Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e ri të Bullgarisë, z, Momchil Stoyanov Raytchevski

572
Sigal

Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet Shqipëri-Bullgari po fuqizohen vazhdimisht në të mirën e dy vendeve, në interes të rajonit dhe perspektivës së tyre evropiane.“Megjithatë, nevojitet intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, bazuar në të tendencën pozitive të angazhimit demokratik që ndajmë dhe rrezatojmë në skenën rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi përpjekjet e Presidencës bullgare gjatë kryesimit të BE-së për promovimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor drejt perspektivës Euro-Atlantike dhe shprehu besimin në vijueshmërinë e qëndrimit mbështetës të Bullgarisë për hapjen e negociatave të pranimit qershorin e ardhshëm.

Kryetari Ruçi vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Bullgarisë, sidomos nismat e Kryeministrit Borisov, për avancimin e integrimit të Ballkanit, duke promovuar dhe inkurajuar projektet rajonale dhe nënvizoi se duhet ta përdorim këtë momentum për të avancuar procesin e integrimit evropian.

Kryetari Ruçi nënvizoi se Shqipëria vlerëson qasjen e vazhdueshme pozitive të Bullgarisë ndaj Kosovës, duke përfshirë mbështetjen për kandidaturën e saj për Kryesinë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, 2020-2021, si edhe rolin e Bullgarisë si një ndërmjetës i ndershëm në drejtim të pranimit në tryezën e bisedimit të Kosovës në Samitin e Sofjes.

Ambasadori Raytchevski falenderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për këto vlerësime dhe nënvizoi se Shqipëria dhe Bullgaria janë vende fqinje e mike, në një parnteritet të vazhdueshëm në NATO dhe në të ardhmen edhe në BE. Bullgaria do të vazhdojë të jetë një mbështetëse dhe lobuese e integrimit europian të Shqipërisë. Bullgaria vlerëson rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Shqipërisë në kuadrin e Ballkanit Perëndimor dhe është në krah të saj në përballimin e sfidave rajonale.  E ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor është prioritet i pandryshueshëm i Bullgarisë.