Kryebashkiaku Veliaj: Takime në njësinë 7: Të rinjtë t’i bashkohen PS, që beson te puna sistematike, bashkë e çojmë vendin përpara

63
Sigal

Drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e zonës, Etilda Gjonaj, shpërndanë kartat për anëtarët më të rinj të PS-së në atë që quhet ndryshe si fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste që këtë të premte vijoi në Njësinë 7 në kryeqytet. Veliaj theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në vendimmarrje, si një mënyrë për t’u dëgjuar zëri. “Është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e një skuadre. Të qenit pjesë e një skuadre nuk është vetëm një mënyrë për të ndarë disa probleme, por edhe një mënyrë për të vendosur. Kur dëgjoj këta analistët që japin mend se si duhet të qeverisë Edi Rama apo si duhen bërë punët e bashkisë, ndërsa vetë ditën e zgjedhjeve krenohen duke thënë se nuk votojnë fare, u them: Nëse nuk voton fare, atëherë nuk ke të drejtë të thuash se si bëhet ajo punë dhe nëse nuk do të jesh pjesë e asnjë grupi, atëherë fjala jote nuk ka ku të dëgjohet. Përsa kohë që nuk je pjesë e një komuniteti, fjala jote mund të dëgjohet për kuriozitet, por s’ka asnjë impakt në vendimmarrje. Unë besoj fort se të qenit pjesë e një familje të bën më të fortë”, -tha Veliaj. Teksa komentoi protestën e opozitës pak ditë më parë, drejtuesi politik i PS-së u shpreh se kanë ikur ato kohë si viti 1996 apo 1997 kur policia dhunonte qytetarët. “Sot është edhe më e lehtë të jesh socialist e të jesh pjesë e një grupi që fillimisht është një stof qytetarësh, me njerëz të mençur, të kulturuar, që nuk besojnë te dhuna, por besojnë te puna, që nuk besojnë të fyerja e tjetrit, por tek afrimi, tek dashuria për tjetrin. Ka pasur kohë të vështira kur të qenit socialist ishte vërtetë sfidë – kush është me thinja kujton kohë edhe më të vjetra se sa ’21 janari’, kujton edhe ‘96’-tën, edhe ’97’-tën, rrahjet publike në shesh – ndërsa sot policia tregon një tolerancë të lartë për protestuesit. Atëherë nuk diskutohej fare, nuk pyetej nëse ishe deputet, aktivist apo i moshuar”. Sipas Veliaj diferenca mes maxhorancës dhe opozitës aktuale është e qartë, socialistët besojnë te puna sistematike që përkthehet në rezultat pozitiv te kutitë e votimit, ndërsa pala tjetër beson tek ulërima. “Ne nuk jemi nga ata që ulërasim, por jemi nga ata që punojnë në mënyrë sistematike dhe rezultati është te kutia e votimit, jo tek ulërimat dhe klithmat për kundërshtarin. Ata s’janë armiqtë tanë. Përkundrazi! U shërbejmë me dinjitet edhe atyre, siç të vetët nuk u kanë shërbyer kurrë”,- tha Erion Veliaj.

NOA