Dr. Jorgo Qirici: 95 vjet në ruajtje dhe mbrojtje të kufijve të Shqipërisë

28
Sigal

Më 25 shkurt 2024 mbushen plot 95 vjet qysh kur Parlamenti Shqiptar, i asaj kohe, miratoi Ligjin “Mbi rregullimin e Rojes Mbretërore të Kufirit (RMK)”. Ky veprim përbën një moment historik në shërbimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së kufirit shqiptar, pasi për herë të parë, që prej fillimit të tij, veprimtaria e Forcave të Kufirit do të rregullohej e mbështetej në një ligj të veçantë, gjë që do t`u rriste më shumë autoritetin dhe do t`i bënte ato më të afta juridikisht e profesionalisht për kryerjen e detyrave funksionale.

Por, nuk duhet të harrojmë se ky shërbim e ka zanafillën e vet qysh në vitet 1912-1913 kur, ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, në shtetin e sapoformuar, Qeveria e Vlorës e konsideroi detyrën më urgjente për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga sulmet dhe ndërhyrjet e ushtrive të huaja. Në këtë kuadër, në përbërje të Ushtrisë Shqiptare, ajo krijoi reparte dhe nënreparte të veçantë xhandarmërie, të cilat, përveç detyrave të tjera, merreshin edhe me ruajtjen dhe mbrojtjen e drejtimeve të caktuara në afërsi të vijës së kufirit, ku mendohej se mund të sulmonte armiku dhe të depërtonte në thellësi të tokës shqiptare.

Taktika e përdorur fillimisht nga forcat e xhandarmërisë, që ruanin e mbronin kufirin shqiptar, kishte të bënte kryesisht me organizimin e pritave në rrugë e vënde kyçe, për të bërë qëndresë dhe për të penguar trupat ushtarake të huaja, që do të tentonin të përparonin drejt Vlorës.

Në ndihmë të forcave të xhandarmërisë vepronte edhe popullsia e zonave ku shtrinte juridiksionin e saj Qeveria e Vlorës, e cila tregonte gadishmëri të lartë për mbrojtjen e kufirit. Në këtë kuptim, për Qeverinë e Përkohshme të Vlorës këto forca përbënin një ushtri rezerviste, të organizuar me batalione, detyra e të cilëve ishte të siguronin mbrojtjen e kufirit nga sulmet e ushtrive të huaja, në rajonet e tyre.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore territori shqiptar u shndërua në fushë luftimesh midis palëve ndërluftuese dhe, në këtë kuadër, nuk mund të bëhej fjalë më as për kufij shtetërorë dhe as për ruajtje e mbrojtje të tyre nga forca të veçanta.

Vetëm në vitin 1920, me ardhjen në fuqi të Qeverisë Shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, në kuadrin e forcimit të gjithanshëm të Ushtrisë, rëndësi e veçantë iu kushtua edhe xhandarmërisë, veçanwrisht për rolin që do të luante ajo në drejtim të ruajtjes dhe mbrojtjes së kufirit shtetëror.

Ndërsa viti 1921 shënon momentin kur, pas shumë projektesh, debatesh dhe diskutimesh se kush duhej ta merrte në dorëzim shërbimin e kufirit, Ushtria apo xhandarmëria, në përfundim, nga strukturat e larta shtetërore u vendos krijimi, për herë të parë, i gjashtë kompanive të kufirit, si forca të veçanta dhe të specializuara për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror.

Vitet e mëvonshme flasin për përmirësimin e shërbimit të kufirit, i cili u shoqërua edhe me disa masa të tjera, që lidheshin kryesisht me përsosjen e organizimit strukturor dhe rritjen e aftësive profesionale të efektivavave të kufirit. Në vitin 1927 shërbimi i ruajtjes dhe mbrojtjes së kufirit u shkëput plotësisht nga xhandarmëria dhe kaloi në vartësi të Komandës së Përgjithshme të Fuqive Armatë. U formuan, në këtë rast, 4-5 batalione kufiri, që kompletoheshin organikisht me resurse rezerviste, të cilët shërbenin për një periudhë prej 4 muajsh. Në vartësi të këtyre batalioneve kaluan edhe 117 postat kufitare, që kryenin, më përpara, detyrat e ruajtjes së kufirit. Këto forca kufitare u vendosën në territoret e prefekturave, brënda juridiksionit të të cilave kalonte kufiri shtetëror i Shqipërisë me vëndet fqinjë.

