Kryeministri Rama përjashton dialogun si mundësi për të zgjidhur krizën
Dje PS-ja mblodhi edhe kryesinë e saj për të diskutuar kandidaturat e kryetarëve të bashkive. Pas kësaj mbledhjeje, u tha se kandidaturat do të shpallen në Asamblenë Kombëtare të PS-së që do të mbahet shtunën. Kryeministri Rama pas kësaj mbledhjeje, deklaroi nuk do të ketë më zgjidhje me dialog dhe kompromis politik midis PS dhe PD, dhe se mazhoranca tani dhe në vijim zgjidhjet do t’i kërkojë vetëm te sistemi.
Edi Rama: Negociimi dhe zgjidhja ka qenë tërësisht e palëve në Shqipëri. Nuk shoh askënd të shqetësohet si në 2017. Jo sepse çka ka ndodhur nuk është shqetësuese por se çka ka ndodhur i tejkalon të gjithë kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja e kornizës demokratike të bashkëjetesës. Për sa më takon, ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji, sepse mesa duket zgjidhjet për të kaluar një krizë të krijuar për t’u zgjidhur dhe për të përfituar diçka nga zgjidhja nuk na kanë ndihmuar të rritemi më shpejt dhe të bëhemi më të fortë nga pikëpamja e konstitucionit tonë demokratik si shoqëri dhe si politikë. Zgjidhjet e asaj natyre i kemi provuar, 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar dhe afatgjatë, nuk funksionuan. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem, qëndron. Kush nuk qëndron në sistem ka zgjedhjen e vet të lirë.
Rama: Zgjedhjet vendore, në 30 qershor
Krizë artificiale e ka cilësuar kryeministri Edi Rama situatën politike në vend, ndërsa theksoi se askush nuk është i shqetësuar nga kjo situatë. Në konferencën e përbashkët me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, Rama shprehu bindjen se në 30 qershor do të bëhen zgjedhje në të 61 bashkitë e vendit. “Askush nuk do të mund të pengojë procesin. Kush do të rrijë në sistem do të qëndrojë, kush do të dalë, le të dalë. Nuk ka asnjë lloj diskutimi se zgjedhjet do të mbahen më datë 30 qershor. Atë ditë do të kemi edhe zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve të Shqipërisë. Se kush merr pjesë në zgjedhje e kush jo, këtë nuk e di. Gjithsecili është i lirë të hyjë ose jo në zgjedhje. Më 30 qershor pra ka zgjedhje, kaq është e sigurt”, -deklaroi Rama.