Kryemadhi: Një nga problemet më të mëdha shpopullimi, duhet një shtet social për këtë situatë

Unë isha në Pogradec nëpër fshatra, në qytet. Ishim nëpër shtëpi dhe ajo që vëmë re është largimi. Një nga problemet më të mëdha është boshatisja dhe shpopullimi i fshatrave dhe sidomos qyteteve që janë në kufi. Përrenjasi, Pogradeci po ashtu, që të thuash është një qytet turistik, vjen në Korçë e njëjta gjë. Edhe pse shikojmë atë turizmin për momentin, një të shtunë ose të dielë, por ja ku jemi sot këtu në Maliq dhe ja si thoni ju, që tërë fëmijët i keni jashtë.

Ndërkohë që pensionet e pensionistëve që janë të vetën nëpër shtëpia janë ku thërret qameti. Ndërkohë vajzat dhe djemtë e rinj mezi presin të ikin, sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë një mundësi. Vështirësitë ekonomike shtohen çdo ditë e më shumë. Unë dua t’iu falenderoj shumë që më keni respektuar sot dhe ne në fakt në këtë situatë të vështirë edhe të pandemisë, edhe të shtetrrethimit, sepse jemi bërë si tek filmi “Dimri i Fundit”. U jam shumë mirënjohëse edhe të zonjës dhe zotit së shtëpisë që na hapën derën dhe na pritën, por edhe që na krijojnë këtë mundësi, sepse kur qajmë edhe hallet e kur diskutojmë jemi edhe më pranë jush. Qajmë dhe pak hallet e burrave, meqë i kemi. Po shyqyr që i kemi, sepse familja është shumë e rëndësishme dhe nganjëherë me njëri tjetrin edhe zihemi, edhe duhemi, edhe ngatërrohemi, por në fund të ditës ngelet forca dhe fuqia.

Sigal

Është shumë e vështirë për gratë kryefamiljare, sidomos ato që janë me fëmijë të vegjël, për t’i rritur, për t’i mbajtur, për t’i shkolluar e për t’u kujdesur. Sepse babai është një ndihmesë dhe një dorë e fortë për fëmijët që rriten. Por po të ketë një shtet të fortë e social, normalisht e bën edhe më të thjeshtë këtë situatë.

Në sot e kemi lënë që të kalojmë të gjithë ditën në Maliq, nëpër shtëpi dhe takime. Kemi lënë takimet nëpër shtëpia sepse edhe mundësitë janë më të pamundura për njerëzit, disa edhe nga koha, apo nga frika e qeverisë, se disa të thonë të heqin motrën apo vëllain nga puna, sepse këta kanë kaluar më keq sesa lufta e klasave. Megjithatë unë them që nuk është ky problemi, problemi që kemi ne sot të gjithë është çështja e punësimit. Krijimi i hapësirave për bujqësinë në këtë zonë është një nga problemet kryesore.

 

Fuqia që kanë gratë është e jashtëzakonshme. Është fuqia e nënës, është fuqia e vajzës, e gruas, ajo që mban në njëfarë mënyrë familjen. Një nga problemet më të mëdha është që shteti nuk u gjendet qytetarëve, edhe pse qytetarët paguajnë taksa, edhe me atë fukarallëkun dhe pamundësinë e vet, por taksave u rrinë gati, dritave, ujit, taksave të bashkisë, taksave të pastrimit. Çdo ditë u shtojnë taksat, por kur vjen puna për t’iu gjendur njerëzve nuk iu gjenden.

Edhe ne kemi bërë gabimet tona si politikanë, sepse arsyeja që është kjo gjendje kaq e tmerrshme vjen edhe si rezultat i indiferencës sonë, apo herë pas here i pakujdesisë. Dhe në fakt çfarë kemi prodhuar? Kemi prodhuar një arrogancë politike, njerëz që nuk duan t’ia dinë për njerëzit. Qeveri të cilat nuk kanë frikë nga vota, edhe pse krijohen dhe shkatërrohen nga vota e popullit. Pra do të thotë që ata nuk kanë më frikë nga njerëzit të cilët i kanë votuar. Duhet të punojmë që deri më 25 prill t’i çojmë të gjithë tek kutia e votimit.

Me kohën do japim mundësi, sepse edhe do takojmë më shumë njerëz, edhe do bindim më shumë njerëz. Ka socialistë të zhgënjyer, të cilët kanë edhe frikë të dalin hapur apo të shprehen, por e mbajnë brenda vetes së tyre. Por ka ardhur koha që në të shkojmë shtëpi më shtëpi.
Ne nuk do të ndalemi. Unë e kam thënë që Endriti do takojë 1500 njerëz në ditë, së bashku me Petrikën, Faslliun, me Dafinën, bashkë me ju, me të gjithë ata studentë që kemi në Korçë.

