Rama i anulon 160 leje ndërtimi të Bashkisë dhe 310 leje të komunave
Dy ditë më parë, Kryeministri Rama deklaroi se “anulohen të gjitha lejet e ndërtimit për një periudhë 2- vjeçare, po ashtu çdo objekt pa leje quhet vepër kriminale, dhe me çdo rast do të merret Policia e Shtetit”. Kjo, padyshim, mbetet iniciativa më e mirë dhe më e pranueshme ligjore që ka gjetur mbështetjen nga pjesa më e madhe e popullsisë, e cila si në qytete ashtu edhe komuna, ka vite që vuan babëzinë e pakufishme të objekteve me dhe pa leje. Lagjet e qytetit, prishja e objekteve që ishin dhe janë akoma në inventarin e Ministrisë së Kulturës si “Monumente Kulture”, dhe ngritja e pallateve në vendin e tyre, prishja dhe groposja e mozaikëve dhe ngritja e pallateve, apo edhe marrja e lejeve të ndërtimit me oferta dhe forma të pista. Çdo qytetar i Durrësit pyet me të drejtë, kush do të përgjigjet për mijëra objekte pa leje të cilat kanë pushtuar çdo cep të lagjeve të qytetit, të plazhit, të zonave të tjera bregdetare, kush do të përgjigjet për pallatet me kate shtesë, kush do të përgjigjet për lejet abuzive të cilat nuk kanë përmbushur asnjë kriter urbanistik. Aktualisht vendimi i Kryeministrit i ka prerë rrugën dhe ka anuluar 160 lejet e ndërtimit të Bashkisë së Durrësit dhe mbi 310 leje të ndërtimit në bashkitë e komunat e qarkut. Objektet e ngritura me dhe pa leje në Durrës, do të kalojnë në lupën e inspektorëve të Policisë Shtetit, e cila nga sot ka për detyrë të marrë, të dokumentojë dhe të zbatojë ligjin mbi denoncimet dhe akuzat e çdo qytetari dhe subjekti lidhur me objektet e nisura në ndërtim, dhe ato që janë në përfundim. Zona e plazhit tashmë quhet lagje e madhe e Durrësit, pasi, edhe kur kalon andej, deti nuk duket fare në horizont, pasi gjithçka e ka mbuluar betoni. Pothuajse në të gjitha lagjet e qytetit ka mungesë të hapësirave mes pallateve dhe banesave të ulëta, dhe kjo ka ardhur si pasojë e dhënies së shfrenuar të lejeve të ndërtimit, por edhe e abuzimit nga qytetarë e subjekte me ndërtime pa kriter. Autoriteti Portual Durrës, nga ana e tij, ka kërkuar nga Kryeministri Rama, daljen para ligjit të çdo zyrtari dhe ish- drejtuesi që ka penguar zgjerimin e portit të ri të peshkimit, duke toleruar ngritjen e objekteve me dhe pa leje pranë tij. Në verifikim ligjor do të jenë edhe dosjet e lejeve të ndërtimit në zonat bregdetare, duke synuar jo vetëm daljen para përgjegjësive ligjore të çdo ish-kryetari bashkie e komune, por edhe të zbatimit të ligjit mbi cilindo që ka guxuar të tjetërsojë projektet e investimeve për të plotësuar dëshira eprorësh apo miqsh. Paralelisht me qytetin, nën vëzhgim të rreptë ligjor do të jenë edhe bashkitë e komunat e qarkut. Abuzimi edhe atje ka qenë flagrant, duke mos pyetur për ligjet e shtetit dhe planet rregulluese të zonave bregdetare. Në të gjitha bashkitë e komunat e qarkut Durrës, do të jenë të atashuar inspektorë të Policisë së Shtetit që do të kenë të drejtën ligjore të kontrolleve dhe verifikimeve të çdo objekti abuziv dhe do t’i raportojnë pranë drejtorive përkatëse. Policia e Shtetit përpara këtij vendimi, ka patur qindra denoncime nga qytetarët e Durrësit lidhur me procedurat e punimeve nga firmat ndërtuese dhe individë, të cilët në themelet e hapura kanë gjetur thesare me vlera arkeologjike. Fati i tyre tashmë dihet, pasi ato ditën zbuloheshin, natën hidheshin në kanalet e superstradës Durrës-Tiranë. Vetëm një zbatim korrekt i detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim i Kryeministrit, do të bëjë që policia të shkundet dhe të nisë intensivisht punën për të dokumentuar dhe denoncuar çdo shkelje ligjore që lidhet me masakrën urbane, e cila mbetet mjaft evidente edhe në zonat bregdetare të Durrësit.