Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat do t’i marrin shumë shpejt 1069 apartamentet e tyre të reja, të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet për pallatet e reja, ku njoftoi se pas gushtit do të hidhet shorti për shpërndarjen e banesave.“Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë verës, që kur njerëzit të kthehen nga pushimet, të hedhim shortin për Kombinatin. Këtu po ndërtojmë një super kompleks, një super lagje e ndarë në seksione të ndryshme. Para disa ditësh ishim te seksioni 5, 6, ndërsa ky është seksioni 7. Në total janë 1069 apartamente, të cilat do të gëzojnë 1069 familje, për të nisur një jetë të re në hapësira e kushte më të mira”, tha ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se banesat e reja janë shumë herë më cilësore se ato që ua dëmtoi tërmeti. Ai siguroi se pavarësisht betejave penguese nëpër gjyqe nga partitë politike, Bashkia e Tiranës nuk do ta ndalojë punën.