Sigal

INDONEZI – Mbi 380 persona kanë humbur jetën për shkak të një cunami të fortë të shkaktuar nga një tërmet me magnitudë 7.5, i cili goditi qytetin bregdetar të Indonezisë Palu bën të ditur Agjencia kombëtare e katastrofave.

Cunami ka shkaktuar dallgë tre metra të larta. Sakaq, një numër i madh personash kanë mbetur të lënduar. Gjithashtu, bëhet e ditur se janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe një numër i konsiderueshëm i viktimave janë gjetur nën rrënoja. Qindra shtëpi, spitale, hotele dhe qendra tregtare janë shkatërruar.

Energjia elektrike është ndërprerë në pjesë më të madhe të qytetit dhe rrugë kryesore janë bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dheut. Autoritetet kanë bërë të ditur se autostrada është dëmtuar dhe shpresojnë që të vijnë në ndihmë helikopterët. Pas tërmetit, u dha alarmi për cunami, por u hoq brenda pak orëve. Ndërkohë, kritika të shumta kanë vërshuar drejt Agjencisë së Meteorologjisë në vend. Një cunami në vitin 2004, i shkaktuar nga një tërmet në ishullin indonezian Sumatra solli vdekjen e 226 mijë personave përgjatë brigjeve të Oqeanit Indian.