“Fuqia e opozitës më 25 prill do të jetë e jashtëzakonshme”, Kryemadhi: Ndryshimet në Kod nuk e shpëtojnë Ramën

250
Sigal

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, foli për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që ndalojnë koalicionet parazgjedhore.

E pyetur nga gazetarët se si do ta organizojnë koalicionin PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi theksoi se të dyja partitë janë në një proces hapjeje dhe fuqia e tyre më 25 prill do të jetë e jashtëzakonshme.

“Sa i përket Kodit Zgjedhor është vetëm një taktikë elektorale. Ne jemi përballur gjithmonë me taktikat elektorale të Edi Ramës.

Besoj i mbani mend ndryshimet që u bënë brenda natës. Taktikat elektorale krijojnë lehtësim shpirtëror te hallexhiu, por nuk shtojnë votat në kutitë e votimit. Ata mund të ndryshojnë çfarë të duan, por numri i votave është i njëjtë në fund të fundit. Ne jemi në pritje se ç’do të ndodhë me Kodin Zgjedhor për strategjinë tonë.

Presidenti i ka dhënë fjalën ndërkombëtarëve për t’i krijuar edhe një shans marzhorancës për të mos dalë mbi ‘5 qershorin’. Sa i përket kalkulimeve të jeni të bindur se fuqia e opozitës është e jashtëzakonshme dhe nuk ka të bëjë me atë që ne theksojmë ‘strategji politike’, por do të kalojë përmasat dhe më 25 prill do të jetë plebishitare.

PD po përzgjedh kandidatët, ne si LSI jemi në një proces zgjedhor. Kështu që të gjithë jemi drejt hapjes së partisë”, tha Kryemadhi.

Më tej, kryetarja e LSI u ndal te situata e krijuar nga koronavirusi, ku tha se mazhoranca bëri propagandë të madhe gjatë muajve të mbylljes totale të vendit.

“Mungesa e menaxhimit dhe përgjegjësisë të një shteti serioz ka krijuar një situatë të papërballueshme. të gjithë e mbajmë mend se në muajin mars kishim vetëm 27 raste me Covid, ndërsa sot pas gjithë asaj propagande të madhe, kemi 300 raste në ditë.

Për gjendjen ekonomike, mjafton të lexojmë raportin e fundit të FMN, ku të ardhurat për frymë të shqiptarëve kanë rënë. Nga ana tjetër shohim abuzivitetin e jashtëzakonshëm dhe talljen me shqiptarët.

Ajo që të bën përshtypje sot është papërgjegjshmëria dhe pafytyrësia e qeverisë. Pronar i rafinerisë së Ballshit sot është shteti dhe më e pakta që mund të bëjë është t’iu japë pagat punonjësve. Kjo do të ishte një pasuri shumë e madhe për naftëtarët. Ne si LSI jemi goxha të angazhuar në zbërthimin e skemës korruptive të rafinerisë”, u shpreh ajo.