Covid-19 prek edhe artin/ Përgjysmohet numri i spektatorëve të shfaqjeve dhe vizitorëve të trashëgimisë kulturore

414
Sigal

Covid prek edhe artin, më pak shfaqje; Përgjysmohet numri i spektatorëve të shfaqjeve dhe vizitorëve të trashëgimisë kulturore

Përhapja e kronavirusit nuk ka lënë pa prekur edhe institucionet e artit dhe kulturës në vend.

Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave, numri i shfaqjeve dhe spektatorëve në institucionet kulturore ka rënë në tremujorin e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kështu numri i shfaqjeve/premier në tremujorin e parë të vitit është 190, nga 308 shfaqja të tremujorit të parë të 2019-ës. Po ashtu numri i spektatorëve gati është përgjysmuar, nga 67.609 spektatorë në tremujorin e parë të vitit 2019, në 31.871 në tremujorine e parë të vitit 2020.

Shfaqjet më të shumta i ka realizuar Tetari Eksperimental, po ashtu edhe numrin më të lartë të spektatorëve i ka pasur ky institucion.

“Në tremujorin e parë 2020, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve dhe premierave, me 96 të tilla, respektivisht 92 shfaqje dhe 4 premiera. Në totalin e shfaqjeve të organizuara, Teatri Kombëtar Eksperimental ka organizuar 50,5 % të shfaqjeve. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë është institucioni i dytë me numrin më të lartë të shfaqjeve gjithsej, me 45 të tilla, 23,7 % të shfaqjeve gjithsej.

Në tremujorin e parë 2020, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka numrin më të lartë të spektatorëve, me 13.146 të tillë, 41,2 % të spektatorëve gjithsej. Ndjekur më pas nga Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor me 6.990 spektatorë, 21,9 % të spektatorëve gjithsej. Në Teatrin Kombëtar Popullor dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë pjesëmarrja është përafërsisht e ngjashme, respektivisht 16,5 % dhe 16,1 % të spektatorëve gjithsej”.

Numri mesatar i spektatorëve për shfaqje, në tremujorin e parë 2020 është 168 spektatorë. Pjesëmarrje më e lartë shihet në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, sipas statistikave të INSTAT.

Numri i spektatorëve gjithsej ka rënë me 53 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke kaluar nga 67 mijë në 31 mijë.

Një përgjysmim i vizitorëve vihet re edhe në institucionet e trashëgimisë kulturore. Kalatë dhe momumentet mbetem më të vizituarat, ndërsa 45 për qind e vizitorëve të huaj kanë preferuar më së shumti muzetë.

“Numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, në tremujorin e parë 2020 është 31.457 vizitorë, 25.917 janë vizitorë vendas dhe 5.540 janë vizitorë të huaj. Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve gjithsej është më i lartë, ndjekur më pas nga parqet arkeologjike, përkatësisht 37,5 % dhe 32,7 % ndaj totalit të vizitorëve. Në tremujorin e parë 2020, vizitorët e huaj kanë preferuar më shumë muzetë, ndjekur më pas nga kalatë e monumente të tjera, përkatësisht 45,0 % dhe 37,1 % të huaj ndaj totalit të vizitorëve”.

Vizitorët e kësaj kategorie në raport me një vit më parë kanë rënë me 52 për qind duke shkuar nga 63 mijë në 31 mijë.

Në tremujorin e parë 2020, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 17.213, ndërkohë numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare ishte 26.685. Në Bibliotekën Kombëtare, në tremujorin e parë 2020 janë afishuar 1.076 tituj të rinj dhe 4.669 ekzemplarë të rinj.