Kryeparlamentari Meta takon raporterët e Këshillit të Europës

Gazeta Telegraf/

Kreu i Kuvendit Ilir Meta është takuar me bashkëraporterët e
Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,
Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly. Z. Meta theksoi faktin se vendi ka nevojë për
progres në kryerjen e reformës zgjedhore në kohë, dhe sipas rekomandimeve të
OSBE/ODIHR-it. Sipas tij, të gjitha palët duhet të reflektojnë një angazhim më
të përgjegjshëm politik me qëllim garantimin e standardeve bashkëkohore,
legjitimitetit dhe besueshmërisë së procesit kyç të zgjedhjeve të ardhshme. Duke
vlerësuar punën e raporterëve dhe mbështetjen për Parlamentin shqiptar, Meta
tha se duhet punuar më tej për implementimin pa vonesa të reformës në drejtësi
dhe në këtë kuadër fokusi duhet përqendruar në krijimin e një klime sa më
bashkëpunuese dhe konsensuale politike në funksion të avancimit me axhendën e
reformave kyçe për integrimin evropian të Shqipërisë.

NOA