Kryemadhi: 2019 viti i kapjes së shtetit, abuzuesit do të dalin para drejtësisë, ata që morën mandatet u shantazhuan

604
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një intervistë për Faxnews, ndërsa komentoi vitin politik që lamë pas, tha se viti 2019 ishte viti i kapjes së shtetit.

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi në politikën e ndjekur opozita këtë vit?
Jeni gazetarja e parë që thoni që 2019 ishte një nga vitet e egra të opozitës dhe kjo është e vërtetë, pavarësisht se pjesa më e madhe e gazetarëve kërkojë që të nxjerrin lajm apo një pjesë e stabilokratëve mendojnë që opozita ka bërë një opozitë sipërfaqësore. 2019 ka qenë një vit shumë i vështirë për shqiptarët. Është një vit që shqiptarët kanë qenë të varfër, kanë qenë më të censuruar, më të kërcënuar nga sistemi autokratik që ka ngritur rilindja. Përveç kësaj në anën tjetër 2019, siç ka një zhveshje të mbulesës së kalbëzimit të shtetit, u ç’bë kjo. Largimi i opozitës nga Parlamenti dhe bojkoti i votimeve të 30 qershorit, theu atë lëvoren e një veze të kalbëzuar, e cila brenda kishte një vezë të prishur, por që në fakt në pamje të jashtme nuk dukej. Tashmë ka shpërthyer dhe kundërmon me erën e saj të prishjes së sistemit.
2019 ka qenë një vit shumë problematik, sepse kemi një cedim të të gjithë hallkave të shtetit, kemi një uzurpim të strukturave të shtetit, kemi kapje të shtetit nga një grup njerëzish me një krye një kryeministër që tenton të kapi reformën në drejtës, tenton të kapi sigurinë, ekonominë, etj. Tashmë edhe atë që deri dje deklaratat e opozitës ishin si deklarata retorike ose narrativë politike, sot tashmë ato janë më se të vërteta dhe mjafton të kapësh një qytetar të thjeshtë. Sot nuk ke më një diferencë mes një politikani, një qytetari, artisti, një mjeku, një mësuesi, nxënësi, një të papuni, një pensionisti. Të gjitha deklaratat konkludojnë në një pikë, sepse ajo ç’ka të bën përshtypje, i gjithëanshmi kryeministri ynë, tashmë Lideri Suprem që bën edhe ekonomistin, edhe doktorin, edhe inxhinierin, edhe priftin, edhe hoxhën, edhe artistin, të bëjë edhe këngëtarin, edhe regjizorin, edhe diplomatin. Pra njerëzit tashmë kuptojnë se çfarë kemi bërë. Por reflektimi është që e gjithë kjo situatë vjen për shkak të votës që ne i kemi dhënë këtij njeriu, për shkak të indiferencës që i kemi bërë këtij njeriu kur ai kapte institucionet një nga një, kur censuronte njerëzit apo mediat një nga një. Diku kemi bërë sikur nuk e kemi parë, diku kemi qenë indiferentë, diku na ka pëlqyer. Dhe sot ja ku jemi, aty ku i gjithë shteti, e gjithë struktura, i gjithë mekanizmi jetësor i një vendi siç është Shqipëria është në duart e një njeriu me probleme.

2019-tën po e mbyllni pa asnjë mandat, ndërkohë që vendin tuaj e zunë deputetët që dolën nga listat shumë emërore të partive opozitare, çka duhet thënë që në shumicën e rasteve, për të mos thënë gati gjithmonë kanë dalë në krah të mazhorancës për të kaluar një sërë projekt ligjesh apo PPP korruptive.
A mendoni se opozita është në luftë me kohën dhe është emergjente rikthemi në parlament pasi edhe një tjetër vit pa fuqi bllokuese apo vendimmarrëse do të ishte fatale për opozitën dhe shumë në favor të Kryeministrit Rama?
Kush mendon që nuk do paguajë për krimet e veta e ka shumë gabim, të gjithë do të paguajmë një ditë. Të gjithë do të dalim para drejtësisë, jo vetëm para drejtësisë ligjore dhe njerëzore por edhe përpara drejtësisë hyjnore. Për drejtësinë hyjnore nuk kam të drejtë të flas sepse është tjetër forcë që merret me të, por për drejtësinë ligjore të jeni të bindur që të gjithë do të përballen një ditë. Të gjithë që janë aty janë të paligjshëm që kanë hyrë, sepse është shkelur i gjithë procesi i futjes së tyre në Parlament por përveç kësaj, shantazhimet dhe dosjet me të cilët ata janë shantazhuar dhe janë kërcënuar apo janë joshur për të hyrë brenda sigurisht që jo vetëm do të zhbëhen por do të dalin përpara drejtësisë.