. Ju si e shihni këtë?

-Po, kjo ka qenë e parashikuar në ligjin 7698 të vitit 1993, ku thuhet që shtëpia do të kthehet në momentin që ka fituar të drejtën e një banese. Sidoqoftë unë dua të them diçka që në momentin që do të politizohet ajo nuk ka zgjidhje. Ne nuk duam që lirimi i banesave të përdoret si kalë beteje për fushatë elektorale, pronarët nuk e duan këtë. Ata duan një zgjidhje ligjore, që do të thotë të lirohen shtëpitë e tyre. Nuk e kuptoj që kjo çështje të politizohet, nëse palët politike duan këtë në po u themi që është gabim. Kjo është një çështje e së drejtës dhe si e tillë duhet të zbatohet. Kjo po politizohet sepse e ka zgjedhur si kalë betejë për fushatë elektorale. E ka gabim si maxhoranca që do të bëjë fushatë elektorale, po ashtu edhe opozita që kërkon të bëjë fushatë duke dalë në mbrojtje atyre që jetojnë në shtëpitë e pronarëve. Të dyja palët e kanë gabim. Por unë kam dhe një shqetësim tjetër që lidhet më shumë me mediat.

-Cili është shqetësimi juaj që ka të bëjë me mediat?

-Po, shqetësimi im ka të bëjë me faktin që si mediat vizive dhe mediat e shkruara na cilësojnë si ish pronarë dhe ky është një term i gabuar. Ne kemi 17 vjet që jemi pronarë dhe që kemi titullin e pronësisë për banesat. Pra ne jemi pronarë dhe nuk mund të cilësohemi ish pronarë, është një cinizëm i tejskajshëm.

-Po në ligjin e tanishëm a është e parashikuar që pronari që ka pasur një shtëpi duhet ta lërë atë shtëpi dhe të marrë shtëpinë që do i lirohet?

-E ka parashikuar që në vitin 1993 ligji se si mund të veprohet në këtë rast. Ndërsa në ligjin e tanishëm nuk është e parashikuar. Por është turp për palët politike që duan të marrin vota nga kjo situatë.

-Sa është numri real i banesave që duhet të lirohen?

-Janë 3300 familje që jetojnë në shtëpitë e pronarëve dhe që kërkojnë që të legjitimohen, ndërkohë që janë mbi 10000 pronarë që kërkojnë që të lirohen shtëpitë e tyre.

 

__________________________________________________________________________________

MYFTAR KURTI: LIGJI I TANISHËM PËR LIRIMIN E BANESAVE, KA ÇËSHTJE TË PAZGJIDHSHME

Kreu i shoqatës së familjeve që banojnë në shtëpi ish pronarësh, Myftar Kurti, në një prononcim për “Telegraf” për pronarët që do të marrin një shtëpi dhe që kanë dhe një shtëpi tjetër në përdorim ka thënë se: “Është një kauzë që nuk është parashikuar në ligjin e tanishëm. Edhe pse duhet të them që pronarët shtëpinë e kanë fituar që me ligjin e atëhershëm, ndërsa tani duhet të marrë banesën që i ka dhënë ligji dhe që ai e ka të trashëguar. Pra duhet ti mbajë të dyja banesat”. Ndërsa në lidhje me të ardhmen e personave që duhet të lirojnë shtëpinë ka thënë se: “Ndërsa ne i bie që shteti të na çojë në azile dhe të pushtojmë ndonjë godinë të institucioneve për të futur kokën, sepse Bashkia e Durrësit ka vetëm 48 apartamente të pashpërndara edhe këto për tre vjet, e nuk dihet kur do të shpërndahen”.