Struktura organizative me batalione e posta kufitare dhe shtrirja e vendosja e këtyre forcave përgjatë kufirit shtetëror, përmirësoi ndjeshëm cilësinë e shërbimit të tyre për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, si dhe për zbulimin dhe përballimin e ndonjë sulmi të mundshëm ushtarak ndaj Shqipërisë nga vëndet fqinjë.

Ashtu siç e theksuam edhe në fillim të këtij materjali, do të vinte data 25 shkurt 1929, kur Parlamenti Shqiptar të miratonte Ligjin për Rojen Mbretërore të Kufirit, e cila do të ishte pjesë plotësuese e Ushtrisë Mbretërore dhe pjesë përbërëse e armës së këmbësorisë. Ajo varej drejt përdrejt nga Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare për funksionimin e rregullt të saj, disiplinën dhe shërbimin ushtarak. Ndërkohë kishte vartësi edhe nga Ministria e Financave për zgjidhjen e detyrave me efekte fiskale.

Roja Mbretërore e Ruajtjes së Kufirit, e cila në pikpamje organizative kishte përmasat dhe emërtimin e një grupi ushtarak, përbëhej nga Komanda e Grupit, Qëndra e Instruksionit dhe 4 batalione. Disa vite më pas, më 1932, u shtua edhe batalioni i Pestë, me vënd komandë në Durrës, të cilit ju ngarkua detyra për ruajtjen dhe mbrojtjen e vijës së bregdetit shqiptar. Vetë struktura e sejcilit prej batalioneve, ishte e organizuar “me kompani dhe toga”. Por, në vartësi të terenit, toga si nënrepart, mund të paisej edhe me mjete lëvizëse, siç ishte rasti i togës së Kakavijës, që kishte edhe biçikleta.

Komanda e Rojes Mbretërore të Kufirit e kishte vënd komandën në Tiranë, Qëndra e Instruksionit të saj në Korçë, kurse komandat e 4 batalioneve qenë përhapur në Kukës, Peshkopi, Shkodër e Gjirokastër.

Roja Mbretërore e Kufirit do të kryente disa detyra, ndër të cilat më kryesore ishin:

  • zbulimi dhe ndalimi i kondrabandës, si dhe i çdo kundravajtje tjetër në zbatimin e rregullave e të ligjeve të financës;
  • forcimi i rregullit dhe qetësisë publike në gjithë vëndet, ku ajo cënohej;
  • në rast lufte, duhej të merrte pjesë në veprimet luftarake ndihmuese.

Në këtë ligj përcaktohej gjithashtu se oficerët dhe nënoficerët e Rojes Mbretërore të Kufirit ishin të veshur edhe me cilësinë e oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim që të hetojnë dhe shtypin çdo shkelje apo faj të kryer. Në nenin 15, të ligjit të mësipërm, ishin parashikuar edhe rastet e përdorimit të armëve të zjarrit nga Roja Mbretërore e Kufirit gjatë kryerjes së shërbimit.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Roja Mbretërore e Kufirit u zëvëndësua me Rojen Mbretërore të Financës (sipas modelit italian), e cila u vu në vartësi të drejtpërdrejtë të Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura italiane në Shqipëri. Por veprimtaria e këtye forcave paraqiste dobësi të theksuara në shërbimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror pasi, përveç të tjerave, atyre u mungonte karakteri kombëtar, si dhe besueshmëria në kryerjen e misionit dhe të detyrave të ngarkuara.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë dhe kjo përbën një periudhë të veçantë në historinë e veprimtarisë së Forcave të Kufirit. Tashmë në Shqipëri vepronin dy lloj forcash, që ruanin dhe kontrollonin kufirin shtetëror. Në njërën anë ishin forcat vullnetare territoriale të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që vepronin në jugë të vëndit dhe, në anën tjetër, forcat e Rojes së Financës, që vazhdonin të ruanin kufirin në sektorët veriorë.

