Kreu i PL, Ilir Meta : Jemi në rrjedhën e vitit të ndryshimit, faktor i bashkuar opozitar dhe zgjedhjet e 14 majit janë tmerri i Rilindjes

 Ilir Meta: Konferenca e parë e vitit dhe takim në selinë e PD

Takimet maratonë të kryeministrit janë një mashtrim për qytetarët, jep shpërblime për pensionistësh, prej 8 mijë lekësh, sa për të blerë bukë, ndërkohë ushqen’ miqtë e tij oligarkë me miliona euro.

 Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi një takim në selinë e Partisë Demokratike me Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Noka. Fokusi i bisedimeve ishin zgjedhjet e 14 majit dhe aleanca mes dy partive. Kreu demokrat, Sali Berisha, mungoi në takim dhe nuk do të zhvillojë këtë të premte as konferencën e përjavshme me gazetarët, për shkak të gjendjes gripale.

NOA

“Një gjë është e sigurtë, që 2023 do jetë viti i ndryshimit, marrëdhënia me PD është e shkëlqyer dhe koordinimet tona janë të vazhdueshme. Sikurse kemi qenë dhe jemi të hapur të bashkëpunojmë me çdo faktor opozitar në interes të ndryshimit të kësaj situate për t’i dhënë fund kapjes së shtetit nga qeveria. Mbi të gjitha opozita do të jetë kudo ku janë qytetarët, që kërkojnë ndryshimin dhe janë të vendosur për ta mbrojtur nga ky shtet mafioz, që tenton të përjetësojë një klikë,”- tha Meta. Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është shprehur se zgjedhjet e 14 majit janë tmerri i Ramës.

Meta është shprehur se takimet maratonë të kryeministrit Edi Rama janë një mashtrim për qytetarët. Në një konferencë për gazetarët, Meta tha se Rama zhvillon takime, jep shpërblime për pensionistët, prej 8 mijë lekësh, sa për të blerë bukë, ndërkohë që nga ana tjetër s’i mungojnë mashtrimet. Paralelisht, sipas Metës, Rama ‘ushqen’ miqtë e tij oligarkë me miliona euro.

“E vetmja përpjekje e tij është si të mashtrojë shqiptarët dhe të vazhdojë t’u fusë thikën atyre sepse nuk ka asnjë interes tjetër. Të gjithë e dinë që ne jemi vendi i dytë në botë pas Zambias për të paguar ryshfet. Jep disa bukë falas, ndërkohë që u kalon milionat oligarkëve,”- tha Meta.  “Ky merr borxhe për të shlyer borxhe në mënyrë që ky të fluturojë në luks, ndërsa për të gjithë pensionistët, qeveria ndau 8 mijë lekë shpërblim. Por, në të njëjtën ditë kaluan në llogaritë e oligarkëve 100 milionë lekë. Ndërkohë që ndahen fondet për rindërtime banesash, vetëm muajin e kaluar, FMN i kërkoi qeverisë shqiptarë që të zbatojë transparencën, që të publikonte emrat e kompanive që përfitojnë nga këto fonde. Rreth 20 milionë dollarë janë marrë nga fondi i rezistencës sociale, ato të qytetarëve dhe u janë dhënë klientëve. Indeksi i rritjes së korrupsionit në vend, ecën paralelisht me indeksin e rritjes së varfërisë. Jemi të parët për nivelin e pamundësisë, që kanë njerëzit për të përballuar nevojat e jetesës. Afro 70% të qytetarëve hasin vështirësi në plotësimin e kushteve të jetesës. Mijëra specialistë dhe profesionistë të trajnuar, edhe nga partnerë ndërkombëtarë, janë shkarkuar për arsye politike. Ndërsa shteti hap vende pune, vetëm për të rehatuar socialistët”-tha Meta ndër të tjera.