Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë/ Shoqëria civile kërkon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje

313
Sigal

Tejzgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe të masave kufizuese ka ndikuar në shtimin e mungesës së informacionit dhe shkallës së përfshirjes së shoqërisë civile në procesin vendimmarrës të institucioneve qeveritare.

Zinxhiri i masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka ndikuar prej 2 muajsh në funksionimin e institucioneve të ndryshme shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, e deri dhe tek strukturat familjare.

Organizatat e shoqërisë civile si edhe struktura të grupimeve të ndryshme të qytetarëve kanë bërë thirrje se pavarësisht situatës që ndodhemi, gjatë këtyre 2 muajve të pandemisë, do duhet gjithsesi që institucionet qeverisëse apo vendimmarrëse të gjejnë një mënyrë për të garantuar transparencë dhe qëndrueshmëri në procesin e informimit si edhe një domosdoshmëri të respektimit të kuadrit ligjor në fuqi që garanton pjesëmarrjen e publikut në proceset vendimmarrëse të qeverisjes vendore.

Prej 9 marsit, që kur vendi ynë është prekur nga virusi COVID-19, shumë prej funksioneve të organeve shtetërore u reduktuan ndjeshëm e disa të tjera u pezulluan totalisht.

Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 243, më 24 mars, u shpall Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore dhe kjo gjendje është zgjatur tashmë edhe për 2 muaj të tjerë deri në 23 qershor, duke i zgjatur akoma më shumë masat kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes në shkallë të gjerë të koronavirusit në Shqipëri.

Për të ofruar ndihmesën e tyre gjatë këtyre ditëve të jashtëzakonshme dhe ndonjëherë edhe të ngarkuara për organet shtetërore, prej më shumë se një muaji, aktorët e shoqërisë civile, grupimet e qytetarëve, madje dhe individët, duke treguar vlera solidariteti dhe qytetarie, kanë ofruar ndihmesën e tyre me grumbullimin e fondeve për ndihma ushqimore, identifikimin e familjeve në nevojë, ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e masave parandaluese te virusit, etj.

Gjithsesi, sipas organizatave të shoqërisë civile, kjo periudhe e tejzgjatur e krizës së shkaktuar nga pandemia globale, ka krijuar një shkëputje në marrëdhënien midis qyqarëve dhe institucioneve të qeverisë vendore.

Qeverisja vendore gjatë gjithë kësaj periudhe është fokusuar më së tepërmi në publikimin e informacionit që ka të bëjë tërësisht me situatën COVID-19.

Për pasojë, këto muaj janë shoqëruar me njëfarë mungese informacioni mbi mbledhjet e këshillave bashkiak dhe vendimet përkatëse te marra prej tyre, mënyrën e organizimit të mbledhjeve, etj.

Disa Këshilla Bashkiakë në territorin e Shqipërisë kanë nisur përpjekjet për të zhvilluar mbledhje në platforma online, një praktikë e vlefshme e cila duhet të adoptohet në të gjitha bashkitë, si edhe të sigurojë akses tek qytetarët dhe grupet e interesit.

Në thirrjen e aktivistëve të shoqërisë civile mbi përmirësimin e demokracisë vendore, disa nga kërkesat  kryesore të tyre konsistojnë përkatësisht në zbatimin e të drejtës së informimit edhe ne kushtet e fatkeqësisë natyrore, përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje, transparencën e strukturave bashkiake, adoptimin e parimeve të mbledhjeve të hapura për publikun edhe në kushtet e masave shtrënguese të situatës së krijuar.