Liria e medias në Shqipëri përkeqësohet nga sulmet e politikanëve, ja raporti

446
Sigal

Një raport i platformës së Këshillit të Europës për mbrojtjen e gazetarëve thekson se situata duket se është përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit 2019 si pasojë e ligjit të medias dhe sulmeve të politikanëve kundër gazetarëve.

Gazetarët në për shumë vende në Europën Lindore, Ballkan dhe, gjithnjë e më shumë, edhe në Europën Perëndimore u përballën me një numër në rritje kërcënimesh, sulmesh dhe burgosjesh gjatë vitit 2019, sipas një raporti Platformës së Këshillit të Europës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarëve dhe Sigurisë së Gazetarëve, raport që u prezantua të Mërkurën nga 14 organizata ndërkombëtare të lirisë së medias që janë pjesë e platformës.

Për herë të parë, Shqipëria mori një kapitull të veçantë në seksionin e vendeve veçanërisht shqetësuese për platformën, krahas vendeve të tilla të njohura për dhunimin e të drejtave të njeriut si Rusia, Azerbajxhani apo Turqia.

Me titullin: ‘”Sulmet kundër medias në Europë nuk duhet të bëhen normale”, raporti vëren se ka pasur rreth 140 ngjarje shqetësuese të raportuara në platformë gjatë vitit 2019, përfshirë 103 nga Turqia, 21 nga Serbia dhe 11 nga Shqipëria.

Një ligj kontravers që synonte goditjen e medias online në Shqipëri dhe që u propozua nga kryeministri Edi Rama vitin e kaluar, mbyllja e emisioneve të fundit kritike ndaj qeverisë në televizionet shqiptare dhe sulmet ndaj gazetarëve nga zyrtarët publikë, përfshirë kryeministrin dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha i dhanë Shqipërisë një kapitull të veçantë në raport si vend veçanërisht problematik.

Ndryshimi tjetër në raportin e këtij viti ishte përfshirja e praktikës SLAPP si shqetësim madhor. Nën këtë term përmblidhen paditë që zyrtarët dhe korporatat ngrenë kundër gazetarëve apo aktivistëve në të cilat pretendentët përdorin fuqinë e tyre financiare për të zvarritur kritikët nëpër procese të gjata gjyqësore me synimin për t’i dhënë një mesazh të tjerëve dhe për të shtyrë të tjerët të ushtrojnë vetë-censurë.

“Ka pasur një kërcënim në rritje nga sulmet gjyqësore kundër gazetarëve. Ne përfshimë SLAPP si shqetësim i veçantë për herë të parë,” deklaroi Sarah Clarke nga Article 19.

Gjithsesi, pandemia e koronavirusit të ri shkaktoi një gamë të re shqetësimesh për lirinë e medias.

Scott Griffen, nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, tha se kishte një përpjekje sistematike nga shumë qeveri për të kontrolluar narativën e pandemisë.

“Hungaria kriminalizoi shpërndarjen e “fakteve çorientuese”, deklaroi Griffen, duke e komentuar këtë si një plan për të “kriminalizuar gazetarinë”.

Deri tani ka pasur arrestime në Turqi, Azerbajxhan dhe Serbi mbi raportimet në lidhje me përhapjen e koronavirusit të ri.

Ricardo Gutierrez, Sekretar i Përgjtihshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve theksoi se kolapsi i të ardhurave të medias nga reklama nëpër Europë për shkak të pandemisë ka nxjerrë të papunë mijëra gazetarë dhe ka lënë krejtësisht pa të ardhura dhjetëramijëra të tjerë që janë në profesion të lirë.

“COVID-10 po shkakton një kolaps botëror të lirisë së medias,” deklaroi Gutierrez.

William Horsley nga Shoqata e Gazetarëve Europianë theksoi se problemet e pronësisë së medias po përkeqësohen nëpër të gjithë kontinentin dhe nxiti vendet anëtare të BE-së të jenë “veçanërisht të rrepta me standardet e veta”.

“Ka një zhvendosje në rritje të pronësisë së medias drejt qeverive apo partnerëve të qeverive, të të ashtuquajturve oligarkë,” deklaroi Horseley.

Bulgaria është veçuar në raport si një nga vendet ku media është kapur nga oligarkët. “Një pjesë e madhe e shpërndarjes së gazetave në vend është nën kontrollin e një konglomerati të vetëm, nën pronësinë e një politikani. Gazetarët dhe mediat e pavarura rregullisht kërcënohen personalisht apo online,” vëren raporti.

Turqia ka aktualisht 91 nga 135 gazetarët e burgosur ose në paraburgim.

Sipas Scott Griffen nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, “ka një rrezik real që media e pavarur nuk do të ekzistojë më pas kësaj krize”.