Kreu i Policisë Kriminale Tonin Vocaj: Janë arrestuar 35 shtetas dhe 20 të tjerë të proçeduar në gjendje të lirë

258
Sigal

Zbulohet një skemë zhvatjeje përmes ‘call center’ në Tiranë

Policia e Shtetit njoftoi të premten rezultatet e një hetimi disa mujor të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ndaj një skeme mashtrimi kompjuterik me qendër në Tiranë, por që kishte ndikim në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Hetimi ka zbuluar se organizatorët e kësaj veprimtarie kanë zotëruar të dhëna personale dhe kanë kontaktuar mbi 2 milionë shtetas të huaj me qëllim përfitimet financiare prej tyre.

Gjatë një konference të përbashkët, drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj dhe drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaruan se janë arrestuar në 35 shtetas dhe 20 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Mes të arrestuarve është edhe shtetas izraelit, Refael Genish, i cili dyshohet si organizator i skemës së mashtrimit kompjterik që u tha se ushtrohej nëpërmjet shërbimit “call center”.

“Nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar nën emërtimin ‘RG Capital’ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike ose siç njihet në vendin tonë ‘Call center’. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë,” tha Vocaj.

Deri tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj, të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar këta shtetas dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare të cilat varionin nga 500 euro e sipër. Vocaj sqaroi se personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës.Gjatë kontrolleve në ambjentet ku është ushtruar ky aktivitet, janë gjetur dhe sekuestruar 123 pajisje kompjuterike, 60 pajisje të telefonisë së lëvizshme, 3 laptop, 2 USB, karta të bardha të ngjashme me ato të bankave dhe një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sattiva. Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania RG Capital me pronar Refael Genish është regjistruar më 28 tetor të vitit 2016 dhe ka si objekt të veprimtarisë “konsulencë, tele-marketing dhe tele-shitje”. Në bilancin e vitit 2020, kompania deklaron të ardhura prej 144.2 milionë lekësh.