Prof. XHEVAT LLOSHI
MANIFESTI I RILINDJES
Vepra Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe çdo të bëhetë? Mendime për shpëtim të mëmëdheut nga rreziket, që e kanë rrethuar është quajtur Manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fund të shek. XIX. Enciklopedisti dhe ideologu rilindës Sami Frashëri, me diapazonin e gjerë të njohjes së historisë, kulturës, etnopsikologjisë dhe gjuhës së shqiptarëve, por veçanërisht të problemeve të kohës, jep edhe për të ardhmen e atdheut një vizion, i cili edhe pas më shunë se njëqind vjetësh duket se është po aq i nevojshëm për Shqipërinë.
Romantizmi
Autori jep së pari të kaluarën historike, duke nisur me mitin rilindës të pellazgëve, kalon te ilirët dhe epirotët, te shqiptarët nën romakët, te principatat feudale për të mbërritur te periudha e Skënderbeut, pa harruar si gjithnjë dhe shqipen si një nga gjuhët më të vjetra e më të bukura. Këto i duheshin atij jo për një traktat historik ose për një tekst shkollor, siç e kishte bërë tashmë jo një herë në veprat e tjera. Këto i duheshin atij për të argumentuar, se Shqipëria kishte të drejtën historike për të dalë një shtet më vete, i lirë e i pavarur, i një kombi me histori të lashtë, gjatë së cilës kishte dëshmuar cilësi të vyera dhe kishte krijuar një trashëgimi kulturore me vlera të veçanta.

Cila ishte kjo histori dhe cilat ishin këto vlera?
Për fat të mirë, tashmë kishte pasur një tufë dijetarësh europianë, të cilët kishin botuar vepra shkencore me të dhënat e kohës për të kaluarën e shqiptarëve, ndërsa në veçanti gjuhësia europiane ishte interesuar për shqipen si gjuhë indo-europiane dhe ishte përpjekur ta shpjegonte atë bashkë me historinë e popullit që e kishte mbajtur të gjallë për aq shekuj. Kishte pasur edhe një grup të vogël, por të zëshëm për shkak të mbështetjes politike të disa qeverive shoviniste, i cili me çdo mënyrë antishkencore ishte përpjekur që t’u mohonte historinë dhe kulturën shqiptarëve, t’i quante një popullsi të prapambetur, e cila madje nuk i përkiste Europës dhe as mund të quhej një komb, aq më pak që të kishte aftësi shtetformuese. Samiu ishte ndeshur me propagandën antishqiptare në shtypin e kohës dhe pa dyshim, vepra e tij kishte marrë një shtysë të fuqishme pikërisht nga ajo përvojë e tij si publicist.
Atdhetarët e kishin përvetësuar me dëshirë gjithçka kishin lexuar për të kaluarën e tyre dhe e kishin shndërruar në një nga mjetet për mbrujtjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në një mbështetje për luftën politike në arenën ndërkombëtare, që të tërhiqnin simpatitë dhe përkrahjen për ta pranuar Shqipërinë mes familjes europiane. Mirëpo i gjithë ai bagazh historik as nuk mund të ndikonte te kancelaritë europiane, të cilat natyrisht çdo gjë do ta shihnin në prizmin e interesave të tyre dhe të kombinacioneve politike, as nuk mund të ndryshonte paragjykimet e politikanëve, shtetarëve dhe diplomatëve, të cilët në fund të fundit do të vendosnin fatin e Shqipërisë, siç bënë realisht më 1913, duke pranuar ligjërimin e një Shqipërie të cunguar. Zëri i shqiptarëve është dëgjuar vetëm kur është dëgjuar krisma e armëve të tyre dhe kur interesat e tyre janë përputhur me interesat e disa fuqive me ndikim në tryezat e traktativave.
Dija albanologjike e asaj kohe (Samiu përmend me emër J.G. von Hahn-in) përshkohej kryesisht nga romantizmi dhe përfytyrimi i vetë shqiptarëve për të kaluarën e tyre ishte në thelb romantik. Që në rreshtat e parë të veprës Samiu pohonte: “Shqipëtarët janë m’i vjetër i kombevet t’Evropësë.” Askush nuk do ta pranonte këtë pohim dhe as që shqiptarët e sollën bujqësinë në Europë, prandaj u quajtkan arbër, domethënë ata që punojnë tokën. Ndonëse ai e njeh, se emri shqiptar nuk është shumë i vjetër, sërish me një frymë romantike e lidh me emrin e shqiponjës. Më tej mendon se prej atyre parakëve u kalua te stërgjyshët tanë pellazgë, të cilët ishin quajtur ashtu nga fjala plak a pleq. Kjo ishte një rrugë e gabuar për të rindërtuar historinë mbi interpretimet arbitrare të fjalëve. Megjithatë, nuk mund të mohohet forca tërheqëse e sajimeve romantike dhe në kohën e tyre ato i kanë shërbyer më së miri ushqimit të popullit me krenarinë për të kaluarën e vet. Pellazgët ai i jep në një shtrirje fantastike, ndërsa popullsitë e tjera me emrin arianë i sjell të ardhur nga Azia, duke mos gjetur më mbështetje as te shkenca e kohës. Ilirët i quan një prej fiseve më të mëdha pellazge dhe emrin e tyre e lidh me mbiemrin ’të dëlirët’, ashtu si dhe emrin e trakëve me ‘të trashëtë’, të gjitha etimologji popullore të paqëndrueshme. Ishte i gabuar mendimi se ilirët nuk shtriheshin më poshtë se Vjosa, ndërsa pjesa tjetër quhej Epir, përsëri me një shpjegim të gabuar, se vjen nga ‘Ipërë, Hipërë a Sipërë’. Gjithsesi e prek, se flisnin të njëjtën gjuhë.
