Rexhep G. Alimema/ “Skënderbej’ -Fidanishtja e ushtrisë shqiptare. Hapja e shkollës, më 28 mars 1945, vendosja e emrit, mësuesit e parë, personalitetet, vizita e Marashallit Zhukov dhe mbyllja e saj

1520
Sigal

Hapja e shkollës, më 28 mars 1945. Mësuesit e parë dhe personalitetet që studiuan. Vizita e Marshallit sovjetik Zhukov

“Skënderbej” – Fidanishtja e ushtrisë shqiptare

Në kuadër të 74-vjetorit të krijimit të shkollës

Rexhep G. Alimemaj

Përgatitja e kuadrove ushtarakë

Për të ndërtuar një ushtri moderne për kohën, duheshin përgatitur kuadrot. Kjo punë filloi të zgjidhej në vendin tonë paralel me masat e tjera organizative dhe me armatosjen e përgatitjen e ushtrisë, qysh në vitet e para të çlirimit të vendit. Për këtë qëllim u përdorën dy mënyra: e para përgatitja në vend, me hapjen e shkollës ushtarake “Skënderbej” për kadetët dhe të shkollës së Bashkuar të Oficerëve që përgatiste kuadro të niveli të ulët për të gjitha specialitetet e armëve të ushtrisë dhe më vonë të Akademisë e të Kursit të Lartë ushtarak, që përgatiste kuadro të nivelit të mesëm dhe të lartë të ushtrisë.

Rruga e dytë ishte përgatitja e kuadrove jashtë vendit, kryesisht në ish Bashkimin Sovjetik, mbi bazën e marrëveshjeve zyrtare të lidhura me qeverinë sovjetike. Në fillim, pas vitit 1947, në BS u dërguan kuadro të larta, kryesisht të LANÇ-it, për tu përgatitur në akademitë sovjetike të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov”, dhe “Fryze”, si dhe një grup prej rreth 200 oficerë, numri i përgjithshëm i kuadrove të ushtrisë që u përgatitën në shkollat ushtarake të BS, ishte mbi 3.000 veta, vetëm në vitin 1961, kur u prishëm marrëdhëniet Shqipëri-BS, 957 oficerë dhe kursant të shpërndarë në 44 akademi dhe shkolla ushtarake në të gjithë territorin, duke filluar nga qyteti i Rigës në perëndim dhe në qytetin Krasnodar në lindje, nga Leningradi dhe Moska e në veri e Kievi, deri në jug, në bazën ushtarake detare sovjetike në Sevastopull etj.

Numrin më të madh e përbënin oficerët dhe kursantët që përgatiteshin për të zëvendësuar, në bazë të marrëveshjeve të vitit 1957 dhe 1959, ekuipazhet e nëndetëseve e të anijeve të tjera në bazën tonë ushtarake detare të Pashalimanit dhe ato të Krasnodar që përgatiteshin si kuadro të aviacionit.

