Qesaraka, Fresku dhe Dajti ishin ndalesa e radhës që kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,bëri në turin e tij në 27 njësitë e kryeqytetit. Në takimin me stafin e njësisë administrative 12, ai kërkoi finalizimin dosjeve të tërmetit, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të regjistruar të saktë adresën e banimit, që do të përkthehet më pas edhe në më shumë investime për zonën. Gjatë takimit me komunitetin e kësaj zone, Veliaj tha se pas zgjidhjes së problemit të ujit të pijshëm, që ishte një kërkesë disavjeçare e banorëve, Bashkia e Tiranës do të nisë shumë shpejt punimet për rehabilitimin e rrugëve në këto zona. “I gjithë rrjeti i ujësjellësit është vendosur më në fund dhe Fresku është futur në rrjetin qendror të Ujësjellësit të Tiranës, duke u larguar nga puset dhe zgjidhjet provizore. Me të mbaruar faza e ngjeshjes së tokës, do të fillojmë me shtresat asfaltike dhe sinjalistikën. Atëherë mund të themi realisht që Fresku, Thesari, Qesaraka është integruar në Tiranë”, u shpreh Veliaj.