Kryeministri Rama: 3 vjet burg kush shkel tapetin e gjelbër

588
Sigal

Kryeministri Rama propozon masa drastike për ata që përdorin dhunë në stadiume. Dje, kryeministri Rama u propozoi ligjbërësve dhe FSHF-së që të ashpërsohen ligjet dhe ata që shkelin në fushën e gjelbër të dënohen me 3 vite burg. Kryeministri Rama:

Së pari, unë besoj se për zgjidhjen e problemit të dhunës, ne kemi të gjitha mundësitë që të kemi një qasje të bazuar, jo thjesht tek nevoja për t’ju përgjigjur një emergjence, por tek nevoja për të vendosur një bazë solide dhe për të hyrë në një fazë pa kthim në raport me dhunën. Besoj se është koha që Policia e Shtetit dhe Federata të mos ia lënë topin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë seriozisht. E di që ka një pengesë aktuale ligjore, lidhur me organizimin e shërbimeve policore në mjediset e brendshme të stadiumeve, pasi këtë, ligji nuk e lejon dhe që rikthimi i policisë në stadiume do të kërkonte amendimin e këtij ligji, ashtu sikundër edhe një vendim të posaçëm të qeverisë. Por kjo nuk është një arsye për t’u fshehur pas gishtit, apo për të parë gishtin kur gishti tregon hënën, por është një nga aspektet që ne duhet të trajtojmë bashkërisht, pasi unë besoj se, aq sa është e rëndësishme që policia të përfshihet në këto kushte, aq është e rëndësishme që të mos mbetemi thjesht tek policia. Edhe hyrja në stadium për një afat kohe të caktuar dhe përfshirja e detyrimit që në orarin e ndeshjes, elementët turbullues të shkojnë të rrinë në komisariat dhe të mos shkojnë në shkallët e stadiumit, është diçka që është diskutuar, është tentuar, por nuk është realizuar, por unë dua të them sot se ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal dhe kapërcimi i vijave të bardha dhe futja në tapetin e gjelbër do të dënohet me 3 vjet burg. Jo gjobë deri në tre vjet, por 3 vjet burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është një kërcënim fizik për ata që aty janë duke ushtruar detyrën e tyre, qofshin futbollistë, qoftë edhe arbitri apo arbitrat. Kështu që kemi domosdoshmërinë ta diskutojmë me shpejtësi dhe ta aplikojmë menjëherë këtë dënim, minimumi 3 vjet.