Për periudhën romake sërish emri i rrugës Egnatia shpjegohet me mbiemrin ‘e gjatë’, ndërsa pa asnjë mbështetje thuhet se “shqiptarët qeveriseshin prapë prej parësis’ e prej pleqësis’ së tyre si gjithë jetën”. Me të drejtë Samiu shprehet se krishterimi hyri në Shqipëri gjatë periudhës bizantine, ndërsa për shkak të dyndjeve sllave, “boshnjakët, hercegovinasit, dalmatët e malazestw janë më tepër shqiptarë se shqeh”. Turqit i thyen një nga një principatat shqiptare të mesjetës. Kurse për të parën herë Shqipëria u mblodh në një mbretëri me një mbret trim e të zotin, Skënderbeun. Sigurisht nuk do t’u pëlqenin historianëve turq të kohës dhe atyre të sotëm thëniet e Samiut, se: “Skënderbeu me shqiptarët u qëndronte kundrejt burrërisht e me pak shokë hidhesh si petriti mi mijëra tyrqish e copëtonte ushtëri të tëra të sulltan Muradit e Mehmedit, duke shtënë frikën e tmerrin në zëmrat të tyrqet.” Këtu është burimi i orvatjeve për ta mohuar autorësinë e Samiut. Sigurisht e ka tepruar, që Skënderbeu bëri qëndresë dyzet vjet.

Nuk ka si të mbahet mendimi, se shqiptarët kishin nisur të ktheheshin në myslimanë që pa rënë Shqipëria në duart e turqve. Anasjelltas, është e vërtetë, se shqiptarët shkonin mercenarë edhe në vende të tjera, por këtë e ka shtrembëruar Z. Xholi me një shënim (44) te teksti i veprës, sikur “ata e bënin jo nga e mira dhe me dëshirë të tyre, por të detyruar nga pushtuesit osmanë dhe veglat e tyre.” Do t’i quaja një kompromis jo të detyrueshëm, por pasojë të gjendjes së Samiut si përfaqësues i dy kulturave, orvatjet e tij për t’i zbukuruar marrëdhëniet e shqiptarëve me sunduesit osmanë deri në kohën e Tanzimatit. Sipas tij, “Shqiptarët gjenin nw tyrqit atë që donin, nder, armë, kuaj, rrëmbime sa të donin edhe dliri, sa u duhësh, edhe tyrqit gjenin në shqiptarët atë që donin: trimëri, besë e gjak të derdhur pa kursim.” Autori shkon mjaft larg, duke shkruar: “Shqipëria në kohët e tyrqet u bë m’e pasur e m’e begatë se kurdo.” dhe vlerësime të tjera të tilla. Edhe kundërvënia e gjendjes së Shqipërisë përpara Tanzimatit dhe pas Tanzimatit është në frymën romantike, e cila ngrinte lart të kaluarën ‘e bukur dhe të drejtë’ në kundërshtim me të tashmen ‘e degraduar e të padrejtë”. “Samiu flet më shumë me pasionin patriotit,- shkruan Dh. Shuteriqi (1960), – se me argumentet e shkencëtarit.”

