Kreu i ILD, Artur Metani: Mirëkuptojmë ngarkesën e magjistratëve, por nuk do tolerohet paligjshëmria dhe vonesat e pajustifikuara

194
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka dhënë një intervistë për gazetaren Anila Hoxha, mbi ecurinë e procesit të ankimimit ndaj magjistratëve dhe punën e ILD-së në dy vite, që nga ngritja si institucion.

I pyetur se përse ankohen më shumë qytetarët pranë ILD-së dhe nga cilat qytete, Z. Metani tha se janë rreth 4500 ankesa të administruara, por nga ato të trajtuara, më shumë pretendime ka për zvarritje të procedurave gjyqësore nga magjistratët dhe në statistikat e ILD-së, rrethet me më shumë ankues rezultojnë Tirana dhe Vlora.

“Ajo që po vërejmë sot me shqetësim dhe dua ta ndaj me ju është vonesa në zbardhjen e vendimeve gjyqësore. Pra, pasi ka përfunduar procesi gjyqësor, zbardhja e vendimit merr shumë kohë. Kjo vjen për shumë arsye dhe ne po mundohemi të balancojmë këtë situatë, edhe me ngarkesën e madhe që kanë magjistratët, edhe me mungesën e magjistratëve në sistem për shkak të proceseve të tjera që po ndodhin në Shqipëri për shkak të reformës, edhe për arsye të kompleksitetit të çështjeve, sigurisht duke e balancuar këtë edhe me raste të neglizhencës së gjyqtarëve kur ka, apo me raste të performancës së dobët profesionale të gjyqtarëve. Për këtë ne kemi marrë edhe masa. Kemi proceduar edhe magjistratë për vonesën në zbardhjen e vendimeve. Po gjithsesi, gjetja e balancës së drejtë midis shpejtësisë së zbardhjes së vendimeve dhe vonesave të pajustifikuara për shkak të neglizhencës së gjyqtarëve, por edhe mos prekjes së cilësisë së shkrimit të vendimeve, është një gjë që po e shohim me prioritet dhe i bëj thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të kenë kujdes në këto procedura. Të mos ketë vonesa, por edhe pa prekjen e cilësisë së shkrimeve të vendimeve sepse kjo padyshim është shumë e rëndësishme.”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

I pyetur nga gazetarja se çfarë ka konstatuar lidhur me prioritetin e shpallur që në marrje të detyrës, atë të lirimeve me kusht të personave të dënuar me burgim të përjetshëm, Z. Metani tha:

“Në momentin që është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë në janar të vitit 2020, pa dyshim ky ishte sensibiliteti më i madh i shoqërisë në atë kohë, sepse pati disa raste të lirimit para kohe me kusht të disa individëve nga institucionet e burgimit dhe për këtë arsye, vendimi i parë që mori Inspektori i Lartë i Drejtësisë në atë kohë, ishte inspektimi i dosjeve të lirimit para kohe me kusht, në kuadër të një inspektimi të madh tematik sepse u prekën të gjitha gjykatat dhe prokuroritë ku ka institucione paraburgimi dhe burgimi. Ne propozuam disa masa. Ndër to ishin edhe masat për shkarkimin e 3 magjistratëve. Këto masa vazhdojnë edhe sot, sepse ka magjistratë që i kemi nën hetim. Një hetim është përfunduar dhe është dërguar për procedim në KLGJ. Kështu që është një gjë, që ne e kemi parë me shumë vëmendje. Nuk është as për ta evidentuar si sukses, nuk është as për ta evidentuar me ndonjë konsideratë. Është një proces normal pune i ILD-së dhe është mesazh i qartë për këdo magjistrat, që ILD nuk është një çekan mbi kokat e tyre, por nuk do tolerohet asnjë paligjshmëri nga ana e magjistratëve. Këtë e kam thënë që në intervistën e parë dhe këmbëngul ta them përsëri.”

Inspektori i Lartë  Z. Metani ka folur edhe për sfidën me dosjet e trashëguara nga ish KLD, KLGJ, Prokurori i Përgjithshëm e Ministria e Drejtësisë, të cilat duhen trajtuar nga ILD në kushtet e mungesave në inspektorë.

“Të gjithë inspektorët po i trajtojnë me prioritet, që të mos kalojnë afatet apo të digjen ankesat për shkak të kalimit të afatit, të parashkrimit. Por, kjo është një gjë që po ndodh, në kuptimin që ne po mundohemi të trajtojmë çdo ankesë, por është një ngarkesë e madhe, që s’e përballojmë dot, pra trajtimi i ankesave në kohë. E dyta, duan zgjidhje qytetarët, pra e kanë paraqitur ankesën para 5 viteve dhe nuk është normale për një institucion publik, të mos i kthejë një përgjigje qytetarit, të paktën pas 5 viteve. E treta, që është e rëndësishme gjithashtu, jam munduar, edhe pse janë ankesa të vjetra, të procedojmë magjistratë edhe për këto ankesa të vjetra, për t’i kujtuar kujtdo, që nuk harrohet asgjë.”, nënvizoi Z. Metani.