PPSHR-ja kundër Totozanit: “ Shërbëtori i pushtetarëve të shitur te të huajt”

481
Sigal

PPSHR-ja, ka reaguar fort ndaj kërkesës të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i cili është pro hapjes së dosjeve. Në reagimin e PPSHR-së thuhet.  “Në një nga deklarimet e tij të fundit, Igli Totozani tha se prioritet i institucionit të tij është hapja e dosjeve. Avokati më servil në historinë e 20 vjetëve të fundit, dëshmoi edhe një herë se është përzgjedhur për t’u emëruar në atë post pikërisht për arsye të intelektit të tij, për t’u bërë shërbëtor i pushtetarëve të shitur te të huajt. PPSHR i bën të ditur avokatit të LBTG te politikes shqiptare se punët e shtetit janë të ndryshme nga ato të OJF-ve dhe se ai apo kushdo tjetër nuk mund të luajë me heronjtë e heshtur të Shqipërisë, ata që për 50 vjet nuk lejuan që interesat e Shqipërisë të dalin në pazar dhe që i mbrojtën ato deri edhe me jetën e tyre.  PPSHR ka kërkuar prej vitesh dhënien e pafajësisë nëpërmjet vendimeve gjyqësore për ish-të persekutuari politikë. Nëpërmjet këtij procesi, dom ta dalë në shesh se cilët kanë qenë vërtet të persekutuar për bindjet e tyre dhe cilët kanë qenë të dënuar për arsye të tjera. Por nëpërmjet këtij procesi do të evidentohen edhe ata kriminelë që pushtetin popullor e kanë shfrytëzuar si pushtet personal dhe kanë lyer duart me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Do të evidentohen edhe ata spiunë të agjenturave të huaja të infiltruar në radhët tona, të cilët luftonin kundër pushtetit popullor në emër të pushtetit popullor. Për të gjithë ata të pafajshëm, PPSHR do të kërkojë ndjesë publike dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që ata të marrin gjithë dëmshpërblimin që u takon në kohë sa më të shpejtë dhe të rehabilitohen plotësisht. Por procesi i hapjes së dosjeve mund të kryhet vetëm në funksion të këtij qëllimi madhor dhe jo për të dekonspiruar njerëzit që kanë punuar për interesat e Shqipërisë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, si brenda edhe jashtë vendit. Ky do të ishte shërbimi më i madh që mund t’u bëhet agjenturave të huaja, duke u dorëzuar listat e heronjve dhe patriotëve shqiptarë. Shumë prej tyre i dorëzoi në duart e armiqve të Shqipërisë famëkeqi Bashkim Gazidede, i cili dekonspiroi një pjesë të konsiderueshme të rrjetit të kundërzbulimit shqiptar në botë. Një gjest i tillë do të ishte fatal për çështjen kombëtare dhe avokati Totozani duhet ta kuptojë se politika shtetërore është një gjë dhe mbledhja e kanaçeve nga romët është tjetër.

Marko Dajti

Sekretar i Parë i KQ të PPSHR