Pamvarsisht nga ndryshimet e shpeshta organizative të Forcave të Kufirit në këto vite, veprimtaria e tyre për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë ka qënë e orientuar kurdoherë nga zhvillimet e mardhënieve ndërkufitare me vëndet fqinje, si dhe e bazuar në kërkesat e legjislacionit shqiptar, në përputhje me çdo fazë të ecurisë së tyre.

Me çlirimin e vëndit nga pushtuesit  e huaj, më 29 Nëntor 1944, ruajtja dhe mbrojtja e kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë ju ngarkua Divizionit të Mbrojtjes së Popullit (DMP), i cili u krijua në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 mbi bazë e tri Brigadave të Mbrojtjes së Popullit, që ishin krijuar më përpara.

Forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, duke qënë të dislokuara në rrethet kufitare, për disa muaj rresht, krahas detyrave të tjera, kryenin edhe shërbimin e ruajtjes së kufirit, duke u bërë kështu “shtrati” mbi të cilin u rikrijuan Forcat e Kufirit, si njësi e veçantë për këtë lloj shërbimi.

Gjatë periudhës 45 vjeçare të sistemit monist në Shqipëri, veprimtaria e Forcave të Kufirit ka qënë e ngjeshur dhe e mbushur me ngjarje të mëdha, të kushtëzuara gjithnjë nga zhvillimet e shtetit shqiptar në vite, si dhe nga gjëndja dhe situatat e krijuara në kufirin shtetëror me vëndet fqinje. Rezultatet e arritura në këto vite, si dhe përvoja e grumbulluar në luftën për zbulimin dhe parandalimin e kalimeve ilegale dhe të çdo lloj vepimtarie tjetër të paligjshme, nëpërmjet kufirit shtetëror, kanë qënë tregues konkretë për zbatimin e ligjit, kudo e kurdoherë, nga Forcat e Kufirit Shqiptar. Në momente të caktuara, ato kanë kryer edhe akte heroizmi për mbrojtjen e kufirit shqiptar nga sulmet ushtarake të shteteve fqinje.

Me veprimtarinë e tyre ndër vite, Forcat e Kufirit Shqiptar kanë krijuar e konsoliduar fizionominë dhe historinë e tyre, të mbushur plot me ngjarje historike, që flasin për profesionalizëm, përkushtim dhe shpirt sakrifice të kuadrove dhe efektivëve në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Kjo veprimtari, në rafshin e mbrojtjes së kufijve të vëndit, i ka shërbyer edhe ruajtjes së tyre nga provokacionet dhe synimet agresive të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, të cilët vazhdimisht kanë pasur pretendime territoriale ndaj Shqipërisë.

Ndryshimet e thella demokratike, që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1990, si dhe hapja e saj me botën e jashtëme, krijuan mundësitë dhe shtruan nevojën që veprimtaria e Forcave të Kufirit (sot e Policisë Kufitare dhe Migracionit) t`u përgjigjen më mirë kërkesave bashkëkohore dhe Objektivave të Bashkimit Europian për kufij të hapur, por të kontrolluar dhe të siguruar. Ky është një element i rëndësishëm drejt integrimit europian, i cili nënkupton atë që kufijtë të jenë plotësisht të hapur për tregëti dhe lëvizjen e lirë të njerëzve; të jenë të hapur gjithashtu për bashkëpunimin rajonal; por, njëkohësisht, ato duhet të jenë të mbyllur për veprimtarinë kriminale dhe për të gjithë llojet e veprimtarive të tjera, që rrezikojnë stabilitetin e rajonit. Dukuria e trafikimit, e të gjitha llojeve; emigracioni i paligjshëm; terrorizmi dhe krimi i organizuar kërkohet që të luftohen në të gjithë rajonin, por veçanwrisht në kufi. Mbajtja mbyllur e dyerve për këto çfaqje të krimit ndihmon parandalimin e shtrirjes së tij brënda dhe jashtë kufijve të Shipërisë; rritjen e ndëshkimeve penale për kriminelët, si dhe pakësimin e fitimeve të paligjshme prej tyre.

