Kryemadhi: Ajo që të bën përshtypje sot është papërgjegjshmëria, por edhe pafytyrësia e qeverisë

237
Sigal

Fjala e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi nga bashkëbisedimi me gazetarët

Ju falemnderit për pjesëmarrjen në këtë situatë pandemie, që për mua mungesa e menaxhimit dhe e përgjegjësisë ndaj një shteti serioz ka krijuar një situatë të tillë të pamenaxhueshme, sepse të gjithë Shqipërinë e izoluam në periudhën mars, prill dhe maj dhe kishim vetëm 27 raste. Sot pas gjithë atij izolimi dhe gjithë asaj propagande që u bë shumë e madhe, kemi nga 300 raste në ditë. Mënyra dhe strategjia e funksionimit të Ministrisë së Shëndetësisë për situatat që kërkojnë profesionistët, angazhimi i politikës dhe i të bëri politikë me jetën e shqiptarëve nuk do të sillte gjë tjetër, veçse pasoja më të rënda.
U jam shumë mirënjohëse për angazhimin tuaj sot. Do të doja të kishim këtë bashkëbisedim jo vetëm me ju, por nëpërmjet jush, televizioneve tuaja dhe për të shpërndarë atë mendim dhe atë vizion që ne si LSI kemi jo vetëm për situatën, por edhe për vazhdimësinë. Gjendja ekonomike, si në raportin e fundit të FMN, ku thuhet se të ardhurat për frymë për shqiptarët jo vetëm që kanë rënë, por edhe borxhi është rritur. Pra nuk kemi të ardhura, edhe pse borxhi rritet çdo ditë, ndodh e kundërta me xhepin e shqiptarëve që ulet çdo ditë. Nga ana tjetër shikojmë një arrogancë dhe abuzivitet të jashtëzakonshëm që ndodh, tallje e herëpashershme me qytetarët, duke filluar nga bizneset e Tiranës e duke vazhduar më tej me rrethet e tjera, qarkun e Durrësit, qarkun e Elbasanit, Fierit dhe për të mos shkuar në fshatrat më të thellë të Shqipërisë.
Ajo që të bën përshtypje sot është papërgjegjshmëria, por edhe pafytyrësia e qeverisë kur sot mjafton të fokusohemi jo vetëm për skandalin e inceneratorëve ku kemi një përfshirje kriminale dhe korruptive, jo vetëm të strukturave të shtetit, por edhe një heshtje apo vendosje në gjumë të sistemit të drejtësisë, për të cilën pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha nga shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtar. Po të shkojmë në grevën e urisë që kanë zhvilluar naftëtarët e rafinerisë të Ballshit, që janë sot në ditën e 22, ku nuk shikojmë vetëm mungesën e lëvizjes, por edhe papërgjegjshmërinë dhe mos hetimin. Sot mjafton të shikojmë aktpadinë që shteti shqiptar ka bërë në gjykatë dhe reagimi është zero. Pronar i rafinerisë së Ballshit sot është shteti shqiptar dhe iniciativa më e vogël që mund të bëjë shteti është t’ju japi pagat atyre dhe t’u garantojë më pas rifillimin e punës, mjafton të marri vendburimin e naftës që ka sot Shqipëria që nga Patoz-Marinëza, Sheqi, Bankers e të tjera me radhë, do të ishte jo vetëm një rifillim pune, por do të ishte me të vërtetë një pasuri shumë e madhe jo vetëm për naftëtarët, por dhe për shtetin shqiptar.
Ajo që dua të theksoj dhe që dua të ndaj me ju sot është që ne si LSI jemi goxha të angazhuar jo vetëm në zbërthimin e kësaj skeme korruptive përsa i përket çështjes së grevës së naftëtarëve, pra mbani mend të gjithë se si punonjësit e stacionit të pompave në Poçem ishin prej 27 muajsh pa u paguar rrogat, pra bëhej fjalë për një shumë prej 230 mijë euro që ishte një shumë qesharake për buxhetin e shtetit ku ndërkohë ata mbanin të gjithë Bashkinë e Mallakastrës me ujin e pijshëm.
Ndërkohë në anën tjetër kemi po çështjen e inceneratorëve, unë vetë kam qenë në fshatin Vërri, pra në komunën e Mbrostarit ku jo vetëm është tani janë hedhur mbi 8 milion euro që nuk ishin absolutisht të domosdoshme sepse do të ishin të domosdoshme për të paguar pagat e naftëtarëve se aq është buxheti i pagave të naftëtarëve ta rafinerisë së naftës. Ndërkohë inceneratori i Elbasanit jo vetëm që nuk punon me kapacitetin e plotë, por nuk bën dot as 100 ditë në 3 vite që në momentin kur është inauguruar deri më sot.
Për të mos vazhduar më pas me pagesën e vlerës prej 23 milion eurove që janë për inceneratorin e Tiranës apo për të mos vazhduar më për aferën korruptive që sot të gjithë ndërtuesit në Tiranë për të hapur gropat e ndërtimit dhe pse paguajnë taksën 8% në Bashkinë e Tiranës dhe pse paguajnë taksën 3% për të pastrehat në Tiranë ose në shërbim të Bashkisë së Tiranës kanë dhe një shumë prej disa mijëra eurosh për dheun që hiqet nga gropa për t’ia dhënë një kompanie private dhe më pas kur ky dhe do t’iu duhet përsëri për të rimarrë dhe për të rimbushur gropat ata duhet ta riblejnë përsëri.
Pra një vepër korruptive mund ta quajmë e drejtpërdrejtë, një konflikt interesi, një gjobë që i vendoset biznesit shqiptar në mënyrë të tillë për ta çuar drejtpërdrejt në xhepat e njerëzve, të cilët kanë lidhje jo vetëm me politikën, por dhe me institucionet shtetërore.
Aq më shumë kjo mund të jetë jo vetëm arrogancë, por ka kaluar çdo llojë norme qoftë dhe koncepti ekonomik, po përveç konceptit ekonomik ka kaluar dhe çdo norme njerëzore ku ka të bëjë drejtpërdrejt me grabitjen dhe futjen e dorës në xhepin e të gjithë qytetarëve shqiptar. Sa më shumë rëndohet biznesi shqiptar, unë para disa ditësh isha me një pronar dyqani, pra mund të themi një biznes i vogël, taksat e tij bashkiake kanë qenë 160 mijë lekë të vjetra, sot i ka 1 milion e 700 mijë, ku në fakt shërbimet janë absurde dhe jo vetëm që nuk kanë asnjë llojë shërbimi, por përkundrazi çdo ditë në derën e biznesit të tij ka nga një llojë policie, pra kemi krijuar, më shumë polici sesa kemi krijuar lehtësira për qytetarët.
Unë ju falënderoj dhe jam e gatshme për çdo pyetje tuajën.