Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se ligji i miratuar sot nga parlamenti “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to” është një hap para për mbrojtjen e të drejtës së autorit, që i jep përgjigje shumë shqetësimeve. Në një deklaratë për mediat, duke marrë shkas pikërisht nga miratimi i ligjit në seancën e sotme plenare, Kumbaro tha se ai parashikon ngritjen e 2 institucioneve të reja. Bëhet fjalë për krijimin e Drejtorisë së të Drejtave të Autorit në Ministrinë e Kulturës, si dhe Këshillin Kombëtar për të Drejtat e Autorit, ku do të shqyrtohen pikërisht problematika të kësaj fushe. “Ky ligj është një hap para për mbrojtjen e të drejtës së autorit. Ligji që hyn në fuqi për 6 muaj, i jep përgjigje shumë shqetësimeve. Kemi bërë ndryshime edhe me rolin e institucioneve publike me zbatimin e ligjit. Krijohet një instancë e re që është Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit si dhe Drejtoria e të Drejtave të Autorit në Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Kumbaro, ndër të tjera.





















