Letër e hapur e një emigranteje për Kryeministrin e zgjedhur Edi Rama dhe përgjigja e dhënë

758
Sigal

S’është kohë e humbur të lexohet

Një emigrante shqiptare që jeton e punon në Itali i ka dërguar një letër Kryeministrit të ri, Edi Rama, duke reaguar ndaj nismës së re të Ramës, për aplikimin online të CV të gjithë atyre që duan të punësohen në administratën publike. Emigrantja i sjell ndërmend Edi Ramës, përvojën e saj dhe të motrës, ku 5 vjet më parë, iu përgjigjën nismës së kryeministrit të atëhershëm, për të  kërkuar që gjithë emigrantët që kanë studiuar dhe punojnë jashtë, të kthehen dhe të kontribuojnë në Atdhe, por, atëherë, shkruan emigrantja, mbeti e zhgënjyer.

 I dashur Edi,

Quhem Brunilda Marku, jam me origjinë nga Lezha e ka 17 vjet që jetoj në Ferrara (Itali) qytet, ku kam studiuar për mjekësi e jam specializuar në sëmundjet e aparatit të mushkërive (pneumologji). Aktualisht punoj si mjeke Pneumologe pranë spitalit të këtij qyteti, ku jetoj bashkë me familjen time.  Në radhë të parë do doja të bëja urimet më të përzemërta për fitoren tuaj! Uroj dhe shpresoj që të ketë bashkëpunime edhe me ne, shqiptarët që ndodhemi larg vendit, në mënyrë që të na jepet mundësia edhe neve për të dhënë kontributin tonë. “Guri i rëndë peshon në vend të vet”, – thotë populli, ndaj nuk mohoj që shpesh mendoj që një ditë të kthehem e të jap kontributin tim në vendin tim. Në vitin 2008 nisur nga një thirrje e qeverisë së atëhershme për të mbledhur të gjithë studentët që ishin diplomuar jashtë shtetit, provova të kthehesha, por, më beso, asnjëherë më shumë se atëherë nuk jam zhgënjyer aq shumë: biseda që bëheshin vetëm lokaleve, CV që hidheshin në kosh, pa i hedhur asnjë sy e kërkim parash për një vend pune, kur unë nuk kisha nevojë, sepse kisha një punë në Itali…Nuk lashë derë pa trokitur, por asnjë nuk u hap. Në fund të fundit ishte një fyerje për studimet e mia e për rezultatet që me kaq mund kam arritur në këtë vend, ku  edhe ti e di mjaft mirë nuk është e lehtë të ecësh përpara. Kam lexuar që rektorati do të hapë vende pune për pedagogë vetëm për mjekët e QSUT-së…Pyetja ime është: Po për ne që japim leksione në fakultete mjekësie në Itali, a jepet mundësi të japim kontributin tonë edhe në Shqipëri? Çdo të bëhet me ne, që kaq shumë dëshirojmë të sjellim dijet tona në Shqipëri? Sot ime motër ka dorëzuar dokumentet në rektorat, nuk kanë dashur t’ia pranojnë, pasi këto vende janë disponibël vetëm për ata që punojnë në QSUT… Pse këto përzgjedhje? A nuk jemi shqiptarë dhe ne të tjerët? Ç’po bëhet në këtë periudhë? Shpresoj që një ditë të kem thjesht një përgjigje….Atë përgjigje që në këto vite asnjë njeri nuk ma dha…Jam e sigurt që je i nisur nga sensi i mirë për të mbledhur dijen e jo për të mbledhur ato që kanë më shumë miq e që paguajnë më shumë te partia! Ka ardhur koha t’i themi mjaft këtyre pazareve të shëmtuara dhe uroj të mos zhgënjehemi prapë, se do ishte kulmi, mbas gjithë atij besimi që ju dhamë në 23 Qershor!

 Me respekt

Brunilda Marku

Rama përgjigjet: “Askush nuk duhet të zhgënjehet më prej vendit të vet”

 Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama i përgjigjet letrës së emigrantes, ku, ndër të tjera, i thotë, që askush nuk duhet të zhgënjehet me Atdheun e vet.

E dashur Brunilda,

 Më prekin fjalët që ke shkruar. Sepse lexohet në çdo rresht shpresa që vërtet unë dhe shokët e mi arritëm ta rilindim tek shumë njerëz me fushatën dhe fitoren tonë, por po ashtu ndjehet në çdo fjali barra e jashtëzakonshme që kemi për të mos e rivrarë shpresën. Ajo shprehja “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, vlen për çdo punë, po në këtë punën time të re, me siguri vlen ende më shumë se në shumë çka tjetër. Kështu që koha do të provojë se sa fjalët do të bashkohen me veprat, duke e kapërcyer detin e vështirësive, të cilat, në çështjen e ndërtimit të një shteti që t’u shërbejë normalisht njerëzve, përmes rrogëtarëve të vet, janë vërtetë të jashtëzakonshme. Megjithatë çdo rrugë sado e gjatë, fillon me një hap. Ky që kemi hedhur është vetëm një hap dhe është në drejtimin e duhur. Gjatë këtyre muajve do të mblidhen të dhëna që do të përpunohen dhe do të vendosen në “rafte”, sipas profesioneve. Kjo bazë të dhënash do të jetë e hapur dhe do të pasurohet vazhdimisht gjatë qeverisjes sonë. Të gjithë të regjistruarit në këtë bazë do të marrin njoftime për çdo konkurs për një vend të mundshëm pune, sipas profesionit të tyre, por edhe informacione të herëpashershme nga ana jone. Se kush do të punojë ose jo në sektorin publik, për skuadrën e re për Shqipërinë, këtë do ta vendosin konkurset. Por, përmes kësaj baze, ne do të mundësojmë qofte vënien në dijeni të secilit prej jush për çdo vend të lirë punë në sferën tuaj profesionale, qofte monitorimin e cilësisë së konkurseve. Kënaqësi dhe përgjegjësi që të marrësh vesh se një shqiptare me formimin, eksperiencën e punën që ju keni në Itali ku ka një sektor shëndetësor shumë të zhvilluar, kërkon të kontribuojë për vendin e vet, duke aplikuar për punë në Shqipëri. Fakti që s’je e vetmja e shton ende më shumë përgjegjësinë, jo për të hapur vendin e punës për këtë kategori njerëzish, po për të siguruar që asnjë individ i kësaj kategorie nuk diskriminohet dhe lihet pas dere padrejtësisht. Mendoj se përgjigja më e mirë për pyetjet e tua janë veprat, po deri atëherë po mjaftohem duke të thënë se po të mos besoja se shpresa e njerëzve nuk ka rilindur kot, atëherë nuk do isha duke e shkruar këtë përgjigje. Duke të uruar çdo të mirë, shpresoj me zemër që t’ia dalësh dhe edhe po s’ia dole aty, ku të tjerë mund t’ia dalin përmes konkursit, të mos zhgënjehesh më prej vendit tënd.

 Vëllazërisht,

 Edi