Sigal

Kreu i qeverisë Eduard Filippe deklaroi dje në “France 2” se Shqipëria nuk i ka përmbushur detyrat e integrimit, për rrjedhojë porta e madhe drejt BE-së do qëndrojë e mbyllur. Edhe vendet evropiane nuk shikojnë progres të reformave, mungon rendi kushtetues dhe droga e krimi sundojnë vendin

Edhe sesioni i ri parlamentar në Shqipëri ka filluar me konfliktualitet politik, sa opozita, jo vetëm e ka bojkotuar, por dje ka paralajmëruar për bojkot deri sa nga parlamenti të largohen deputetët që janë të lidhur me krimin.

Reformat që kërkon BE, nuk realizohen

Në Shqipëri ende mungon rendi kushtetues, derisa Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, Gjykata e Lartë ka mbetur me 4 anëtarë, nga 19 që duhet të ketë, institucionet e reja të Drejtësisë, që janë pjesë integrale e Reformës së Re në Drejtësi, nuk po ndërtohen. Bashkimi Evropian i kushtëzoi Shqipërinë më 28 qershor 2018, që deri në qershor 2019, kur do të rishqyrtohet kërkesa e Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, të ndërtohen të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, të jetë riformatuar Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, nëse do të ndiqet procedura e parashikuar në ligjet përkatëse, vështirë që të arrihet koha deri ën qershor 2019 që të konkretizohen kushtet e BE-së për Drejtësinë tonë.

Krimi dhe politika bashkëpunojnë

Çdo ditë dalin fakte dhe ngjarje tronditëse, ku dëshmojnë se krimi jo vetëm po sundon në Shqipëri, por ka kriminalizuar edhe struktura të shtetit. Deputetë, që janë protagonistë në ngjarje kriminale, fakte, që dëshmojnë bashkëpunim të njerëzve të krimit të organizuar me drejtues të lartë të strukturave të shtetit. Mungon vullneti politik për të luftuar krimin e organizuar, institucionet e specializuara të hetimit janë nën presion politik dhe nuk mund të veprojnë të pavarura, siç e kërkon ligji. Shqipëria ende është vendi i origjinës së lëndëve narkotike, të cilat, paskëtaj, trafikohen në vendet e Evropës.

Mafia shqiptare rrezikon edhe rendin publik në vendet kryesore të Evropës

Ngjarjet e fundit me bandën e Bajrave treguan se mafia shqiptare është shumë e rrezikshme edhe në vendet e BE-së, sikurse Belgjika dhe Holanda, të cilat, edhe pse i janë drejtuar disa herë institucioneve të prokurorisë, gjykatave dhe Policisë së Shtetit në Shqipëri, nuk kanë marrë përgjigje, çfarë tregon se në Shqipëri nuk ka aspak vullnet politik për të luftuar krimin e organizuar. Shqetësimi i këtyre shteteve ndaj përmasave të tmerrshme që ka edhe në vendet e tyre krimi i organizuar nga mafia shqiptare, por edhe mungesa e vullnetit politik nga qeveria shqiptare për të bashkëpunuar konkretisht, bën që këto qeveri të tregohen jo vetëm skeptike, por edhe të mos pranojnë assesi, që BE të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërisë. Për Belgjikën, Francën, Holandën, është e papranueshme që një shtet, ku është shndërruar nga Mafia, si “Kolumbia” e hashashit në Evropë, të bëhet anëtare e BE-së

Kryeministri francez: Nuk ka negociata me Shqipërinë

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe është shprehur mbrëmjen e djeshme se nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë. Duke folur në emisionin më të ndjekur politik në Francë “L’emission politique” që transmetohet në “France2”, Philippe është shprehur se nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me politikën e Francës për negociatat me Shqipërinë. “Presidenti i Francës ka qenë i prerë, nuk do të ketë negociata”, është shprehur Filipe, duke i dhënë përgjigje analistit Thomas Sotto.