KSHH kërkon miratimin pa vonesa të Reformës në Drejtësi

441
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), organizata e parë joqeveritare e krijuar në dhjetor të vitit 1990, shpreh shqetësimin se miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë po vonohet. Shqetësimi ynë buron nga fakti se jemi një organizatë që për më shumë se 25 vjet, si mision kryesor kemi patur dhe vazhdojmë të kemi mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve, duke monitoruar në mënyrë proaktive gjykatat,
prokurorinë, vendimet e prokurorisë dhe vendimet gjyqësore. Shtetasit shqiptarë janë direkt të interesuar që reforma në drejtësi të miratohet sa më parë.
Ata mund të mos jenë njohur me detajet e dispozitave të Projektit për ndryshimet Kushtetuese, por jeta, praktika, i ka bindur ata se nuk mund të vazhdohet me sistemin ekzistues. Korrupsioni shqetësues në këto organe, fenomeni i pandëshkueshmërisë sidomos i zyrtarëve të lartë, mungesa e pavarësisë dhe e paanshmërisë si rezultat i ndikimit të politikës dhe të botës së krimit, mungesa e eficencës, zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe aksesi i kufizuar të shtetasve në organet e sistemit të drejtësisë janë të njohura për të gjithë.
Si rrjedhim, kjo situatë dëmton në radhë të parë interesat e shtetasve dhe imazhin e vendit tonë. Ata nuk mund të jenë dakord me një sistem të tillë. Përfaqësuesit e popullit mendojmë se duhet ta dëgjojnë zërin e sovranit dhe duhet të anashkalojnë interesat e tyre të ngushta partiake në një moment kaq të rëndësishëm dhe jetik siç është miratimi i reformës në drejtësi. Mazhoranca dhe opozita kanë pranuar dhe vlerësuar publikisht opinionet mjaft cilësore të Komisionit të Venecias, rekomandimet e ShBA-së dhe BE-së, asistencën e vazhdueshme të
OPDAT-it dhe të Euraliusit.
Është e drejta e përfaqësuesve të Kuvendit që të debatojnë në mënyrë konstruktive dhe kur është rasti të arrijnë edhe në kompromise, në përputhje me parimet bazë dhe standardet ndërkombëtare, por pa cenuar interesat e shtetasve. Për KSHH-në, kryesore është zgjidhja e drejtë e problemit dhe jo numri i votave që kërkohen për miratimin e projektkushtetutës. KSHH vlerëson se debatin pluralist dhe demokratik, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë, si dhe në seancat plenare të Kuvendit, duhet të dominojë arsyeja, argumenti dhe jo “gara” e
akuzave reciproke dhe gjuha e urrejtjes. Sovrani, siç dihet është gjykatësi më i mirë. Kur është rasti ai vlerëson me nota pozitive apo negative përfaqësuesit e vet. Për KSHH-në do të ishte në dëm të interesave të shtetasve dhe të vendit që mungesa e vullnetit politik të
kamuflohet me qëndrime apo pretekste të pajustifikuara.
KSHH u bën thirrje të gjitha partive politike parlamentare që mbi gjithçka të vënë interesat e popullit i cili, veç të tjerave, kërkon zbutjen e tensionit dhe të atmosferës tepër të politizuar në vend, përmirësimin e jetës social-ekonomike shërbime efiçente, profesionale dhe akses në organet e sistemit të drejtësisë.
Sigal