Bllofi i “Ministrit të Virusit” për paketën e ndihmës 650 mln euro

360
Sigal

Për të kuptuar më së miri se përse “paketa e luftës” e qeverisë shqiptare nuk arrin të përmbushi kërkesat minimale për shqiptarët e “karantinuar” nga Covid-19, mjafton t’i bëhet një shpjegim fare i thjeshtë deklaratave të Ministrit të Rindërtimit dhe Virusit, Arben Ahmetaj.

Në një intervistë televizive, Ahmetaj u shpreh me vendosmëri se “qeveria ka alokuar rreth 650 milionë euro, në para të thata, për përballimin e krizës ekonomike, të shkaktuar nga pandemia e Covid-19”.

Për t’u treguar më bindës ndaj çdo dyshuesi, Ahmetaj dha edhe një përgjigje, shteruese sipas tij, për mënyrën se si janë siguruar këto para, të shoqëruar me një sjellje “servilizmi” ndaj kryeministrit Edi Rama.

Pyetjes se ku i gjeti qeveria këto lekë, ministri Ahmetaj i përgjigjet “kur i thatë kryeministrit tha se do t’i nxjerr nga dheu dhe i nxori”.

Dhe, sipas Ahmetajt, kryeministri dhe ai vetë, i “nxorën nga dheu”. Por si?

“Një është paketë a parë shkoi 120 mln, paketa e dytë 70 mln, pra u bënë 190 mln dhe 150 mln u bë heqja e kamatave, u bë 340 milionë. Fillojmë me paketën e garancisë 100 milionë, pra u 440 milionë, plus paketat e dyta. Janë rialoikim nga buxheti i shtetit dhe zgjerimi jonë fiskal, po dikush thotë se e rritëm borxhin, po do e rrisim për të mirën e qytetarëve“, u shpreh Ahmetaj.

Nga kjo radhitje e Ahmetajt, një pjesë janë realisht para cash. Por, pjesa tjetër, ajo që përbën edhe shumicën, janë “virtuale” dhe “projekte” që rrisin edhe më tej borxhin shtetëror.

Kamatat
Në paketën “650 milionë euro”, Ahmetaj llogarit rreth 150 milionë euro, sipas tij, heqje të kamatave. Kjo shumë 150 milionë euro nuk është kurrësesi “cash”. Kamata e parashikuar nga qeveria vjen kryesisht, si pjesë e izolimit kombëtar për shkak të corona-virusit.

Më thjesht, nëse qytetarët dhe institucionet do të ishin të lira të lëviznin, kamata për shërbimet që marrin qytetarët nuk do të ishte krijuar.

Pra, kjo 150 milionë euro, as nuk është para cash dhe as nuk është ndihmë për qytetarët. Ajo është thjesht një mekanizëm i qeverisë për të mos rënduar qytetarët që nuk kryejnë pagesat në kohë, për shkak të vendimeve të autoriteteve për të qëndruar në shtëpi.

Rialokimi i buxhetit
Ministri Ahmetaj deklaroi se një pjesë e rëndësishme e paketës së ndihmës “650 milionë euro” janë “rialokim fondesh”. Më thjesht, qeveria, nga buxheti i shtetit të miratuar për vitin 2020, vendosi të qarkullojë paratë publike brenda institucioneve.

Më konkretisht, qeveria vendosi të shkurtojë shpenzimet për projekte, të cilat ajo i konsideron me rëndësi të ulët, për t’i kaluar fondet në përballimin e krizës ekonomike.

Për të qenë më konkret, qeveria po vepron si një familje që, kur ka vështirësi ekonomike, kufizohet në blerjen e rrobave, për të siguruar ushqime.

Por, qeveria, në bazë të planeve të “Ministrit të Virusit”, po sillet si një familje aspak normale-ajo është në krizë ekonomike, ka kufizuar shpenzimet për projekte me rëndësi të vogël (për analogji me familjet, blerje veshjesh), por ndërkohë nuk heq dorë nga shpenzimet e luksit.

Dhe, “tenderat sekretë” duket se janë shpenzime luksi, nga të cilat qeveria shqiptare nuk heq dorë.

Nën petkun e nevojës urgjente për pajisje mjekësore, qeveria shqiptare është furnizuar me pajisje mbrojtëse me vlerë 4 herë më të lartë se sa çmimi real, sipas të dhënave të siguruara mediatike, ose ka blerë ushqime në kompani ndërtimi.

Këto tendera “kuturu” nuk bëjnë gjë tjetër, veçse rrisin në mënyrë fiktive faturat që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë.

Këto miliona në euro mund të ishin një mënyrë e mirë për të rritur, më së pari numrin e familjeve që përfitojnë nga “paketa e luftës” dhe së dyti nivelin e pagesave.

Por nuk ka asnjë gjasë të ndodh kështu. Plani i Ahmetajt ka parashikuar qeset ushqimore për qytetarët dhe “valixhet” për klientët./ BoldNews.al