Hapja e fidanishtes së ushtrisë dhe mësuesit

Po mbushen 74 vjet nga 28 marsi i vitit 1945, kur për herë të parë u çelën portat e kësaj fidanishteje të ushtrisë shqiptare. Çdo gjë u kapërcye duke kristalizuar përvojën e një shkolle me standard. Mësuesit ishin shumë të përgatitur. Shumica kishin mbaruar studimet e larta jashtë shtetit si në Itali, në Austri, në Francë në vitet 1930-1940 dhe pas çlirimit në BS, në Poloni, në Hungari, në Çeki etj. Unë i kujtoj me mirënjohje e respekt të gjithë mësuesit që na dhanë mësim gjatë këtyre viteve të parë të shkollës. Kanë kaluar 74 vjet nga 28 marsi i vitit 1945. Kur u hap shkolla ishin ishin 200 pionierë që vinin nga radhët e reparteve partizane. Ndër ta dhe pesë vajza: Veronika Muzaka, Katerina Prifti, Xhevrie Golemi dhe Bukurie Malo. Sakaq, komandanti i parë i shkollës Thoma Frashëri, thirri një staf të zgjedhur pedagogësh e komanduesish, me të cilët shkroi historinë e ditëve dhe viteve të para të kësaj shkolle. Kanë mbetur të nderuar në kujtesën e skënderbegasve, emrat e kuadrove të parë si drejtor shkolle Dule Pashai, komandantët Isuf Bobaj, Shuaip Llaze, Filip Stefani, Kadri Mullai, Miço Kola, mësuesit: Pavlina Grabocka, Kadrie Kopliku, Selman Tafai, Hamdi Cani, Arqile Kondi etj. Viti i parë stërvitor nuk dallonte shumë nga një betejë luftarake. Nuk kishte as laborator, as një bazë materiale, por kishte shumë vullnet e këmbëngulje. Plot vështirësi ishin dhe vitet në vijim, por falë punës pasionante dhe plot përkushtim të kuadrove dhe mësuesve çdo gjë u kapërcye duke kristalizuar përvojën e një shkolle me standard. Nga e kaluara ne nuk trashëguam asnjë shkollë ushtarake, prandaj ato do të ishin një organizim i ri, si në formë, ashtu edhe në brendësi e në qëllimin e saj. Pionierët e ardhur u inkuadruan në katër kompani sipas kohës së ardhjes. Më 28 mars 1947 kolektivi i shkollës festoi përvjetorin e dytë të krijimit të saj më detyra të realizuara. Në këtë ditë të përvjetorit të shkollës u zbukurua si në ditë feste. Skënderbegasit, ish-partizanë zbukuruan gjokset e tyre me medaljet e “Trimërisë”, “Kujtimit” e të “Çlirimit” dhe me krenari tregonin se ata kishin qenë pjesëmarrës të një epopeje të lavdishme të popullit tonë, shut si në luftë ata përdornin pushkën me zgjuarsi e shkathtësi, po me atë vrull e pasion, po me atë durim e këmbëngulje u hodhën në frontin e mësimit e të edukimit. Ashtu si në luftë kalonin nga fitorja në fitore dhe në shkollë kalonin nga suksesi në sukses. Skënderbegasit me energji të reja filluan vitin mësimor 1952-1953. Në këtë vit baza material për mësim ishte përmirësuar më shumë. U krijuan laboratorët e parë për fizikë dhe kimi me profesor Lazar Mbreshtanaku dhe Agime Çela. Ishin dhe profesorët e mi, që ishin brilantë. Gjithashtu u krijuan dhe dy dhoma me vlera të mëdha për historinë e Shqipërisë dhe ajo e kulturës. U krijua kabineti i zjarrit (armatimit) dhe u shtua baza materiale për lëndët e letërsisë, historisë dhe të gjeografisë. Të gjitha këto ndikuan për një përvetësim më të madh të arsimit dhe për rezultate në mësim, rregull dhe disiplinë.

Në fillim të vitit 1948 shkolla “Skënderbej” kishte në krye drejtor shembullor deri sa doli në pension, Stavri Angjeli, i papërsëritshëm. Unë i kujtoj me mirënjohje e respekt të gjithë mësuesit që na dhanë mësim gjatë atyre viteve të parë të shkollës. Por veçanërisht në kujtesë Sadete Kasa, do të thosha e madhja Sadete, ishte pedagoge brilante, një mësuese e re, e pasionuar pas lëndës së letërsisë. Ngeleshim me gojë hapur kur ajo zhvillonte mësimin e saj. Ku e gjente atë pasion? Ç’e shtynte të transformohen në Pushkin, në Molier e në Homer? Respekt, o mësuesja jonë e atyre viteve. Gjatë shpjegimit të mësimit, lëvizte në klasë, na vinte te banka ku ishim ulur, na përkëdhelte flokët e ne rriteshim më shumë, hiqnim emocionet dhe ngushtoheshin distanca që janë të zakonshme midis mësuesit dhe nxënësit.

Përvjetorë dhe vizita e Zhukovit

Shumë ditë para 28 marsit 1955 në shkollë filluan përgatitjet për nder të 10 vjetorit të krijimit të saj. 28 marsi shkollën e gjeti të zbukuruar për ditë feste. Ata hidhnin sytë në rrugën 10 vjeçare të saj dhe bënin bilancin e fitoreve dhe të sukseseve. Më kujtohet mirë mbledhja solemne me rastin e 12 vjetorit të krijimit të shkollës në vitin 1957. Në shkollë u organizua një ceremoni e bukur ku morën pjesë dhe gjeneralët: Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Rahman Përllaku, Hito Çako, Et’hem Gjinushi etj. Në sallën e kinemasë së shkollës përshëndeti ministri i Mbrojtjes gjeneral-lejtënant Beqir Balluku. Në vitin 1957, erdhi për vizitë në Shqipëri Marshalli i Bashkimit Sovjetik Zhukov, marshalli legjendar katër herë Hero i Bashkimit Sovjetik, njeri që së bashku me Stalinin, përballuan nazizmin gjerman në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ai bëri një vizitë në shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar, ku e pritën siç e meritonte një marshall. Atij i pëlqeu shumë shkolla, ambienti i bollshëm, gjelbërimi, rregulli dhe gjithçka e saj. Zhukovi i madh u kënaq shumë nga gjithçka që pa. Ndaj unë jam krenar për shkollën time të mesme ushtarake “Skënderbej”. Gjithmonë pyes veten se ç’është ajo forcë magjike që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë më shtohet malli e dashuria për shkollën ushtarake “Skënderbej”.

