Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi se buxheti që pritet të miratohet sot në një seancë maratonë në Kuvend, shkatërron sektorin më të rëndësishëm, siç është bujqësia.
Nga foltorja e Kuvendit Kryemadhi tha se buxheti i akorduar për këtë sektor është shumë pak, krahasuar me nevojat që kanë fermerët.
Teksa theksoi se një pjesë e fajit i takon politikës, Kryemadhi iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë të unifikuar.
“Buxheti i viti 2022 prek në mënyrë direkte prodhuesit shqiptarë.
Paketa e re fiskale e paraqitur sot për miratim është goditja e tretë fatale që I vjen sot qytetarëve pas termetit të vitit 2019 dhe më pas pandemisë. Sot duhet të kishim të paktën një paketë që do përkrahtë drejtëpërdrekjtë prodhuesit dhe fermerët për kategorinë më të madhe që jetojnë shqiptarët me mijëra të punësuar ne sektorin e bujqësisë, jo vetem të bujqësisë por dhe të prodhimit.
Do ta filloj me rritjen e çmimit me 6 lekë për litër të gazit për industrinë prodhuese. Sot, një fabrikë ka nevojë për 10 mijë litra gaz në ditë dhe në qoftë se do të bënim një llogari të thjeshtë kostot e këtij biznesi do të shtohen me 15.000 euro në muaj ose 180.000 euro në vit. Po t’i shtojmë dhe kostot e transportit e gjitha bashkë edhe me rritjen e çmimit të energjisë bizneseve tona i mbeten dy rrugë.
Të ulin prodhimin duke ulur njëkohësisht dhe numrin e punëtorëve.
Të mbyllin aktivitetin sepse e para nuk përballojnë dot me kostot dhe produktet e tyre humbasin konkurrueshmërinë në tregjet e huaja por dhe në atë vendas.
Hiqet rimbursimi i akcizës me 50 % për lëndën e parë djegëse që përdoret në fabrika.
Pra vazhdon paradoksi për atë që duam ta quajmë përafrim të legjislacionit tonë me Bashkimin Europian.
Asnjë vend në Europë nuk lejon që të ketë akcizë për këtë produkt.
Direktiva e këshillit është mjaft e qartë siç është transfozuar dhe në legjislacionin shqiptar, sa i takon akcizës për produkte energjitike të përdorura në procese mineralogike parashikon përjashtim nga pagesa e akcizës.
Qeveria shprehet se rimbursimi me 50% deri më sot ka qenë një trajtim preferencial për këto subjekte por në fakt ka qenë një shkelje e ligjit i cili mund të përkthehet dhe në një konflikt tjetër gjyqësor dhe një kosto tjetër për buxhetin e shtetit.
Por sërish po bëjmë hapa pas si në përkrahjen e biznesit prodhues ashtu dhe në legjislacion.
Kjo taksë do e bëjë produktin Made in Albania më pak të konkurrueshëm në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e vlerës së importit të makinerive për të përfituar përjashtimin nga tvsh-ja nga 50 milionë lekë në 500 milionë.
Me një të rënë të lapsit kjo nismë do të godasë direkt bujqësinë dhe prodhuesin vendas, 10-fishimi i vlerës e bën të pamundur që fermerët të kenë mundësinë e investimeve.
Por vazhdojmë dhe më tej se paketa përveç prodhuesve prek dhe fermerin e thjeshtë.
Paketa fiskale parashikon shtimin e kostove për këtë kategori e cila ka patur një numër shumë të lartë të vetëpunësuarish.
Kostoja me 10% e rritjes së tvsh-së për imputet kjo automatikisht shton kostot për fermerin e thjeshtë i cili mirë që nuk ka garanci për atë ç’ka blen por tashmë duhet ta blejë dhe 10% më shtrenjtë. Mos të harrojmë skandalin e fundit të farës së domates ku Ministria e Bujqësisë as nuk denjoi të lëshonte një letër me vulë e firmë që femerët të mbroheshin në gjykatë por u bënë fajtorë fermerët duke i quajtur se nuk dinë të ujisin dhe të vadisin.
Hiqet kompensimi 6% i tvsh-së në shitje.
Të gjitha këto propozime të paketes fiskale do të shtojnë kostot me 40 milionë dollarë në vit për fermerët dhe prodhuesit pa menduar sesa janë rritur çmimet në tregjet ndërkombëtare për imputet. Por çfarë bën qeveria? Del dhe thotë që do të kemi skema subvencioni dhe investime në këtë fushë.”





















