Kryebashkiaku Veliaj/ Merr formë Zona e Lirë Ekonomike, TEDA në Kashar, lehtësi për bizneset, do të hapen 5 mijë vende pune

Rruga që të çon drejt zonës së lirë ekonomike TEDA në Kashar, po rikonstruktohet dhe për kryebashkiakun Erion Veliaj, kjo zonë po merr jetë me vendosjen edhe të linjës energjetike dhe kanalizimeve në zonë.

“Këtu ndodhemi në zonën mes Kasharit, Vaqarrit dhe autostradës Tiranë-Durrës, që do të thotë se ata që do të përfitojnë më shumë janë qytetarët e lagjes “Rilindja” [ish Astiri], lagjet e Kombinatit dhe lagjet e Kasharit dhe Vorës. Kjo është zona më e madhe industriale-ekonomike në Shqipëri, e menaxhuar nga një ent publik, si Bashkia e Tiranës, që e çon nivelin e qeverisjes vendore në një dimension tjetër. Më përpara bashkia shihej vetëm për punët e komunales, por tani jemi futur si një faktor ekonomik, sepse besoj se qyteti i mirë nuk është vetëm ai që rregullon, mbjell pemë, ndërton çerdhe, kopshte e shkolla, por është edhe qyteti që mendon ku do të punojnë njerëzit”,- u shpreh Veliaj.

NOA

Veliaj ftoi të gjitha bizneset të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrjeje, që pritet të gjenerojë mbi 5 mijë vende pune.

“Po targetojmë këto lloj biznesesh, ndaj nëse jeni pjesë e kësaj kategorie, ose nëse njihni biznese nga Japonia deri në Amerikë, që duan të transferohen këtu, do të përfitojnë disa incentiva. Incentiva e parë është pa TVSH. Kjo do të thotë se doganën do ta kemi këtu, zyrën e tatimeve dhe taksave po ashtu. Tjetra është që, 120% e investimit është e deduktuar, për efekt të investimit dhe për të incentivuar këtë zonë. E njëjta gjë vlen për shpenzimet që ka trajtimi, për sigurimet shoqërore, dhe ka kategori të ndryshme, në varësi të biznesit dhe të numrit të punonjësve që merr ai biznes, 2-3 vite të këtyre incentivave, për të filluar me një këmbë të mbarë dhe për të qenë aty për të ndihmuar bizneset që të hedhin rrënjë në Tiranë dhe të planifikojmë këtu një hapësirë të jashtzakonshme punësimi”, deklaroi ai.

Sipas kryebashkiakut, gjatë verës do të nisë faza e dytë e punimeve, ku do të ndahen parcelat për secilin prej bizneseve.

Pjesë e planit për zhvillimin e Zonës së Lirë Ekonomike dhe shfrytëzimin e hapësirave të lëna në harresë shumë pranë Tiranës, është edhe ndërtimi i një varreze të re në zonën e Kasharit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha  se ka lindur nevoja për pasjen e hapësirave të reja për varreza, të cilët do të konceptohen sipas një modeli perëndimor.

“Me Planin e ri Urbanistik ne kemi vënë re se varrezat në Tufinë dhe Sharrës janë të ezauruara. Nuk është dinjitoze që, njerëzit që kanë dhënë jetën për qytetin dhe kanë kontribuar në komunitetin tonë, do duhet të përcillen në hapësira që sot po tejmbushen, sepse nuk janë konceptuar, që në fillim, me dinjitetin e dikujt, që shkon për të kujtuar të afërmin e tij.

Prandaj, kemi planifikuar që, edhe në zonën e Farkës, edhe në Kashar, të hapim dy varreza të reja. Do t’i konceptojmë sipas vendeve të prehjes që kemi parë në perëndim, me distancë, me stola, vend për vendosjen e luleve, me pemë, por edhe vend për të kryer ceremonitë fetare të krishterë apo myslimane”,- sqaroi Veliaj.