Kryemadhi: Energjia e LSI, të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri. Korça sot nuk është më mirë sesa 4 apo 8 vite më parë

269
Sigal

Sot do dëshiroja të flisja për qytetin e Korçës, që është një nga qytetet më të bukura që ka Shqipëria, për shkak të historisë, për shkak të traditës, për shkak të kulturës, për shkak të universitetit, që edhe pse ne dëgjojmë problematika pafund, duke filluar që nga tarifa e deri te mësimdhënia, kushtet apo mungesa e kërkimit shkencor në universitete. Sido që të jetë është një qytet që e fusim në listën tonë të qyteteve më të preferuara. Por kur pyesim korçarët, sidomos të rinjtë dhe të rejat, a jeni më mirë seç ishit 4 vite më parë, apo 8, 12, apo edhe 20 vite më parë, prindërit e tyre i dëgjon jo. Një gjimnazist thotë nuk e di, gjyshërit thonë njëherë e një kohë, e kështu me radhë. Po të shkosh të pyesësh a ka më shumë vende pune sot në Korçë, njerëzit thonë jo ka më pak. A ka më shumë të rinj në Korçë sot? Jo thonë, janë larguar. A ka më shumë investime në Korçë sot? Jo thonë, investohet për të tretën herë në të njëjtin projekt. A ka më shumë familje të reja në Korçë? JO thonë, largohen çdo ditë e më shumë.
E pra kur shikojmë atë që ndjejmë çdo ditë, Korça një qytet që të ofron traditën, familjen, jeni të lidhur më ngushtë me njëri-tjetrin, mendoni se si mund të jetë Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri e të gjitha me radhë. Çdo ditë e më shumë shtëpitë tona dhe qytetet po zbrazen sepse fëmijët tanë nuk kanë mundësi. Nuk iu ofrohet punësimi, arsimi, shërbimi shëndetësor, infrastruktura dhe lëvizja e lirë, ajo që është më e rëndësishme, nuk i ofrohet shpresa. Prandaj ne si LSI kemi menduar që të gjejmë rrugën më të mirë që nuk është duke iu ftuar të votoni Monikën, votoni LSI. Ne mendojmë që rruga më e mirë për fëmijët tanë, për Shqipërinë, për fëmijët e shqiptarëve është që ne t’iu ofrojmë LSI. Ne iu ofrojmë LSI-në, këtë parti politike që ka një histori 16 vjeçare e krijuar nga një grup të rinjsh eurosocialistë shqiptarë, nga disa intelektualë të pavarur që iu bashkuan nismës politike të 16 viteve më parë të Ilir Metës, sot President i Republikës. Iu ofrojmë sot këtë investim disa vjeçar për ju të rinj dhe të reja, për ju brezin e pedagogëve të rinj që duan të ndryshojnë realitetin. Për brezin e Ismeraldës, Fabjolës, Krenarit, për kushërinjtë tuaj, për shokët tuaj. Merrini dhe kthejini në një pedant që t’ju shërbejë ju për ta kërcyer dhe për ta çuar Shqipërinë drejt BE.
Jo me fjalë, por me dinjitet dhe integritet, me vepra, me punë të mirë paguar, me arsim cilësor, me shëndetësi cilësore, me ekonomi të hapur, me zhvillim ekonomik të vendit, me hapësira dhe mbi të gjitha me demokraci dhe me fjalë të lirë. Atë që para 30 viteve e ngritën studentët e dhjetorit sot pas 30 vitesh ne vazhdojmë dhe diskutojmë fjalën e lirë dhe demokracinë. Në bazë të demokracisë ndërtohet liria ekonomike, lëvizja e lirë e qytetarëve, marrëdhënia njerëzore midis njëri-tjetrit, ndërtohet mbi të gjitha ajo familje që për ne është shumë e rëndësishme. Nuk dua të zgjatem sepse besoj te Petrika dhe te ekipi i Petrikës dhe dua të theksoj që shanset dhe mundësitë nuk janë as për Petrikën, as për Endritin, as për Suelën, as për profesorin, Eriseldin, as për Krenarin, as për Ismeraldën, as për Fabjolën, mundësitë janë për Korçën dhe për rininë korçare. Sepse sot duke marrë në dorë drejtimin e LSI Korçë me këtë grup të jashtëzakonshëm të cilët janë të ditur, kanë dëshirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, kanë dëshirë të investohen për të ardhmen e vendit, për veten e tyre, për familjen e tyre, për rrethin shoqëror, për qytetin e tyre. Ky është fati më i madh që ka LSI-ja, kjo është energjia e LSI-së. Kjo është edhe fuqia e LSI-së e cila është partia e të rinjve dhe të rejave, e cila do të jetë partia e familjes shqiptare që në themel të saj ka familje të konsoliduar, prindër të konsoliduar, të ardhme të konsoliduar dhe vetëm kështu ne mund të kemi një shtet të konsoliduar dhe ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.
Unë u jam shumë mirënjohëse, të jam shumë mirënjohëse Petrika që krijove një hapësirë komplet të re dhe qytetare për Korçën. Të jam shumë mirënjohëse Petrika që je përballur me sfida dhe me luftë të jashtëzakonshme edhe brenda nesh. Të jam shumë mirënjohëse që nuk u stepe nga skepticizmi i asnjë njeriu. Kjo është vlera jote më e madhe se nga një Petrikë i vetëm u bëre me mijëra Petrika, me mijëra djem dhe vajza, me mijëra shokë dhe shoqe. Jo vetëm shokë dhe shoqe të tu, por mbi të gjitha ti mblodhe rreth vetes pedagogë, individualitete, personalitete të qytetit të Korçës, të cilët ndoshta ne nganjëherë politikanët nuk mund t’i merrnim dot kurrë. Prandaj unë ju falënderoj, u jam mirënjohëse dhe e kthej veten time në shërbim të plotë ndaj jush për të arritur qëllimin kryesor jo vetëm integrimin evropian, por qëllimin kryesor për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, për të kthyer djemtë dhe vajzat e shqiptarëve në Shqipëri sepse vetëm kështu mund ta ndërtojmë vendin tonë që është vendi dhe populli më i vjetër në Evropë dhe në të gjithë botën po të doni ta quajmë. Zoti ju ruajt juve, familjet tuaja, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë dhe Zoti na ndihmoftë që t’i kthejmë fëmijët tanë në Shqipëri dhe të jetojmë të lumtur me ta. Faleminderit!