Kultura dhe uniforma

Unë aty, kam kaluar pesë vjet në bankat e saj, kam kaluar vitet më të bukura të moshës dhe ia dedikoj brumosjen time si kuadro e qytetar, e mbi të gjitha edukimin me veti të tilla morale, duke gdhendur në zemrën time me germa të arta kryefjalën Regjim. Kjo shkollë më ka dhënë të drejtën që duke përballuar me kurajë rrebeshet e jetës, jo vetëm të mos turpërohem asnjëherë, por të ndjehem krenar i kësaj shkolle, që si një nënë e mirë dhe e kujdesshme më mori qysh fëmijë në gjirin e saj të ngrohtë e duke më mbajtur përdore, më tregoi rrugët e ndryshme se nga duhet kaluar, për të kryer me ndërgjegje të lartë detyrën para popullit dhe Atdheut. I jam në veçanti mirënjohës për kulturën, me të cilën më pajisi, karakterin burrëror, përkushtimin dhe iniciativën në punë, kalitjen fiziko-ushtarake dhe shpirtin e pastër poetik. Them kulturën pasi duke pasur mësues të mrekullueshëm dhe nga më të zgjedhurit. Kjo shkollë u bë gjimnazi më cilësor në kryeqytet dhe në të gjithë Shqipërinë. Kultura me të cilën e pajisën skënderbegasit dhe që u plotësua në shkollat e tjera civile e ushtarake dhe akademitë brenda dhe jashtë vendit, ku shumë prej tyre arritën rezultate të shkëlqyera, rezultoi më pas me tërë forcën e vet, në të gjitha repartet dhe efektivat e ushtrisë popullore. Në vite nxënësit e kësaj shkolle u bënë kuadro të shquar në të gjitha rangjet dhe drejtimin e llojeve të ndryshme të armëve, si tokësore, ajrore e detare.

Edhe ajo uniformë e shkëlqyer ishte në harmoni me cilësinë e mësimdhënies. Uniforma e skënderbegasve ishte si e gjeneralit, veç në spaletat tona shkruhej “Skënderbegas”. Na vinte shumë bukur, kur shëtisnim rrugëve të Tiranës. Njerëzit na shikonin me simpati, pantallonat anash ishin me shirit të kuq. Kjo uniformë brilante u bë pjesë e jetës tonë. Kujtoj me dashuri e respekt shokët e klasës në vite e në atë shkollë të papërsëritshme. Kontingjenti i Ministrisë së Mbrojtjes: Mikel Janku, portier i “Partizanit”, Kutel Çino, Asqeri Emini, Bajram Kaflja, Hysen Serani, Kujtim Lamani, Isuf Baboçi, Shaban Xhebraj, Hasan Jonuzi, Vangjel Gjergo, Rexhep Alimemaj. Kontingjent i Ministrisë së Brendhsme: Diogjn Gjergji, Çerçiz Leli, Aleks Mero, Asqeri Kapaj, Braho Llapi, Rustem Shakaj, Servet Murati, Sotiraq Gjylameti, Tajar Ramadani, Vangjel Loli. Me dhjetëra janë ata që kanë fituar tituj e grada shkencore, apo janë bërë shkrimtar, artist e sportist të dëgjuar si Mikel Janku.

Nga vendosja e emrit deri në mbyllje

Kjo shkollë u bë në dekada fidanishtja kryesore e ushtrisë popullore. Në shkurt të vitit 1947, shkolla me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor mori emrin Shkolla ushtarake “Skënderbej”, emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ti o shkollë dhe ju të nderuar profesorë e mësues! Ne u titulluam oficer dhe mbajtëm detyra të rëndësishme, por ndaj Atdheut mbetëm ushtarë, sepse ti o shkollë e paharruar me merak të madh na bëre mbi të gjitha Atdhetarë. Më 15 nëntor të vitit 1993 me urdhër të ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali dhe në zbatim të një dekreti të veçantë të presidentit Sali Berisha, shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” u mbyll përgjithmonë. Aktualisht sot në mjediset dhe objektet e saj vazhdon aktivitetin Shërbimi Informativ Shtetëror.