Tashmë Shqipëria ka realizuar progres të vazhueshëm në të gjthë komponentët përbërës të Menaxhimit të Integruar të kufirit, si: në fushën e përmirësimit të kuadrit ligjor, të organizimit dhe menaxhimit të agjensive kufitare, të rritjes së kapaciteteve administrative dhe profesionale të strukturave, të zbatimit të Procedurave Standarte të punës, të zbatimit të programeve të trajnimit dhe kurikulave, të përmirësimit të infrastrukturës dhe teknologjisë së informacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, lehtësimit të shkëmbimeve tregëtare dhe në drejtim të forcimit të goditjes ndaj aktivitetit të paligjshëm nëpërmjet kufirit shtetëror si dhe rritjes së sigurisë kufitare.

Policia Kufitare dhe Emigracionit ka tani strukturën e saj organizative sipas rekomandimeve dhe e bazuar në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të kufirit. Ajo është pjesë përbërëse e Policisë së Shtetit dhe vepron me përgjegjësi për kontrollin dhe mbikqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe trajtimin e shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, i hartuar mbi bazën e rekomandimeve të BE, të Standarteve të Shengenit dhe praktikave më të mira botërore.

Misioni dhe detyrat e Policisë Kufitare dhe Migracionit në ditët e sotme synojnë përmirësimin e mëtejshëm të standarteve e sigurisë kufitare, nëpërmjet rritjes së efikasitetit në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe teknike; rritjes së kapaciteteve operacionale për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar; rritjes së bashkëpunimit me strukturat e brëndshme dhe partnerët fqinjë dhe të BE; rritjes së menaxhimit e përpunimit të informacionit kriminal; rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve për aplikimin e teknologjive të reja në fushën e menaxhimit të kufirit të gjelbër e blu dhe aplikimi i masave plotësuese për kontrollin në territor në lidhje me emigracionin e paligjshëm.

Policia Kufitare dhe Emigracionit e sheh vehten e saj të pandarë dhe pjesë e luftës që bën Qeveria Shqiptare kundër terrorizmit. Për këtë qëllim ajo është trajnuar dhe është paisur me mjete për zbulimin e lëndëve radioakive, si dhe ka akses në listat e personave që dyshohen se mbështesin terrorizmin ndërkombëtar të evidentuara në Sistemin TIMS.

Në këtë përvjetor ne urojmë që Policia Kufitare e Emigracionit të rrisë në një shkallë më tw lartë integritetin dhe aftësitë e saj profesionale, për t`ju përgjigjur sfidave të kohës, si dhe për të patur rezultate sa më të larta në zbulimin dhe luftën kundër çdo lloj krimi ndërkufitar.

Në mbyllje të këtij materiali, do të dëshironim që Dita e krijimit të Forcave të Kufirit (sot e Policisë Kufitare e Emigracionit), si dhe përvjetorë të tillë të kujtohen e festohen vazhdimisht nga të gjithë, por veçanwrisht nga punonjësit e Policisë Kufitare e Emigracionit. pamvarwsisht se sot, kjo trupë është pjesë përbërëse e Policisë së Shtetit. Ajo vetë ka datën e krijimit të saj, historinë e veprimtarisë në vite, si dhe kontributin e veçantë në ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë.

 

 

                                         Dr. Jorgo Qirici

 

Ish kuadër i Policisë Kufitare e Emigracionit