Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar sot se votimi i emigrantëve është plotësisht i realizueshëm, por pengesa e vetme është bllokimi për interesa politike. Në një intervistë televizive Celibashi, shprehet se KQZ do të bëjë të mundur platformën për regjistrimin e emigrantëve me adresat e sakta në shtetet që jetojnë, ndërsa për mënyrën se si do të votojnë në 2025 me postë apo online, kjo do të mbetet në interesat e partive politike.Ai tha se, deri në fund të korrikut KQZ do të ketë gati platformën për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Jemi duke finalizuar aktin që ka të bëjë me proceduarat e regjistrimit dhe të identifikimit të atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë adresë të përhershme atje por duan të regjistrohen për të votuar atje ku janë”,- shprehet Celibashi.
Përsa i përket çështjes se si do të votojnë emigrantët, Celibashi, mendon se dy mënyra janë më të sigurta.
“Qoftë votimi me postë, qoftë votimi përmes internetit, ose përmes internetit i dërgimit dhe i marrjes së fletës së votimit, por në këtë rast fleta e votimit plotësohet fizikisht. I ofron të gjitha garancitë nga pikëpamja teknike”,- tha ai.
Celibashi thekson se edhe nëse në 2025 emigrantë do të lejohen të votojnë aty ku jetojnë ata nuk mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament.
“Nuk ka një zonë të 13-të. Votuesit që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë nuk kanë vende të rezervuara në Kuvendin e Shqipërisë. Vota e atyre, që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të shpërndahet në votat e qarqeve ku ata kanë regjistrin e gjendjes civile”,- tha Celibashi.
“Asnjë prej faktorëve institucional dhe politik nuk mund të kenë një justifikim në rast se ne në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk e realizojmë këtë”,- u shpreh Celibashi.



















