Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ishte sot në Fier në një takim ndryshe me të rinjtë e LRI. Kryemadhi u shpreh se të rinjtë aspirojnë për të pasur një jetë më të mirë dhe dëshirat e tyre janë më të mëdha se brezat e mëparshëm.
Ajo u shpreh se Fieri ka mjaft bukuri, por edhe mjaft vlera të tjera siç është arsimi duke kontribuar në zhvillimin e shumë objektivave
Kryemadhi paralajmëroi takime të tjera me të rinjtë në çdo qytet të vendit për të njohur nga afër problematikat dhe vizionin e tyre.
“Është krenari për forumin tonë rinor sepse të kesh kaq shumë djem dhe vajza të cilët aspirojnë për të pasur një jetë më të mirë dhe dëshirat e tyre janë më të mëdha se dëshirat tona shumë vite më para. Por ky takim na detyron neve që të jemi akoma dhe më të qëndrueshëm, më këmbëngulës për sa i përket të gjitha angazhimeve tona si Lëvizje Socialiste për Integrim për arsimin, për arsimin e lartë, për tregun e punës dhe për të krijuar mundësi për ju që asnjëri të mos ndjejë mundësi për të jetuar më mirë jashtë Shqipërisë, por të gjejë mundësi të mrekullueshme në Shqipëri dhe pse jo në qarkun e Fierit.
Ne sot jemi këtu në pyllin e Semanit. Një mrekulli. Mua më duket vetja si në filmat e Hollywood që janë me përralla. Dhe në fakt është hera e parë që vij. Nuk është ndonjë mburrje për ta thënë po është ndoshta dhe një kërkesë faljeje ndaj jush për të pasur më shumë vëmendje ndaj bukurive që ka Shqipëria dhe sidomos qarku i Fierit.
Qarku i Fierit është qarku më i pasur në Shqipëri, jo vetëm për sa i përket burimeve natyrore, por edhe për sa i përket kapaciteteve njerëzore. Në të gjithë historinë time unë shoqet e mia që kam pasur nga Fieri në universitet kanë qenë studentet më të mira në kurs, me mesataren më të lartë. Po ashtu edhe në gjimnaz ku kanë qenë me origjinë nga Fieri, sepse Fieri ka qenë një qark i cili ka pasur mundësinë dhe konkurrencën shumë të lartë edhe në arsim, edhe në zhvillimin e shumë objektivave po themi qoftë në shkencë, qoftë në naftë, apo Instituti Kërkimor i Naftës, nuk e di nëse vazhdon më apo jo, e shumë gjëra të tjera.
Mendoj që duke ardhur bashkë me Kejdin këtu, jo pa qëllim kemi menduar për të pasur një angazhim shumë të madh tonin në qarkun e Fierit, sepse ne mendojmë që Fierit duhet t’i rikthehet fuqia, autoriteti dhe pushteti në dorën e qytetarëve të Fierit. Këtë nuk do ta bëjmë ne, këtë do ta bëni ju sepse mendojmë që më shumë se kurrë jeni ju ata që jeni të gatshëm për të dhënë çdo gjë dhe për të bërë çdo gjë për ta bërë Fierin një qytet jo vetëm të banueshëm, por një nga qytetet më të begatë për sa i përket edhe të ardhurave për frymë, por edhe shumë mundësive të tjera që sot ka nevojë.
Ne në fakt kemi filluar një lëvizje në të gjithë Shqipërinë, kemi filluar në Tiranë, sot jemi në Fier, nesër përsëri do të jemi në disa qytete të tjera për t’u takuar me të gjithë maturantët dhe studentët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm me ta, edhe për ta zgjeruar rrethin. Sepse kjo gjë na bën të mundur për të zgjeruar LSI-në, për t’i krijuar hapësira më të mëdha LSI-së, sepse ne si forcë politike jemi gjithmonë jo vetëm të hapur, por jemi të etur për të rinjtë dhe të rejat, sepse vetëm në këtë mënyrë Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë gjithmonë më pranë njerëzve, do të jetë gjithmonë më pranë familjeve. Sepse ashtu siç prindërit sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre, edhe ne do të sakrifikojmë çdo gjë si LSI për të rinjtë dhe të rejat tanë.
Ne mendojmë që e ardhmja e Shqipërisë nuk janë partitë politike, ne mendojmë që e ardhmja e Shqipërisë jeni ju, mendojmë që dëshirat, ëndrrat dhe angazhimet tuaja do ta ndryshojnë këtë vend. Ashtu siç erdhët sot këtu për të bërë këtë takim, pastruat gjithë këtë hapësirë, ku njerëz kanë ardhur e kanë bërë piknik me ditë të tëra, kanë kaluar me orë të tëra, por asnjëri nga ata nuk i ka kushtuar qoftë edhe 10 minuta për të pastruar vendin ku kanë kaluar orët me gëzim.
Ishte një mesazh shumë i mirë dhe i qartë nga ana juaj për ta pastruar dhe pse jo edhe për t’u angazhuar e për të ftuar edhe strukturat e tjera të rinisë, qoftë të Tiranës, Durrësit, Lushnjës, Beratit e të rretheve të tjera për të ardhur për ta pastruar pyllin e Semanit. Edhe pse qeveria merr projekte pafund për të pastruar, apo paguan para pafund për të pastruar nuk ndodh asgjë. Megjithatë ne nuk e bëjmë këtë për qeverinë, ne do ta bëjmë këtë për veten tonë. Do ta bëjmë për të kaluar momentet tona më të mira, për të kaluar momente të bukura dhe pse jo edhe për ta zgjeruar akoma më shumë të gjithë këtë hapësirë kaq të bukur, që kampet e LRI-së mos t’i bëjmë më në Jalë, por mund t’i bëjmë edhe këtu në Seman, se qenka shumë bukur. Unë ju falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohëse”, u shpreh Kryemadhi.