Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së reagoi nga selia blu pas miratimit të projektligjit që i hap rrugën legalizimit të kanabisit. Ai tha se legalizimi i kanabisit “është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura”. Noka njëherësh u bëri thirrje deputetëve të Partisë Socialiste që të mos e mbështesin Ramën në këtë nismë. Ai tha për ta se do të duhet të zgjedhin nëse duan të mbeten në histori si socialistë apo si kanabistë.
“Vendimi i Edi Ramës për të legalizuar kanabisin nuk duhet pritur si befasi. Është një projekt politik i nisur që në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet.” – tha Flamur Noka në fillimi të deklaratës për mediat.
“Legalizimi pas kanabizmit është gozhda e fundit në arkivolin e Republikës. Përmbyllja e eksperimentit famëkeq të kanabizmit, i cili mori shumë e shume jetë njerëzish në luftën për territore të trafikut, që largoi shumë të rinj nga shkollat dhe shumë të tjerë nga Shqipëria, është shenja se Edi Rama nuk ndalet para asgjëje në konsolidimin në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Për të nuk ka rëndësi e ardhmja e vendit, por fortifikimi i pushtetit personal, bazuar ne drogën krimin dhe trafiqet.” – tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së rithemelimit. Më tej në deklaratë ai shtoi se: “Vendimi, që vjen menjëherë pas zgjedhjeve, fakton atë që Partia Demokratike e thotë çdo ditë me zë të lartë: nuk ka pasur zgjedhje, por farsë. Këtë farsë e ka mundësuar pushteti në bashkëpunim të ngushtë me bandat e drogës. Legalizimi është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura… Legalizimi i kanabisit nuk është asgjë më shumë se legalizimi i një sektori kriminal në të cilin qeveria ka qenë e angazhuar që në fillim. Baronët e drogës tani do të legjitimohen dhe, nga industria e kanabisit do të kalojnë në farmaceutikë, e më pas në politikë.
Flamur Noka e konsideroi këtë projektligj të miratuar si “përmbushje e premtimit të Edi Ramës për padrinon e tij George Soros.”
Në fund të fjalës së tij, Noka i bëri një thirrje edhe deputëve të partisë socialiste: “Një thirrje për deputetët e partisë në pushtet: duhet të vendosni si do mbeteni në histori, si socialistë apo kanabistë! Mbështetja e Ramës në këtë marrëzi nuk është politikë për mbajtjen e pushtetit, por dorëzim i fëmijëve tuaj dhe të shqiptarëve pushtetit të substancave narkotike dhe kriminalizim i ekonomisë shtetërore.” – tha Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.




