Në Pogradec kur isha, në një nga lagjet më të vjetra të Pogradecit, të njëjtën gjë thanë: Do ta tërheqim zvarrë. Në fakt qëllimi ynë nuk është ta tërheqim zvarrë atë. Qëllimi ynë është ta ndryshojmë këtë tranzicion. Të largojmë këtë lloj sistem të kalbur, që në njëfarë mënyre punon për 3 veta. Nuk mund të punojë e gjithë Shqipëria për 3 veta. Nuk mund të punojë e gjithë Korça për Rragamin. Rragami rrugët, Rragami sheqerin, Rragami hotelet, Rragami kullën, Rragami dreqin e shejtanin. Pra Rragami kontrollon çdo gjë. Nuk ka më në dorë të një njeriu. Nuk mund të kenë oligarkët në dorë jetën e njerëzve. Nuk mund të ketë Edi Rama çdo gjë. Nuk mund të punojë një njeri dhe të shfrytëzojë të gjithë popullin. Nuk ka më. Shqipëria është e të gjithëve. Shqipëria nuk është as e Edi Ramës, as e Monikës, as e Lulzim Bashës, as e Ilir Metës. Ne të gjithë jemi kalimtarë, këtu të vetmit njerëz që qëndrojnë janë shqiptarët, janë fëmijët tanë. Janë nipërit e mbesat. Kanë kontribuar e punuar gjyshërit tanë, pavarësisht se çfarë sistem ka qenë. Ishte fabrika e sheqerit, por punonte i gjithë qyteti, i përgjigjej.

Sot ndërkohë të gjithë ato toka mund të kthehen në prodhimtari për panxharin e sheqerit, mund të bëhet sërish fabrika, e cila mund të kthehet në një fuqi punëtore, rritje ekonomike të zonës e pafund gjëra. Ne po blejmë 4 fishin e kiles së sheqerit sepse duam sheqer organik, kur ne mund ta prodhojmë këtu shumë të mirë. Pra ka pafundësisht mënyra, por duhet një vullnet politik, duhet dëshira e mirë. Ne themi sistemi, sepse ai është që na garanton. Sepse mund të çmenden politikanët, por nuk çmendet sistemi. Por kur nuk ke sistem, politikani i çmendur krijon sistem të çmendur.

Pesë premtimet tona ne i kemi shumë të thjeshta. Në fakt kur themi atë 5% e rimbursimit, për momentin nga varfëria shumë e madhe që është nëpër qytete dhe fshatra, duket pak si absurde. Por duam apo s’duam, edhe ajo zonja që merrte ndihmën ekonomike, harxhon 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Pra blen bukë, blen sheqer, blen rroba, blen vaj. Dhe ju të gjitha çfarë blini, i blini me TVSH. Por ama ty të vijnë po i shite pa kupon tatimor dhe të thonë ose më jep lekë t’i fus unë në xhep për korrupsion, ose ta mbylla dyqanin e të vë gjobë. Ndërkohë ti sheqerin e ke blerë me TVSH, vajin, bukën. Ti nuk e shet dot bukën pa TVSH. Sepse ai që ta ka shitur bukën ta ka shitur me gjithë TVSH. Por ka një problem. Ne të gjithë e paguajmë çmimin e TVSH-së, edhe tek shishja e ujit, edhe të buka, edhe te sheqeri, edhe te vaji, kudo. Por 4-5 oligarkët e mëdhenj që janë të lidhur me qeverinë, që sjellin mallra importi me vaporë e me kontejnerë, nuk e paguajnë TVSH-në. E paguajnë në hyrje, por në shitje nuk e paguajnë. Por janë 1.5 miliardë dollarë në vit që nuk futen në buxhetin e shtetit. Por çfarë janë këta? Është fabrika e kallam sheqerit në Maliq, është rafineria naftës në Ballsh, është rafineria e naftës në Fier, është fabrika e qelqit në Korçë, edhe ajo në Kavajë.

Ne 400 milionë euro i dhamë për inceneratorët e plehrave, ndërkohë që kur të hapen negociatat nuk ka më inceneratorë, sepse e ke kusht nga Bashkimi Europian. Do t’i rikthehesh riciklimit, do mbledhësh shishet e qelqit. Ku do t’i ripërpunosh? Do t’i çosh jashtë? Kur ndërkohë ke fabrika këtu, bëjnë shishe të tjera e të gjitha kështu me radhë.

Pra të gjitha këto para që në fakt shteti duhet t’i hidhte në investime e të krijonte vende të reja pune me pagë të mirë paguar, të gjitha këto para shkojnë në xhepat e oligarkëve, ose në xhepat e policive tatimore. Ju e dini shumë mirë sa polici ka. Ne kemi 12 polici, por 7 ditë ka java. Dhe të gjitha jo vetëm dalin nga xhepi, por ka edhe një gjë tjetër, që vidhen nga xhepi juaj. Sepse ne në fund të ditës të gjithë kur e blejmë bukën, 700 apo 800 lekë të vjetra, ajo 140 lekë e ka TVSH.

Ky 5% që unë them, nuk ka më policë që të vijnë atje, sepse për çdo para që unë do shpenzoj do marr 5%. Në 100 mijë lekë do marrësh 5 mijë lekë, por ai 5 mijë lekshi është një çokollatë, është një akullore, është një bluzë, është një llampë në shtëpi. Por ky 5 mijë lekshi që shkon në xhepin e një familjeje që merr ndihmë ekonomike, bëhet 1 miliardë e gjysëm në buxhetin e shtetit, dhe kjo gjë krijon punësim në kohën e turizmit, qoftë për të pastruar plazhin, apo studentët e rinj të vijnë të punojnë. Ose hajde të subvencionojmë bujqësinë. Duke subvencionuar bujqësinë ti krijon mundësinë që mos të na ikin e të punojnë ullinjtë e vendeve të tjera, as të mos punojnë në fabrikat e tjera, por të vijnë dhe të punojnë në vendet e tyre. Kjo është mundësia e parë kryesore.