Mbyllet kjo pjesë e parë me ankimin, se shqiptarët kanë punuar për botën dhe jo për vete. Për ta mbështetur këtë, përfshi këtu edhe pohime të pambështetura, si për shembull, që Aristoteli paska qenë shqiptar, se maqedonasit e lashtë paskan pasur gjuhë të tyre shqipen, madje edhe Ptolemejtë “ishin fjeshtë shqipëtarë nga Çamëria”. Gjen vend këtu ky vështrim, i cili përsëritet edhe sot shpesh, që në vende të huaja gjurmon figura të shquara me prejardhje biologjike shqiptare, me të cilat të krenohemi. Të gjithë këta, perandorë romakë apo vezirë osmanë, shkrimtarë në gjuhë të huaja (Samiu përmend Jahja beun) apo të famshëm në ndonjë fushë tjetër, nuk dëshmojnë asgjë. Ata janë produkt i historisë dhe i kulturës ku janë brumosur, janë shquar dhe kanë dhënë kontribut, por as janë kujtuar për të bërë diçka për Shqipërinë. Edhe më keq, kur një njeri i shquar si Karl Gega serviret si shqiptar deri në ribotimin e “Fjalorit Enciklopedik” më 2008. Asnjë origjinë shqiptare nuk ka pasur Karl Gega. Edhe keq e më keq është paraqitja e Astit si një figurë po në atë fjalor, ndërkohë që ai ishte thjesht një romak dhe të shkruash se ai kishte ardhur “për të shpëtuar nga përndjekjet e qeveritarëve paganë të perandorisë” është në kufirin e qesharakes, sepse edhe në Durrës qeveritarët romakë paganë ishin. Për Shqipërinë kanë rëndësi ata që kanë punuar e luftuar për të dhe që e kanë treguar veten se janë shqiptarë, siç janë për t’u lavdëruar disa artistë e artiste që në ditët tona e shpallin me shpirt se janë shqiptarë.
Realizmi
Tehu i pjesës së dytë është të tregojë gjendjen e vendit dhe të banorëve nën sundimin e huaj, varfërinë nga qeverisja grabitqare, si dhe rreziqet që u kanoseshin trojeve nga fqinjët shovinistë. Mund të thuhet, se kjo ishte paraqitja e Shqipërisë në fund të shekullit XIX dhe pas Kongresit të Berlinit.
Kryeçështja e Shqipërisë në shek. XIX ishin kufijtë e saj. Hartat e botuara deri atëherë për qëllime të ndryshme jepnin në disa raste edhe emrin e Shqipërisë, por me mospërputhje të mëdha ndërmjet tyre. Te libri “Udhëkryqet e Kristoforit” (2021) kam dhënë njoftime sidomos për disa harta të botuara në Angli, veçse asnjë hartë nuk ishte botuar, duke pasqyruar shtrirjen e vërtetë faktike të shqiptarëve, dhe asnjë nuk ishte përgatitur nga shqiptarët, duke pasqyruar interesat e tyre. Prandaj udhëheqësit kryesorë të rilindjes e shihnin të domosdoshme të paktën t’i tregonin me tekst cilët ishin kufijtë e Shqipërisë për të cilën ata luftonin.
Siç kam shkruar tashmë, K. Kristoforidhi në punimin e vitit 1860 gjithashtu qysh në hapje jepte përcaktimin e shtrirjes gjeografike të Shqipërisë midis gjerësive 390 43 V dhe gjatësisë 190 31 L. Është pothuaj në përputhje me atë që ka dhënë Samiu më 1899 dhe me përcaktimin e sotëm. Abdyl Frashëri në një korrespondencë të posaçme, të botuar më 31 maj 1878 në revistën austriake “Le Messager de Vienne” jepte përshkrime, por pa koordinata: “Kufijtë e Shqipërisë shtrihen në veri deri në kufijtë e Malit të Zi dhe, duke ndjekur këtë vijë kufiri deri përmbi Kolashin, që këtej vija kufitare, e cila ndan Shqipërinë nga vendet sllave shkon në drejtim të lindjes pak më poshtë se kufijtë serbë dhe arrin në malet e Kurshumlisë pranë Leskovacit; që këtej vija zbret pa gjarpërime drejt jugut deri në Vranjë dhe pastaj, duke marrë drejtimin jug-perëndimor dhe duke kaluar nëpër Kumanovë, Qyprili, Përlep, Manastir, Kostur, Grebene dhe nëpër malin e Pindit, arrin deri në gjirin e Artës.” Kur vizitoi Francën plot një vit më pas, ai nuk arriti ta bindte ministrin francez për shqiptarësinë e Prevezës dhe duket se edhe vetë nuk ishte i bindur se ato vise do t’i mbeteshin Shqipërisë. Ministri i jashtëm britanik, Lordi Salisbëri e kishte pranuar Abdyl Frashërin në shtëpinë e tij më 12 maj 1879. Edhe më vonë Abdyli i është përmbajtur të njëjtit përcaktim në letrën drejtuar F. Krispit (shtator 1890). Ndërsa në memorandumin për Kongresin e Berlinit më 20 qershor 1878, të nënshkruar edhe nga Samiu e Pashko Vasa (por jo Abdyli) shkruhet: “Ne mjaftohemi të tregojmë këtu kufijtë e saj, që fillojnë nga Tivari, Shkodra me gjithë malet e banuara nga katolikë, nga Peja, Kurshumlia, Prishtina, Leskovaci, Vranja, Shkupi, Përlepi, Manastiri, Follorina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Kalarita dhe Narta, dhe mbarojnë në gjirin e Ambrakisë.” Ky është një përcaktim më i hollësishëm, por në thelb i njëjtë.






















